Cikël poetik nga Lulzim Tafa
Kohët
Vetëm thonjtë mbeten thonj
Ditë e nesërme na sill diçka të re
Se me të vjetrën u përgjakëm.
Të dielave mos më thirr më
Të dielave mos më thirr më
Mund të mos zgjohem
Përjetë të rri në gjumin e vdekjes.
Mos i harro çastet e ngrira
Veç të dielës zgjidhe ditën tënde.
Për ty kur të vdes
Pas shtatë bjeshkëve të ta gjej emrin
Ah si nuk vjen ditëve të tjera.
Kur të vdes
Kur të vdes
Mos qaj e dashur
Të kam tradhtuar
Me çupat e planetit tjetër.
Kur të vdes, mos qaj motër
E ngas gjokun e Gjergjit
Me bajlozë deti.
Kur të vdes, mos qaj nënë
Veç jepu gji
Këtyre
Metaforave
Të pikëlluara
Si mua dikur…
Vdekja çon fjalë
Unë do vritem në këtë luftë
Për secilën sumbull
Të xhamadanit
Do ta marr nganjë plumb
Dhe secila pikë gjaku
Do të bëhet sumbull
Në këmisha dhe xhamadanë
Të ushtarëve dhe kapedanëve
Të mi.
1997.
Territoret e lira
Ishin territoret e lira
Dhe ishim ne
Dita e gjatë dhe e lumtur
Ne putheshim nën një mollë
Papritmas filluan me raketa
Territoret e lira
I bënë territore të shkreta
Të shkretë u bëmë edhe ne
Tani athua
Kush puthet atje
Nën atë të shkretën mollë.
1998.
Raport nga Kosova 1999
Këtu nuk shkelen të drejtat
Dhe liritë e njeriut
Këtu shkelen vetëm kokat.
Kryetrimi
Heroin e kishin rrethuar
Nga të gjitha anët
E ai ngujuar në kullë
Me një rrospi
Bënte seks
I dëshpëruar thellë
Nga historia
Që s’do ta kapë kurrë
Lahuta as çiftelia.
Idil
Sapo të pashë
Më mbetën sytë
Më mbetën buzët
Në buzët tua
I tëri
mbeta në ty
E tëra
mbete në mua.
Ekspozitë me ëndrra
Në Galerinë e Arteve
Së shpejti kam me hap
Një ekspozitë me ëndrra
Dhe keni me pa
Si kam me i shky sytë
Njerëzimi
Dhe ka me luajt mendsh
Kritika.
I kam edhe dy fjalë
Ngadalë
Se i kam edhe dy fjalë
Dëshiroj të takoj vrasësit
dhe t’i pyes:
Pse na kanë vrarë?!
Prishtinë, qershor 1999.
Marrë nga përmbledhja poetike “I kam edhe dy fjalë”.