Gjergji Mihallari: Ishte vetëm një çast…
Tregim
Më në fund, gjithë dita e zhurmshme, ngjeshur si kacek në gjithë çastet, gati po ulte siparin. Them ditë, në kuptimin e fjalës së saktë ditë. Ditë përkufizohet kur ndriçimi është natyral, kur vështrimi nuk ka nevojë për ndriçuesë të tjerë apo burime të tjera drite, që të perceptojë gjithçka sheh. Dielli gati të rëzohej pas maleve të larta, që konturonin hapësirën fushore në perëndim. Ishte prag mbrëmja, kur mbretërimi i errësirës nuk është i gjithpushtetshëm. Megjithatë, disa yje, si çamarokët e lagjes, feksnin dobët në qiell. Njolla murmore resh, sa të reckosura, po aq edhe harakate, hallakateshin ngadalë në kupolën qiellore. Mbartnin kazanë shiu. Dhe shiu kishte qënë i papritur çdo ditë apo natë të këtij muaji.
Mblodhi teshat e ndera në një tel të fiksuar në trungjet e qershisë nga njëra anë, dhe kumbullës në krahun tjetër. La grumbullin e tyre mbi njërin prej shtretërve, në dhomën e vajzave. Vështrimi ngeli varur disa sekonda në kordonin elektrik të hekurit të hekurosjes. Pas largimit të vajzave drejt Tiranës, për të vazhduar studimet në Universitet, në një cep të dhomës, linte tavoletën e hekurosjes dhe teshat e lara. Kjo për faktin që edhe nëse nuk i hekuroste të gjitha në momentin e mbledhjes së tyre nga teli ku ishin nderë për t’u tharë, lënia në njërin shtrat, në këtë dhomë, e qetësonte disi. Dhoma qëndronte e mbyllur dhe teshat nuk ngeleshin si pirg. Edhe kur mungonin teshat, hynte në dhomë. Ulej në buzë të njërit shtrat, përhumbej në ëndërrime. I mungonte prania e vajzave, kotelimi i tyre në qafën e saj. Largësia e tyre, vetëm shtonte barrën e mallit dhe brengën e mendimeve gëryese. Një merak tirej si lak gati t’a mbyste. Merak prej nëne. Shpesh kishte dëgjuar në fëmijëri gjyshen, kur shqiptonte: -Është mallkim për një nënë që nuk e ha meraku për të pjellët e saj!
Si lëshoi teshat e thara, mbledhur nga teli në oborr, u ul edhe vetë në cep të krevatit tek. Vështroi herë grumbullin e rrobave të lara, dhe, herë hekurin mbi tavoletën e hekurosjes. Një ndjesi e brendshme kundërshtonte fort ndjenjën e detyrës, t’i hekursote dhe më pas t’i sistemonte në raftet e komosë. Nuk ishte aspak përtacëri, jo. Një ndjesi padëshire dhe lodhje e shfaqur në çast. Vërtet kjo ditë e kishte lodhur. Sa në shkollë, duke folur e folur përpara nxënësve të klasës së saj, dhe më pas, në një aktivitet promovimi libri. Ishte një shkrimtar i ardhur nga kryeqyteti. Mbase e kishin fajin fjalët e shumta që kishte shqiptuar atë ditë…
Edhe në aktivitetin e promovimit të librit, kishte folur. Më pas, në një situatë pavëmendje, vështrimi ishte ndalur tek libri. Një mënyrë vështrim që nuk përcaktonte gjendjen e saj të brendshme. E kishte tërhequr libri voluminoz, vendosur në tavolinë. Në një pozicion ballor, që të mund të shihej nga pjesëmarësit në takim. I trashë, me shumë fletë. Por edhe shumë i bukur. Tepër i paraqitshëm në estetikën e pamjes. Punë e paqme. Shtëpia botuese, tepër prestigjoze, si puna e grave nikoqire që dijnë të vënë gjithçka në vendin e duhur, e kishte kuruar me kujdes deri në çdo detaj. Vështrimi mbase në atë moment, ishte një nga ato çaste kur përpiqesh të ftillosh dëgjimin, pasi për një kohë të gjatë, vetëm fjala, është tingulli muzikor i dëgjueshëm. Padashur, cipa e monotonisë, fillon të të zaptojë dhe dëshira jote, që mos biesh pre e kësaj gjëndje, janë veprime tepër të thjeshta. Një lëvizje e vogël në karrige, ulje-ngritje sat ë largohesh disa centimetra nga mbështetësja e saj, një lëvizje gishtërinjsh, apo edhe një shkundje e lehtë e kryes. Asaj, i rastisi të tundte kryet lehtë dhe vështrimi të sodiste librin…
Këtë fotografi të kësaj situate, ia kishte dërguar një nga pjesëmarësit në aktivitet. Fillimisht një vështrim rrëshqanthi. Më pas një vështrim tjetër, edhe një tjetër, edhe një tjetër. Pas çdo ndalese të vështrimit, fillojnë të gryejnë disa mendime. Fillon një analizë e padëshirueshme, e pa vetëdijshme, për foton, për situatën, për mënyrën e qëndrimit, të vështrimit, domethënë pas çdo vështrimi fillon analizon edhe detajin më të vogël. Bie në mendime përsëri. Fillon e tkur vehten. E pakuptueshme, por, një ndjesi e çuditshme të zapton. Këtë ndjesi të pakuptueshme, ajo e gjendi të rëndë, si gurë në stomak, në trurin e saj. Një nënvleftësim për vehten, për aftësitë e saj. E renditi vehten në fundin e kolonës së dijeve dhe aftësive humane. Iu fiksua se, mysafiri mbritur nga Tirana, qëndronte shumë lart, më lart se ajo. Miku kishte botuar një libër përpara këtij të prezantimit, ndërsa ajo disa të tillë. Libri i fundit nga ajo, ishte botuar nga e njëjta shtëpi botuese. Për këtë arsye, ajo nuk duhej të ndihej në këtë gjendje. Dhe kjo gjendje po shtriqej në çdo ind. Në fyt shtërngimi ishte gati i mbytshëm, si të ishte në grackën e tentakulave të një oktapodi.
Mërzitja vjen shpesh edhe pa shkak, kishte lexuar diku. Mbase këtë thënie po e provonte vetë për vërtetësinë e saj. Të kërkoje shkak, duke mospasur shkak, ishte si të kërkoje të paqënën, të paekzistueshmen, në kufijtë e të qënit dhe të ekzistencës. Të hamendësoje kot së koti, ishte si të kërkoje shtërngata shiu në ditët e nxehta të korrikut. Përse duhej të vihej shënjë barazimi apo krahasimi, si në një formulë matematikore, në këto raste? Nëse do të pranonim raportin me shënjat krahasuese të numurave, atëhere shenja “ më e madhe” ishte një krahun e saj. Kishte botuar shumë libra, miku vetëm dy. Dhe librat e saj ishin pëlqyer. Dyshimi në aftësitë, pikëpyetje të pafundme. Ishte një gjëndje kaotike në tru, mendimet ngatëroheshin me njëra-tjetrën aq sa të kishte postone në Fb, në dritaren e stores, foton e dërguar nga miku. Pastaj një pyetje që nuk përcaktonte aspak shkallën reale të përgjigjes. Dilema nëse kërkonte të pamundurën me pasionin e saj…
Nga situata turbulluese dhe gati në somnamnambulitet, e solli në realitetin jetësor, një tingëllim i fortë metalik në timbër. Ishte tingulli i sinjalit të mbritjes së mesazhit në telefon. Atë e kishte lënë mbi tavolinë. Vetë ishte ulur në cepin e njërit prej shtretërve të vajzave. Pranë telefonit, gjendej edhe filxhani i kafes. E kishte harruar nga përhumbja në mendime. Lëngu i zi kishte humbur edhe atë cipë shkumbuese në sipërfaqe. Vështroi telefonin. Ishte një mik. Shkruante edhe ai.
Hej dreq! Ky trill mendimesh hidhtake, pati guxuar duke u bërë sa ngacmues, por edhe i shfaqur për të tjerët. Gati-gati, si një luftëtar që jep shpirt në fushëbetejë, telendisur dhe agonik, por nuk pranon të dorëzojë armët, të pranojë fatin e betejës së humbur.
-Ti arin majat e pamundësisë mike, shkruante ai. Se kuptoj këtë mendim trillak që të mundon. Rëndësi ka ëndrra, sepse ajo të jep ndjesinë e ëngjëllit, dhe më pas të derdhësh në letër pjalmin e rrëfimit. E mbyllte fjalinë me një simbol, nga ato figurinat e gëzueshme që gëlojnë në platformat sociale.
U përpoq të buzëqeshte. Harroi që lëngu i kafes, ishte ftohur. E vuri në buzë. E çuditshme, lëngu ruante ende shijen e adhurueshme për të. Iu përgjigj mikut.
-Sa më motivon, faleminderit!
Disa minuta më pas, sinjali përsëri.
-E ke brumin, prandaj…asnjëherë mos humb atë që ndien dhe ke brenda vetes. Ke shumë, por nuk e di. Syri i tjetrit të lexon, si në një grafi. Nuk më pëlqen ky pesimizmi yt! Trego se je dikushi, ai dikush që di të thurë vargje të bukura. Natën!
Si në vazhdën e pavetëdijësisë, kishte hapur bllokun e shënimeve. Stilolapsi filloi të rrëshqasë mbi letër. Gjithë sa kishte mbledhur brenda shpirtit, po vargëzohej. Hodhi një vështrim përtej dritares. Nata ishte e plotë. Për çudi dëgjoi edhe këngën e bulkthit. Njolla të vockla drite silleshin tutje-tëhu në kopshtin e shtëpisë. Ishin xixëllonjat. Dëshiroi të kapte disa syresh, të lyente lëkurën e fytyrës me dritëzën e tyre, si dikur fëmijë.
Gjerbi edhe atë pakëz lëng kafeje të ftohtë, ngelur në filxhan. Nuk rrudhi buzët, përkundrazi kaloi gjuhën mbi to. Lexoi vargjet. Pastaj, i rilexoi. Dikush tjetër duhej të kishte hyrë qënies dhe mendimeve të saj. Dikush që kishte shkruar këtë poezi të bukur. E dyzuar midis vehtes reale dhe asaj që tjetërsohej, me siguri asnjëra prej të dyjave nuk humbte në këtë dyluftim. Të dyja të unizuara në të njëjtin trup, vetëm kryenin ritin e vazhdimësisë së endrrës…
Qershor 2021.