Sadik Bejko: Rima në poezinë europiane
Në një status më parë kam sjellë këto dy poezi nga Bizanti, nga “Antologjia palatine”, përkthyer nga anglishtja.
Kryeneçja
Ti rrotullon sytë ngjashëm me një zjarr të zi,
Buzët e kuqe krekosur, shpërfillshëm sa ti,
E hirshme, ngjethëse, flokët të llakuar
Derdhur supeve krenare e gjer përmbi duar.
Ndodh: në plasë të zemrës krenia të anojë nga mekja,
Por jo, ju nuk zbuteni kurrë, as nga vetë vdekja.
***
Anakreontit
Nën diell lart gjithë kohën ishe tapë dhe the: po jetoj mirë.
Tash esëll në ferr, e prapë rrap e shtrap e shtyn në errësirë.
Sigurisht në origjinal poezitë mësipër nuk kanë rimë. Sot cilido mund të kërkojë në Google dhe ta gjejë në pdf “Antologjinë Palatine”. Rreth njëzet vjet më parë kur i kam përthyer me rimë këtë fakt nuk e dija.
Më 1997, kur po përktheja nga anglishtja poezi të Shih Ching, të mbledhura nga Konfuci, një studente kineze që studionte shqip pranë Fakultetit të Filologjisë, më tha se këto poezi të lashtësisë kineze janë “me rrymë”, dmth me rimë. Këtë të dhënë e gjeje dhe në hyrjen e librit prej nga po i përktheja: Anthology of Chinese Literature, Cyril Birch, Grove Press, INC, New York, 1967.
Deri atëhere në literaturën tonë universitare mbizotëronte mendimi se rima ka lindur me poezinë e Albave në shekujt 9-të e të 10-të. Albat ishin poezi që këndoheshin nga poetë dhe këngëtarë, nga Trubadurët okitanë e Provansalë dhe nga Mesingerët.
Një nga temat qendrore të Albave lidheshin me agimin. Zotërinjtë e aristokracisë lartë të Mesjetës europiane i kalonin netët në ndjekje të gjahut. Damat futnin në shtratin bosh një nga kalorësit. Në “alba”, në agun e thellë, kur kontët e dukët ktheheshin nga gjahu, dama dhe i dashuri duhet të ndaheshin. Ndarje e padëshiruar. “Ah të vazhdonte nata në pambarim. Agim, ti herët yjet i paske fikur”, thuhej në vargjet e njërës nga albat, poezi të tradhtisë, të dashurisë së ndaluar.
Por ndryshe nga ç’thuhej në tekstet tona, rima në poezi qënkej përdorur gati 20 shekuj më parë nga Albat. Atëherë takova profesorin tim, autorin e tekstit universitar dhe, që të bindej, i tregova teksitn e Antologjisë së Letërsisë Kineze, botim i UNESCO-s, ku thuhej se në poezinë kineze që nga shekulli i 9-të pesr “The rhyme is indispensabile”.
Sot dihet që rima është thelbësore për poezinë arabe që para shekullit të 6-të të ersr. Dihet se rima ka hyrë në poezinë franceze nga ndikimi i arabëve të Andaluzisë që në Mesjetën e Mesme.
Please follow and like us: