Albspirit

Media/News/Publishing

Vaid Hyzoti: NDAJ MBUSHEM ME THINJA

 

 

 

Më pyet, se ç’dua të më sjellësh nga Shqipëria

Dhe unë mbetem i mekur…

Është mal i lartë i përmalljeve të mia,

Populluar në çdo brinjë

Me të gjallë e të vdekur…

 

Të them të shkosh në derdhjen e lumit të vendlindjes,

Ku humba një palë sandale të Nish Gomës tek notoja,

Dallgët, flluckat e frikës, tek përpëlitesha i trembur,

Kur lumin me detin

Doja të bashkoja.

 

Të më sillje një peizazh nga bedeni i kalasë

Dhe horizontin përreth mbushur me ëndërrime…

Të përkëdhelje dhe me gishta të mbuloje një plasë

Nga malli i përbashkët

I imi dhe shtëpisë sime.

 

Të ecje një copë rrugë me këmbë ndanë korijes,

Aty ku putha një vajzë, fshehur në zabel…

(Pse vallë ma the, se korija është zhdukur.

Veç putana dhe kodoshë

Hynin në motel)?

 

Të shkoje në shkollë dhe në fakultet…

Gjithkund  ku kam  unë kujtimet e mia…

Pse më thua nuk gjete gjurmë as në tokë, as në det?

Jam i saj

Dhe është dhe e imja Shqipëria?

 

Kam patur ca miq që shkruanin dikur, m’i sill!

Më thua qenë rënduar, ngarkuar me lavdinë.

S’më mbanin mend dhe me hipotekë

Kishin pronësuar

Tërë letërsinë!

 

…dhe për mallin tim vendose të më sillje

Vetëm një stekë me paketa.

Po ti e kuptove-si vallë e dije,

Këto cigare për mua

Janë tymim për eshtra.

 

Eshtra kujtimesh që djeg çdo ditë,

Eshtra të ditëve të mia…

S’e merr era hirin.

 

Ai del në flokë,

Ndaj njerëzit e plakur

Mbushen me thinja!

 

-New York, 2015-

Please follow and like us: