Tri përurime të poetes Mihane Hoxha, freski të një dite vere
Jusuf Bytyçi
Zërat e kohës sime ( intervista e reportazhe ), Policia e Kosovës përmes aktiviteteve edukative e arsimore si dhe Ngjyra malli, janë tri veprat – krijimet e poetes, gazetares e publicistes së re, Mihane Hoxha – Hana, nga Maralia e Malishevës, që u përuruan të premtën në mesditë, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në kryeqytetin e Kosovës. Ditë me vapë e javës së parë të verës, por ishte zgjedhur jo rastësisht, pasi kjo krijuese sot festonte edhe 30 – Vjetorin e lindjes. Krijimet e saj artistike sollën një freski në mesin e të pranishmëve. Afër saj në panel ishte vetëm redaktori Nezir Prokshi, ndërsa në ulëset e shumicës edhe recensenti Zymer Mehana, familjarë, të afërm, kolegë, gazetarë, publicistë, miq e personalitete institucionale politike, klerikë të Ipeshkvisë së Kosovës, dr. Dom Lush Gjergji etj. Nga Tirana kishin ardhur publicisti Çerçiz Loloçi, Agron Gjedia, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë- Prizren e të tjerë nga Kosova lindore. Pos redaktorit Prokshi, poeten, krijuesen e re, Mihane Hoxha, e përgëzuan për arritjet e saja edhe gazetari Ç. Loloçi, avokati Agron Gjedia, politikani Rashit Qalaj, ish – drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës etj. Këta vlerësuan lartë vitalitetin e dëshmuar të zonjushës Hoxha, duke e uruar atë edhe për krijime tjera artistike, të ”shijshme” për publikun e gjerë. Bazuar në përkushtimin plot dinamizëm dhe këmbëngulësinë për të arritur jo veç shumë vepra, por edhe vlera, poeten Mihane Hoxha, oratorët e vlerësuan krijuese premtuese./portalionline
Please follow and like us: