Leonard Olli: Fundjavat e mallkuara apo çdo ditë e mallkuar?
Të udhëtuarit në Shqipëri është shndërruar me kohë jo vetëm në stres të paimagjimueshëm, por mbi të gjitha në një front lufte. Numri i jetëve të humbura dhe plagosjeve me dëmtime të rënda fizike, në shumë raste edhe të përhershme është në rritje të frikshme. Kjo është prova e qartë se institucionet përgjegjëse, civile apo me uniformë kanë dështuar totalisht në detyrën e tyre. Nga ana tjetër pushteti politik rilindist e vetmja “masë” që ka marrë është ashpërsimi i ndëshkimit ligjor, I cili qartazi duket që nuk jep rezultate. Përkundrazi, efektet kanë qenë më së shumti negative, pasi i kanë hapur rrugë pa fund praktikave korruptive aktive apo pasive ose thjesht mbushin arkën e shpuar nga korrupsioni të shtetit shqiptar. Ka shumë arsye për këtë situatë ku ndodhet vendi ynë sot, i pari ndoshta në Europë për humbje jetësh në asfalt, por personalisht do të veçoja tre faktorë kryesorë. Infrastruktura rrugore jashtë çdo parametri, shteti selektiv dhe përdoruesit e mjeteve. Sa për infrastrukturën rrugore nuk po zgjatem shumë pasi është e dukshme për këdo përdorues mjeti që është jashtë çdo standardi në konceptin në terren e sinjalistikë. Mungesa e sinjalistikës horizontale, vertikale apo ajo për ndriçim gjatë natës është më ditë të hallit. Pa folur për kalime, nënkalime, mbikalime, daljen e rrugëve dytësore në rrugë kryesore apo në autostradë, të cilat janë nën nivelet e rrugëve të Perandorisë Romake. Nëse dikush beson se është ekzagjerim do të gjejë një foto ilustruese nga mënyra si është lënë qarkullimi në rrugën që të fut nga aeroporti Nënë Tereza në autostradë drejt Tiranës dhe nga rruga dytësore, me orientim drejt Durrësit. Shumëkush ka kaluar dhe e ka mëse të qartë për katrahurën vrasëse të atij segmenti. Dhe kur kjo ndodh në kryeqendrën nga ku kalojnë edhe vetë shtetarët dhe kryeshtetari, imagjinoni se çfarë ndodh në gjithë pjesën tjetër të territorit. Mund të sjellim shembuj pa fund, por nuk ka nevojë sepse të gjithë i dinë, thjesht askush nuk është i interesuar që të paktën për këtë rast të bëhemi si fqinjët tanë se për vende të tjera do të duhen mijëvjeçarë! Përdoruesit e mjetit me apo dashjen e tyre janë përgjegjës dhe fajtorë për aksidentet që shkaktojnë pasi kur ato ndodhen në ato pak segmente që plotësojnë kriteret, kjo është provë për këtë fakt. Edhe këtu mund të ketë argumenta pro dhe kundër, por përgjegjësia nuk shmanget. Ka me dhjetëra përdorues mjetesh e sidomos nga rinjtë drejtojnë shumë rrezikshëm dhe në shkelje flagrante të Kodit Rrugor. Por, jo në pak raste kjo lidhet me atë që e kam cilësuar ‘shtet selektiv’. Shteti sipas statistikave që i gjeni bashkangjitur edhe pse ka ashpërsuar masat ndëshkuese dhe vetë ndëshkimet në terren, prapë nuk ka mundur të përmirësojë situatën. Kjo është prova kokëfortë që ndëshkimi nuk vlen një grosh, nëse nuk shoqërohet me ndërgjegjësimin dhe parandalimin. Por këto dy elementë do të ulnin ndjeshëm praktikat korruptive dhe ‘përzgjedhjen’ e të ndëshkuarve. Dhe ky është problem! “Të fortët” që shkelin Kodin Rrugor, nuk kanë problem të darovisin policët rrugorë dhe pse janë miq me shefat e tyre. E ky fakt bën jo vetëm ata por edhe të tjerë të ndjehen të pacenueshëm, ndërkohë që të vdekshmit e tjerë janë dëshmi e “zbatimit” super rigoroz të ligjit, madje deri në ekstreme. Është për të qeshur e për të qarë kur shikon se ndërsa patrulla e fshehur pas ferrave ka ndalur dikë për tejkalim shpejtësie e po i merr shpirtin, kur aty pari kalon makina superluksoze, me xhama të errët me shpejtësi skëterrë dhe të gjithë bëjnë sikur nuk panë gjë. Nga statistikat rezulton se shumë aksidente shkaktohen nga parakalimet e paligjshme dhe është e saktë. Por çfarë ndodh realisht në rrugë. Po të referosh segmentin Librazhd-Përrenjas konstaton që është një aks nacional, I vetmi që lidh pjesën tjetër të vendit me doganën e Qafë Thanës apo pikat e tjera doganore të Korçës dhe zonave kufitare të këtij qarku. Mjetet e rënda transportuese, por edhe shumë të gjata janë në lëvizje të vazhdueshme në këtë aks, që sigurisht jo vetëm që nuk përmbush asnjë kriter që duhet të ketë një rrugë nacionale me këtë fluks lëvizjeje, por ku mungojnë edhe gjithë elementët e përmendur më lart. Kushdo që udhëton në atë aks e di mirë se një apo dy automjete të tilla krijojnë një radhë autoveturash qindra metra të gjatë. Dhe nëse një drejtues mjeti tenton të parakalojë pas minutash të tëra pritjeje, në ato pjesë të rrugës që kanë fushëpamje, por që përdreq, nuk lejohet të parakalosh, aty të fshehur rrinë rrugorë dhe e ndalojnë, formalisht me të drejtë. Pse e them formalisht. Sepse prezenca e tyre në vende të tilla dëshmon për faktin se ata e dinë shumë mirë se ku do të ndodhë shkelja, ndryshe nuk shpjegohet fakti që rrinë gjithmonë në në atë pjesë të rrugës dhe jo në pjesë të tjera. Pra, normalisht në raste të ngjashme do të duhej të krijoheshin masa parandaluese jo pritëse për shkelje. Së dyti, nëse realisht do të donin të gjithë që të normalizimin qarkullimin, pse mos ketë praktika ndihmëse në ato pjesë ku rruga e lejon që të ndalen automjetet e tonazhit të lartë deri sa të kalojnë autoveturat, të cilat janë bllokuar për kilometra të tëra pas tyre dhe kur jo rrallë mund të kenë edhe urgjenca. Si ky segment ka me dhjetëra gjithë territorin, si në rrugën Mat-Dibër, atë të Kolonjës, Përmet-Teplenë, gjithandej. Për asnjë moment nuk dua të justifikojnë asnjë shkelje të Kodit, qoftë edhe në këto rrethana, por që të shpëtojmë jetë njerëzish duhet kuptuar natyra njerëzore dhe stresi i çdo drejtuesi mjeti, se për kët janë ekspertët. Shteti është organ rregullator e normues së pari, pastaj si mekanizëm ndëshkues. Shumë mirë në këtë periudhë të vitit, mund të normohej lëvizja në akse të tilla e lëvizjeve të mjeteve të rënda në orë që nuk pengojnë trafikun ose edhe ndalimin e qarkullimit në fundjavë të paktën në një periudhë të caktuar të verës kur fluksi i lëvizjes është maksimal. Ka shumë elementë për të diskutuar e që duhen të bëhen nga ekspertë të mirëfilltë, e ne kemi shumë të tillë, por çështja është që duhet të dëgjohen e jo të shpërfillen si edhe në fusha të tjera. Edukim dhe ndërgjegjësim, parametra rrugorë e pastaj ndëshkim. Kjo duhet të jetë radha e punës. Përndryshe, “Lufta e asfaltit” do të vijojë me viktima e dhimbje pa fund.
Please follow and like us: