19 vjet më parë, intervista e Kadaresë/Ndarja nga tribalizmi do ta bëjë shoqërinë më të qytetëruar
19 vjet më parë, intervista e Kadaresë për revistën e përtremujashme ‘Pajtimi’
Me të gjithë korpusin e veprave ju keni realizuar një skanerim të plotë artistik të thellësive të shpirtit të popullit tonë. Në modelimin psikokulturor të shqiptarëve janë mbizotëruese proceset që i shtyjnë drejt mirëkuptimit, marrëveshjeve apo ato që nxisin konfliket midis tyre?
Ismail Kadare: Mendoj se janë të dyja. Ndërkaq në kohë të caktuara mund të zotërojë njëra prirje mbi tjetrën. Në periudhën postkomuniste, pas një shtypje të gjatë diktatoriale, që fare mirë mund të quhet edhe mpirje e gjatë, ka qenë e pritshme një gjendje acarimi, një nervozizëm dhe një prirje për konflikt. Të njejtën gjendje shqiptarët knë përjetuar në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, në fillim të shekullit, kur Shqipëria sapo kishte dalë nga përgjumja otomane. Siç shihet, të dy daljet në liri kanë qenë traumatizante. Kjo është e njohur në hutim. Robëria është, natyrisht, e vështirë, por edhe liria, sado që është dehëse, nuk është e lehtë. Sidomos në fillimet e saj.
Pse, veçanërisht pas Luftës së Parë Botërore deri në ditët tona, ka pasur zell të tepruar ndër mjaft kalemxhinj të Europës, sidomos të vendeve fqinje, për të kërkuar argument për “gjenin konfliktues të pandryshueshëm të shqiptarëve”, për “karakterin e tyre që nuk i lejon të bashkohen edhe për interesa të prekshëm”, e të tjera?
Ismail Kadare: Arsyeja e një zelli të tillë nuk është vështirë të merret me mend. Është projektimi i një dëshire, e cila lidhet me një strategji të njohur antishqiptare. Strategjitë “anti”, ka qëlluar shpesh që janë fantazi kastash ose rrymash nacionaliste. Ato krijohen me qëllime të caktuara, shpesh herë për të përligjur psikoza agresive. Shqipëria nuk është e imunizuar nga psikoza të tilla. Në kohën e regjimit komunist u përpunua ideja e armiqësisë së botës, sidomos të Europës dhe SHBA-së kundër Shqipërisë. Kjo ishte një ideologji kriminale për të përligjur vetizolimin e Shqipërisë. Ndërkaq duhet thënë se një strategji antishqiptare ka ekzistuar vërtet, por ajo nuk ka qenë e lidhur me komunizmin. Është më e vjetër se komunizmi në Shqipëri dhe po vazhdon edhe pas rënies së komunizmit. Strategjia antishqiptare është e vërtetuar së paku dy herë në një formë tejet të qartë. E para, ka lidhje me Traktatin e Fshehtë të Londrës, që synonte coptimin e Shqipërisë midis fqinjëve, në fillim të shekullit. Ky traktat ka qenë një turp i Europës, (ose më saktë i asaj Europe që e hartoi). E dyta, ka qenë masakra dhe shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova më 1999, një nga aksionet më kriminale të shekullit, ku Europa, në një farë mënyre, e shleu borxhin e saj ndaj shqiptarëve. Këmbëngulja për ta paraqitur natyrën e njeriut shqiptar si të zotëruar nga gjeni konfliktual është këmbëngulje raciste, që ëndërron mospranimin e shqiptarëve në familjen europiane. Dhe, natyrisht, për ta paraqitur copëtimin e Shqipërisë si një gjendje natyrore të gjërave, gjene që diktohet nga ky gjen konfliktual.
Në një intervistë të vitit të kaluar, ndër të tjera, ju jeni shprehur se “marrëveshja është trimëri, mosmarrëveshja është burracakëri”. Ndërkohë që shoëria shqiptare në tranzicion përjeton një klimë të trazuar konfliktuale në shumë rrafshe; cilat janë rrugët kryesore për kapërcimin e kësaj gjendjeje, si të thuash, për shndërrimin e burracakërisë në trimëri?
Ismail Kadare: Për fat të keq, në Gadishullin tonë të Ballkanit ka një moskuptim tragjik për atë që quhet “heroizëm” ose “kulturë heroike”. Shpesh herë si e tillë është paraqitur kultura e ashpërsisë, e kryeneçësisë, e grindjes. Mosmarrëveshja interpretohet shpesh si pjesë e “kulturës heroike”, kurse mirëkuptimi, marrëveshja, si ana e kundërt e tij. Këtë zanafillë të mbrapshtë të kuptimit të gjërave, një hap e ndan pastaj nga kultura e krimit. Po të hetohet historia ballkanase e shekullit XX do të vërehet se ka vite kur kultura e krimit, e paraqitur si kulturë heroike, është bërë zotëruese. Shembulli më i skajshëm i saj u duk në dhjetëvjeçarin e fundit të këtij shekulli kur krimi serb e përgjaku një pjesë të Ballkanit. Keqkuptimi lidhur me “kulturën heroike” gjendet, padyshim, te të gjithë ballkanasit, duke përfshirë edhe shqiptarët. Më i madhi shkrimtar i gjallë i Francës, Julien Gracq, në një artikull për ngjarjet e Kosovës, ka shkruar se janë të rralla trevat ku përdoret ende shprehja “do të vejë gjaku gjer në gju të kalit”. Në semantikën poetike të ballkanasve shprehje të tilla ndryjnë egërsinë latent, e cila një ditë mund të shpërthejë. Ne shqiptarët nuk jemi të përjashtuar nga një mundësi e tillë. Në qoftë se kjo nuk ka gjetur shfaqje në sulmet pushtuese ndaj popujve të tjerë, kjo s’do të thotë se ajo nuk ekziston. Prirja jonë për përçarje e mosmarrëveshje mes veti nuk është veçse prologu për keqkuptime më tragjike, që, nëse nuk frenohen, mund të çojnë në katastrofa. Ngjarjet e vitit 1997 kanë qenë paralajmërim për këtë. Rruga për kapërcimin e kësaj, me fjalë të tjera rruga për ta konsideruar marrëveshjen dhe kërkimin e harmonisë si akt heroik, dhe e kundërta, konsiderimi i grindjes e i kërkimit të konfliktit si burracakëri, është e gjatë, por jo e pamundur. Kjo kulturë e re duhet të jetë vepër e përbashkët e shoqërisë së hapur, e institucioneve demokratike, e opinionit publik dhe e mbarë kulturës, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës: letërisë, arteve, sistemit të edukimit. Për fat të keq, pikërisht atje ku ky aksion mund të niste më dukshëm, te klasa politike, atje dhe jepet shembulli më i keq. Parlamenti, krerët e partive, në vend që të rrezatojnë shembuj pozitivë, bëjnë të kundërtën.
Si janë pasqyruar në letërsinë shqiptare të dhjetëvjeçarit të fundit konfliktet ndërmjet shqiptarëve dhe përpjekjet e tyre për mirëkuptim dhe harmoni.
Ismail Kadare: Nuk besoj se një edukim i tillë mund t’i lihej për barrë letërsisë. Letërsia e ka veprimin e ngadaltë, të tërthortë, veç kësaj, me prirjen drejt dramacitetit dhe pasqyrimit të konflikteve, letërsia, pa një mbështetje nga faktorët e tjerë, mund të luaj një rol të kundërt. Me fjalë të tjera, ne mund ta kërkojmë edukimin imediat nga një letërsi e thjeshtë, didaktike, moralizante, por jo nga letërsia e madhe. Kemi këtu një kundërthënie të fortë: letërsia e madhe, duke qenë një thesar shpirtëror i klasit të lartë, vështirë se mund të shërbejë si mjet edukimi imediat. Kurse një tjetër letërsi, më e thjeshtë, (duke përfshirë këtu edhe letërsinë për fëmijë), e kryen atë për bukuri. Për artet e tjera është e njëjta gjë.
Një nga vlerat kulturore më të spikatura të shqiptarëve është toleranca ndërfetare. A mund të shpresojmë se një tolerancë e tillë do të shërbejë si model shpresëdhënës për të kapërcyer gjithë gamën e konflikteve që tensionojnë marrëdhëniet në shoqërinë shqiptare të ditëve tona?
Ismail Kadare: Duke e çmuar tolerancën fetare si një vlerë madhore morale të popullit tonë, nuk besoj se mund të shpresojmë në modelin e saj për kapërcimin e konflikteve të tjera. Toleranca fetare ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë ndikim në tolerancën ndëretnike, gjë për të cilën shqiptarët, gjithashtu, mund të quhen ndër popujt më të emancipuar në gadishull. Përsa i përket soditjes së një fryme të brendshme qytetëruese, kjo siç e tregon vetë fjala, është pjellë e qytetërimit. Ndërrimi i institucioneve, një ndryshim i vizionit ndaj shtetit demokratik, një ndarje nga tribalizmi, nga një frymë klanike, këto e të tjera si këto janë disa nga faktorët që do të sjellin emancipimin e gjerë të njerëzve, shndërrimin e tyre nga banorë të katundeve ose të qyteteve, në qytetarë në kuptimin e madh të fjalës. Shqiptarët, ndonëse rrënjës në Ballkan, i kanë tiparet e emancipimit. Që ata kanë nxjerrë prijësin më europian të gadishullit, është e rëndësishme. Por shumë herë më e rëndësishme është që ata e pranuan të si modelin absolut të prijësit. Kjo të jep shpresë.
Publikuar për herë të parë në revistën ‘Pajtimi”, nr.2, prill-qershor 2002 si dhe në të përditshmen ‘Shekulli’.