Odise Kote: KONCERTI
Tregim
E mori në telefon për t’i thënë se kishte siguruar dy bileta koncerti.
– Duhet të vish patjetër. Nëse nuk vjen vërteton tezën “ata që nuk janë të pranishëm, janë gjithnjë fajtorë”.
Në krahun tjetër nuk kishte zë, si për të provuar që pamundësia për të thënë të vërtetën nuk do të thotë se është e nevojshme një gënjeshtër. Natalia. B ishte gati t’i ulëriste: Nëse nuk e kupton heshtjen time, si mund të kuptosh fjalët e mia?
Jo zëri, por mendja e saj e mori përsipër një përgjigje teksa nisi t’i pikturojë portretin. Ajo e kishte pikasur herët cilësinë plastike të bustit, rreptësinë e mjekrës, të cilat kohë më parë i pati adhuruar. Ata ishin takuar në një ekspozitë pikture tre muaj më parë. Tërheqja nisi si një vegim prej nga zuri fill një aventurë e papërmbajtur. Ulur përballë në një tavolinë taverne përpinin me sy njëri tjetrin. Të heshtur, derisa ai tha: “Sa e qetë je, përveçse kur përpëlit qepallat e gjata”.
– Se si dridhen këmbët e tu aty nën tavolinë? shpotiti ajo.
– Sa të kaltër flokët e tu, kur i rrëmben era dhe ritmi i muzikës – këmbënguli ai.
– Sa i nxehtë gjaku yt që lëviz me shpejtësi në damarët e qafës – qeshi tinës ajo.
– Sytë e tu më shikojnë ngultas, por vetëm njëri prej nesh është gati – pëshpëriti ai.
Natalia. B nuk priti. U ngrit dhe u lëshua në prehërin e tij. Pastaj format e trupave të tyre humbën. Më shumë se prej të papriturës, ishte tërhequr nga historia e veçantë të jetës së tij. Histori që nisi me humbjen tragjike të prindërve në emigracion pas një aksidenti automobilistik. Përqafimi i saj ngushëllues, plot afsh e mirësi sikur e çliroi memecërinë e errët të kalvarit. Më tej nuk mundi ta pyesë dhe Natalia. B risolli ndërmend, një nga një, ato takimet si pianot e çakorduara, ku secili luante në tastierën e vet, flisnin për dolli të ngarkuara me dëshpërim e trishtim, fragmente që shndërronin çastet e butësisë në çaste ankthi e padurimi. Moskuptimet e vogla po e thërmonin pak e pak mëshirën fillestare, atë butësi ndjenjash që se si ishte mpiksur e ngjizur, krejt si pa dashur. Sikur të ishte një gabim.
Pastaj ai humbi. Humbi. Nuk u shfaq për ditë të tëra. As telefon dhe as mesazh. As gjurmë, asnjë spjegim. Natalia. B provoi disa herë t’i telefonojë, por numri i tij dilte jashtë shërbimit.
Ai që ka nxitim në dashuri, kujtoi një nga këshillat sublime të nënëmadhes, ka nxitim edhe në urrejtje. Kjo fjali i rrihte egërsisht tëmthat e saj. Papushim. Ishte frikë dhe zhgënjim. Kur ai i ra sërish numrit të saj, mendimet që deri atë kohë pikturonin, ia zhgaravitën thuajse deri në asgjësim tiparet e fytyrës. Ky akt që e trembi keqas, sikur u shndërrua në një demon që paralajmëroi mallkim mbi jetën e saj.
– Nëse nuk thoni asgjë, atëherë nuk do t’ju lus t’i përsëritni fjalët tuaja edhe njëherë.
Zëri i tij se si ishte, ngjau i largët, i lodhur, urdhërues, i ashpër, i mbrapshtë. Mos ndoshta ishte gabim?
– Do të vij në koncert – premtoi kryeneçe.
Është më sfiduese, e urdhëroi përbrendësia e saj, t’i shmangesh çastit të pakëndshëm përmes pranimit kinse se sa përmes grindjes.
E përpiktë si gjithnjë, Natalia. B e mbajti fjalën. Hyri brenda, u ul krah tij në qendër, në rreshtin e tretë të sallës, ku pritej të niste koncerti për bamirësi i këngëtares pianiste që flitej se ishte nga zërat më të bukur të shtetit fqinj.
– Je e zemëruar dhe ndihesh… – por nuk e përfundoi dot fjalinë pasi ajo i vuri dy gishtat në buzë. Shët… shët…
– Ke pak të drejtë, por duhet të të them diçka të rëndësishme, para se…
Ajo u kthye plotësisht nga ai dhe u ndje sikur kishte një betejë për të fituar. Pas frikës disaditore, pakuptuar po vinte lehtesimi i madh. – Ajo që këndon sot, ti nuk e di, por ka një histori të ngjashme…
– Sërish me histori të trishta ti?
Ngjante si mace mbi një top leshi që s’po kapte dot fillin. Atë fill që i duhej si nisje për të shpleksur gjithë pasigurinë dhe enigmat e lidhjes së sapokrijuar.
– Do të doja të ktheja kohën pas sepse dhe kjo këngëtare humbi prindërit në aksident tragjik, – këmbënguli ai.
Kësaj here toni i tij megjithëse zëdridhur u duk i vendosur për t’i shkuar rrëfimit deri në fund. Natalia. B i hodhi një nga ato shikimet e frikësuara plot ankth që i ravijëzohej në portret sa herë pengohej në enigmat dhe dredhat e tij të pakuptueshme.
– Humbi jo vetëm prindërit, por edhe shikimin. U verbua. Ishte me të dy prindërit në të njëjtin mjet.
Natalia. B i vuri sërish dy gishtat në buzët e tij, por ai i hoqi prej andej butësisht.
– Mos të lutem…! – dhe për herë të parë ajo lutej me gjithë shpirt që ai të mos vazhdonte me ato historitë e tij të trishta me vdekje e humbje jetësh njerëzore. Po ishte vonë. Nuk mund t’i shpëtonte dot dëshirës a pasionit të tij rrëfyes.
– A e di ti se kur humbet të dashurit gjithë kujtimet kyçen në një vend? Ai vend kthehet në tempull dhe unë shkoj aty sa herë që kam nevojë?
Natalia. B nuk mund t’i ikte më rrëfimit të tij. U kthye e gjitha nga ai me ndjenjën e gabimit, sikur nuk e kishte bërë detyrën dhe poret e trupit të saj ishin të gatshme të thithnin çdo fjalë a brengë që do të shqiptonte.
– Kur humbi shikimin, vajza ishte në vitin e dytë të Konservatorit në Milano. Nuk i ndërpreu studimet, jetoi në kolegj murgeshash, pasi fati të jep çmimin, kurse Zoti të jep shpërblimin – tha shpejt sikur kishte frikëqë ajo di t’i ndërpriste rrëfimin. Asaj nuk i duhej thjesht një trofe. Nëse do kishte mundësi ta shihte veten në pasqyrë, veç bukurisë do të shihte një njeri që ka luftuar shumë në jetë, por që kurrë nuk është lodhur, kurrë nuk është ndjerë e frikësuar, ndaj…
Nuk e përfundoi dot fjalinë pasi u dëgjua tastiera e pianofortes dhe një tingull hyjnor që sikur zbriti nga qielli për t’u takuar me njeriun. Tingulli hyjnor hynte në thellësi, në përbrendësi të intimiteteve, atje ku ndjesitë ndiheshin ngrohtë e zgjoheshin për të luajtur e gëzuar fatin. Njëra pas tjetrës këngët e saj ishin thjesht magji që një bamirës qiellor (atë çast Natalia. B. besoi se ekzistonte një të tillë) i kishte sjellë dhuratë në atë Koncert bamirësie. Në këngën e fundit të saj, kur ajo u ngrit e luante në këmbë dhe buzët e burbuqta shqiptuan me aq ëmbëlsi fjalët: Aleluja, Aleluja!
E gjithë salla shpërtheu në duartrokitje të zjarrta aq sa u duk se muret anësore dhe çatia do të shembeshin. Por jo, nuk ndodhi asgjë e tillë. Muzika veç i ngjiz, i bën më të forta ato. në mbarim, Natalia. B e përqafoi fort atë, njeriun që e solli në koncert, ndërkohë që ai qetësisht shqiptoi fjalinë më të papritur, më goditëse, ngjethëse e zbërthyese që asaj iu ngul si gozhdë në tru: – Më beson veç ai që e ka jetuar temën e vet deri në britmën e fundit të dhimbjes!
Ajo uli mëdyshas krahët, pastroi shikimin nga mjegulla e lotëve dhe me gjithë fuqinë e përqëndrimit për të kuptuar ca më tepër e pyeti:
– Përse e thua këtë?
– Sepse ajo është motra ime. Unë e solla këtu për ty! – e zbërtheu thjesht enigmën e tij.
Natalia. B u shtang. U hutua. U shkri fije fije në dritësi. U gazmend. U rrëmbye. E zuri përdore dhe i thirri fort:
– Eja të ngjitemi në skenë. Dua të më njohë…
– Ajo të njeh, të njeh – tha ai dhe për herë të parë dy sumbulla loti të artë rrëshkitën në faqet e ashpra deri në rreptësinë e mjekrës.
– Kur ajo këndon, flet dhe i sheh qartë e më qartë shpirtrat e atyre që e dëgjojnë…