Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Demiraj: Përshëndes SPAK për operacionin ndërkombëtar!

Përshëndes përfundimin e suksesshëm të operacionit ndërkombëtar “Shpirti”, i cili mundësoi arrestimin e 38 personave, anëtarë të katër grupeve kriminale që trafikonin lëndë narkotike në Itali, por edhe njerëz të cilët janë denoncuar vazhdimisht nga opozita si persona tê përfshirë në trafiqe dhe jo vetëm.

Ky operacion u bë i mundur nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), falë një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me prokurorinë antimafia të Italisë dhe të koordinuar me Eurojust-in, Agjencia e Bashkimit Europian për bashkëpunimin gjyqësor në luftën kundër kriminalitetit dhe Anti Mafian Italiane DIA.

Ky operacion vërtetoi edhe një herë akuzat për përfshirjen e gjithë zinxhirit komandues të policisë së shtetit në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Kam detyrimin të sjell në vëmendjen tuaj, denoncimin e parë publik dhe kërkesën si Ministër i Brendshëm në muajin gusht të vitit 2017 për largimin nga policia e shtetit të shumë personave, të cilët ishin pjesë e listës së pjesëtarêve të policisë së shtetit të përfshirë në trafikun e drogës, e cila drejtohej nga Ministri më i “suksesshëm” i qeverisë Rama.

Megjithë denoncimet tona të vazhdueshme, përsëri pjesëtarë të kësaj liste me 128 persona, vazhdojnë të jenë edhe sot e kësaj dite në strukturat e policisë së shtetit, pasi vetëm nëpërmjet tyre mund të sigurohej bjerja e votave gjatë fushatës elektorale 2021.

Këto arrestime dhe të tjera që do të vijojnë në muajt në vazhdim në nivele edhe më të larta, konfirmojnë vërtetësinë e të gjitha akuzave të sakta dhe të vazhdueshme të opozitës.

Blerja e zgjedhjeve me paratë e drogës është një fenomen i cili u projektua që në vitin 2016, u vazhdua në vitin 2017 dhe fatkeqësisht u zbatua përsëri edhe në vitin 2021.

Pavarësisht përdorimit të këtyre parave, presionit për heqje nga puna, keqpërdorimin e aseteve shtetërore, aktivizimin e elementëve kriminalë në fushata, përsëri Partia Demokratike dhe lidershipi i saj kanë denoncuar dhe do tê vazhdojnë të denoncojnë këto shkelje, të cilat janë bërë pengesë kryesore për integrimin europian të vendit tonë.

Periudha maj 2017-shtator 2017 tregoi se ku ka vullnet politik dhe kur drejtuesi i MPB nuk është i përfshirë në aktivitete tê paligjshme, në brigjet e fqinjëve tanë nuk kaloi asnjë ngarkesë me drogë.

Një gjë është e sigurtë edhe pas këtyre arrestimeve se Shqipëria vazhdon të jetë e mbushur me fusha kanabisi, fakt i cili dihet nga të gjitha agjensitë ndërkombëtare të sigurisë dhe qê përbën një shqetësim të madh për qeveritë e tyre.

Pronarët e vërtetë të këtyre “fushave” dhe “fabrikave” të mbyllura janê deputetët e mazhorancës, kryetarët e bashkive, kryetarët e komunave, drejtorët e qarqeve të policisë, shefat e komisariateve dhe patronazhistët e PS, të cilêt së bashku kontribuan edhe gjatë kêtyre zgjedhjeve në grabitjen e vullnetit të popullit Shqiptar për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Si përfundim, renditja e Shqipêrisë si vendi me prodhimin nr-1 në Europë pêr kanabisin dhe trafiqet e drogës, nr-2 në botê për korrupsion, vrasjet e përditshme, mungesa e rendit e ligjit dhe e marrjes së përgjegjësisë, etj nuk zgjidhen me “ristrukturimin” e policisë sa herë qeveria dështon krejtësisht në misionin e saj kushtetues. Ajo zgjidhet vetëm me distancimin e plotë të qeverisjes nga krimi i organizuar dhe grupet kriminale.

Please follow and like us: