Albspirit

Media/News/Publishing

Naime Beqiraj: TEKI DERVISHI, INTELEKTUALI UNIK E SHKRIMTARI BRILANT

Disa njerëz vijnë në jetën tonë si mësim e disa vijnë si bekim. Këtë mendim të Nënë Terezës do të mund ta sillnim në kujtesë në përvjetorin e dhjetë të ikjes nga ditët e “Bregut të Pikëllimit”.
Të lexohet Tekiu, është jo vetëm përjetim artistik, është mësim.
Tekiun e kujtoj si shkrimtar të cilin e kisha lexuar herët, por edhe si shef në gazetë. Asokohe, gazetarë të rinj, na kërkonte me ngulm që teksti – për të qenë i bindshëm duhet të pasurohet edhe me të dhëna e fakte, prandaj kur i dërgonim për redaktim, nuk përtonte të na e thoshte kur nuk përjashtohej nga cilësia. Ai insistonte të mos shkruhej shkel e shko sic bëhet sot në media e disa portale. Ai dinte të ishte qortuesi deri në piskatje por edhe urtaku që nuk përtonte të të bëhej daktilograf e t’ia diktoje reportazhin në muajt e luftës në Kosovë, atëherë kur në redaksi kompjuterët ishin të zënë dhe koha për ta dërguar gazetën në shtyp matej me minuta.
I dashtun e madhështor, shkrimtari e njeriu suprem të bënte të skuqeshe dhe tekstin që ia dorëzoje ta konsideronte vepër, ndonëse punonim në gazetë ditore dhe ai tekst mund të vjetrohej që të nesërmen.
Teki Dervishi shkrimtar, publicist, mik apo një kohë shef, nuk mund të ndahet ashtu siç mund të ndaheshin të tjerë që nuk e marrin ajrin e ksobotshëm. Ai do të mbetet intelektuali i pa kompromis, shkrimi, mendimi, guximi dhe stili unik.
Tekiu, është më e pakta të thuhet që i mungon hapësirës sonë.
Ne, që erdhëm si brez i ri i shkrimit, na mësoi të mësonim, të guxonim, të donim, të rebelohemi aq sa të mos bënim kompromis me të ligën, injorancën, mungesën e lirisë e përplot virtyte të cilat i dëshmoi me veprën e tij të vëllimshme, ashtu si edhe me personalitetin e tij të pashoq. Ai na mësoi t’i ruanin idealet njerëzore e shkrimore e të mos këmbeheshim për asnjë çmim rroge, yshtje a karriere. Është rast unik në kulturën e artin shqiptar, që qysh në moshë të re, një emër siç ishte Tekiu, tu prijë proceseve jo vetëm letrare me të cilat do tu ndris atyre publicistike, reagimit intelektual e qytetar e në mënyrë të veçantë reagimit njerëzor e kombëtar.
Për herë të parë, këtë vit po ribotohen veprat e Teki Dervishit. E nderuar sa s’ka që jam pjesë e Këshillit të Librit të MKRS të Kosovës ku u vendos njëzëri që të financohet nga shteti kolana e parë e veprave të tij, ndër to edhe kryevepra “Bregu I pikëllimit”. Të shpresojmë, të botohet vepra e plotë e këti, shkrimtari për të cilin Ramadan Musliu shkruan se është kapitull me vete në letërsine shqipe ende i pazbardhur dhe pa e vënë në vendin e vet si madhështi letrare, kulturore dhe i disidences shqiptare të kohës.
Please follow and like us: