Albspirit

Media/News/Publishing

In memoriam për patriotin shqiptaro – amerikan Tomor Zavalani, që punoi për komunikimin universal

 

Nga Kozeta Zavalani

“E kujtojmë me mirënjohje bashkëatdhetarin tonë, të ndjerin Tomor Zavalani, për projektin e tij madhështor për ndërkomunikim global, për zellin e treguar duke punuar vite e vite me radhë si idealist i paepur dhe për veprimtaritë patriotike në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë”. Naum Prifti

Këtë fundqershori kujtoj fundqershorin e vitit 2004 kur kam mbrritur në Carlsbad, pranë San Diegos, pas përfundimit të konferencës ndërkombëtare mbi lidershipin e grave në Los Angeles. Një muaj më parë kisha folur në telefon me kushërirën Claire Zavalani, që më njoftoi se babai i saj Tomorri, kishte ndërruar jetë më 8 maj 2004. Ndjeva keqardhje që nuk munda ta takoja, sa ishte gjallë, këtë veprimtar e patriot në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe autor i një projekti sa madhështor, aq dhe utopik, sikurse është krijimi i një gjuhe ndërkombëtare me shenja grafike. Ai ka jetuar në Carlsbad, një qytet turistik, përgjatë bregdetit të Oqeanit Paqësor në rajonin verior të San Diegos në jug të Kalifornisë. Kalifornia e ka joshur gjithmonë, aq sa kur shkova vetë aty, them me bindje se, në se ka një vend ku e ka shtëpinë Zoti, është Kalifornia. Shtëpia e Tomor Zavalanit ndodhej në veriperëndim të Carlsbadit, që përfshin zonën në qendër të qytetit dhe që është e njohur si “Olde Carlsbad.” Kjo ishte pjesa e Carlsbadit me shtëpitë private dhe pallatet elegante në kodër me pamje nga oqeani. Pastaj vazhdonte zona juglindore dhe ajo jugperëndimore, që shtrihet përgjatë Oqeanit Paqësor në jug të qendrës së Carlsbadit. Tomor Zavalani lindi në qershor 1921 në Korçë, në një familje me tradita patriotike të shquara. Ai mbaroi me sukses liceun francez, një nga shkollat e mesme më serioze të paraluftës. Gjatë viteve të luftës mori pjesë aktive në anën e Ballit Kombëtar, mirëpo pas vrasjes së partizanit Qako Bulka, shokut të tij të Liceut, ai i braktisi radhët e tyre, i dëshpëruar që vendi po shkiste drejt luftës civile. Tomori e shihte luftën si tragjedi të popullit shqiptar dhe nuk u drojt t’i stigmatizonte si komunistët, si nacionalistët për vëllavrasje. Pas lufte u arratis në Austri e më vonë në Itali. Në të dy vendet, Tomori ish student i Universitetit të Bolonjës në Itali e i Universitetit të Vjenës, i etur për gjuhë e kulturë, vazhdoi fakultete të ndryshme. Më 1957, ashtu si shumë emigrantë të tjerë politikë, erdhi në Amerikë. Një kohë punoi si kamarier, pa iu ndarë studimeve. Tomori ishte poliglot, ai dinte frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, veç shqipes. Pasioni për gjuhët e shpuri te projekti i krijimit të një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë, të cilën e quajti “JET ERA GLYFS” (Glifet e epokës supersonike).

Tomor Zavalani, që këtë muaj do të mbushte 100 vjet, kishte marrë emrin e malit Tomor, mali më impozant në Shqipërinë e Jugut, që ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë, që rivalizon dhe zotëron pamjen nga të gjitha pikat e horizontit. Kjo e bën atë madhështor, si e bëjnë të bukur livadhet malore e të frikshëm, majat e thepisura shkëmbore, humnerat e thella dhe stuhitë e befasishme. Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky adhurim është mbeturinë e kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e një pjese të shqiptarëve. Fatkeqësisht ai nuk jeton më, por ka lënë pas një familje të lumtur, djalin e vet Rudi, që së bashku me gruan Cheryl, kanë lindur Danjelin, me gjak shqiptari nga i ati, që kanë dashuri të veçantë për vendlindjen e babait të tyre. Rudy Zavalani aktualisht është president i pesë kompanive të formuan gjatë një periudhe katërmbëdhjetë vjeçare, ndërsa më e fundit u përfshi dhjetë muaj më parë në gusht të vitit 2020. Kur e kam takuar për herë të parë, vajza Claire jetonte me të ëmën Nelly, një grua sllovene sa e fuqishme aq edhe e dashur. Ato më pritën ngrohtësisht, sikur të ishin njohur prej vitesh, paçka se shiheshim për herë të parë. Claire kishte veshur një bluzë blu, në harmoni me sytë e saj bojë qielli të shndritshme e transparente, ndaj kujtoj që i kam dhuruar dy vathë akuamarinë-blu, si qielli. Ajo më dhuroi një suvenir të bukur prej kristali, së bashku me një pamje nga Carlsbadi. Është një panoramë e bukur e qytetit nga panairi botëror i luleve. Mamaja e saj Nelly, vajza e Franc Hermanit, më ka vendosur në qafë një shall origjinal najloni të firmës “St. John”, dizenjuar nga kushërira e saj Marie Gray, të cilën e mbaj si një dhuratë të çmuar. Duke përkëdhelur qenin e vet të quajtur Sara, ajo më fliste të vetmet fjalë që dinte në gjuhën shqipe: “Ti je shumë e bukur. Unë të dua shumë”. Pastaj më tregoi tavolinën e tij të punës, ku ruante gjithçka kishte lënë Tomi (si e quante ajo). Midis fotografive të vjetra ishte edhe ajo e babait të tij Dr.Sali Zavalanit veshur me kostum kombëtar, fotografuar nga një gazetar amerikan në Tiranë, në 25 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Emri i dr.Zavalanit është i njohur në Shqipëri për shërbimin që i ka bërë popullit të Korçës, kur mjekët atëherë numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Ai ishte arsimuar në Manastir të Maqedonisë ku banonte xhaxhai i tij Fehim Zavalani, kryetar i “Klubit të Manastirit”. Prej andej shkoi në Stamboll e Paris ku studioi për mjekësi. U kthye nga Franca në Shqipëri me diplomën e Doktorit dhe u emërua drejtor i spitalit të Korçës, ku shërbeu me devotshmëri deri sa u nda nga jeta më 1949. Nelly më tregoi pjesë nga studimet e të shoqit “Jet Era Glyphs”. Tomor Zavalani gjithë jetën e vet ia kushtoi krijimit të alfabetit unik për gjithë kombet. Ai thekson në parathënie: “Glifet do të plotësojnë dy synime. Nga njëra anë do t’u mundësonin memecëve të komunikonin dhe nga ana tjetër, do të shërbenin si mjet për të ndihmuar komunikimin global në përshtatje me nevojat e jetës së përditshme”. Donald Fuller, Profesor në Universitetin e Arkansasit shkruan për të: “Ai, ka shpikur një sistem të plotfuqishëm, që do të jetë me të vërtetë një ndihmë e madhe, për të gjithë njerëzit me probleme”. Sheri Hunnicutt, nga Instituti Mbretëror i Teknologjisë në Stokholm të Suedisë ka shkruar: ”Veçanërisht pëlqej faktin që simbolet u përngjajnë objekteve që përfaqësojnë dhe shumë nga simbolet abstrakte janë të kuptueshme”. Një gazetë amerikane për librin në dorëshkrim prej 277 faqesh të Tomor Zavalanit shkruan se sistemi i kompozuar me 700 shenja vizatimi, mund të shembë barrierat gjuhësore, për të bërë të mundur komunikimin universal. Shkrimtari i njohur Naum Prifti e ka vlerësuar Tomor Zavalanin në shkrimet e tij. Në erën moderne, megjithë shtimin e madh të mjeteve të masmedias, të fjalorëve dy-gjuhësh e shumë gjuhësh, problemi i ndërkomunikimit vazhdon të jetë pengesë për përvetësimin e kulturës së popujve të tjerë dhe sidomos për emigrantët, që jetojnë në mjedise të huaja dhe duhet t’i përshtaten vendit. Me problemin e komunikimit ndeshen jo vetëm emigrantët, por edhe turistët, biznesmenët, sportistët. As fjalorët elektronikë, të përdorshëm dhe të lehtë për t’u mbajtur me vete, nuk e zgjidhin përvetësimin e gjuhës dhe të komunikimit, sepse çdo gjuhë veç fjalëve, ka sistemin e saj gramatikor dhe sintaksor. Ndaj, nisur nga qëllimi fisnik që mundësonte komunikimin midis njerëzve me kombësi dhe kultura të ndryshme, ai iu përvesh punës me zell e durim, duke punuar deri në fund të jetës. Në mbyllje dua të shtoj poezinë: ”Takimi me Claire Zavalani”.

Kujtoj kur mbërrita nga Los Angeles në Carlsbad e lumtur.

prita gjatë me mama Nelin të takoja një çast ty me dashuri,

Me dridhmën e shpirtrave të gëzuar, kujtimeve përhumbur,

Me mendimin se nuk jemi të përjetshëm, a do të shihemi përsëri.

Tashmë nuk i kemi mamatë tona, as Nelin e as Anikën

Kanë shkuar me baballarët përjetësisë.Ndonëse i kujtojmë me mall çdo ditë,

një dhimbje brenda zemrës, kurrë nuk do të ikë.

E dashur Claire, kaluan ditë e vite pa u parë, nuk e di saktësisht. Një ditë gushti mësova se, në vendlindjen e babait ke ardhë. Në Life Gallery Hotel u takuam së bashku, mrekullisht. Erërat e qiellit lodronin lumturisht lëndinave të shpirtit të bardhë. Njoha Rudin dhe Çeril-in për herë të parë ndenjëm pranë, sa dallohej lëngu i lotëve të fshehur, degë të njëjtit trung me bashkëshortin e djemtë e mi familje e bukur, nga dashuria ishim të lumtur, si të dehur. Tashmë e di me siguri, se do të shihemi përsëri!

Please follow and like us: