Miho Gjini: In memoriam, Viktor Gjoka!
Aktori virtuoz i komedisë
VIKTOR GJOKA (4 korrik 1929–7 korrik 2007)
U nda nga jeta në moshën 78 vjeçare në Itali, ku edhe jetonte gjatë 15 viteve të fundit, aktori Viktor Gjoka. Në skenën e Teatrit Popullor ka qenë një nga figurat më interesante të komedisë, tepër i veçantë, me një fizionomi individuale gati të papërsëritshme.
Erdhi në këtë teatër nga grupet amatore, konkuroi dhe fitoi menjëherë të drejtën e ngjitjes në skenë. Qysh në rolet e tij të para u shqua për gjallëri dhe siguri skenike, si edhe për sensin humoristik të interpretimit.
Regjisori veteran Sokrat Mio, i sapokthyer nga Franca, duke vënë në skenë komedinë “Revizori” të Gogolit (premiera e së cilës u dha më 25 janar 1947), i dha Viktorit rolin e policit Zvistunov, që qëndronte gjithmonë pranë prefektit (Mihal Popit). Ky debutim, gati episodik, i shërbeu atij si një shkollë e vërtetë aktrimi. Të interpretoje atëherë përkrah Mihal Popit, për çdo aktor ishte një përfitim i madh, jo vetëm se ai kishte 30 vjet përvojë skenike, por se zotëronte, mbi të gjitha, një talent e komicitet të jashtëzakonshëm.
“Isha fare i ri, – më rrëfente Viktor Gjoka, gjatë kohës që unë shkruaja monografinë për Mihal Popin, – dhe, në njerën nga shfaqjet (si ordinancë që isha) bëra dy gabime. Që të dyja gabimet m’i fshehu me shumë sukses Mihali, i cili e zotëronte skenën me forcë sugjestionuese, duke korrigjuar shpesh edhe ndonjë “fiasko” që bënim ne”.
Fillimisht Viktor Gjoka luante në skenë vetveten, ashtu siç ishte në jetë, i zhdërvjelltë dhe hokatar. “Frika skenike” nuk ekzistonte për të. Duke punuar me regjisorin rus Kriçko, në dramën e Sofronovit “Karakter i Moskovit”, Viktori nisi të kërkojë për personazhin detaje të veçanta, sado i vogël të ishte ai. Kjo shfaqje, që u dha në dhjetor të vitit 1949, si edhe “Nderi i familjes”, që u realizua në vitin 1953, patën për të një vlerë të madhe, ngaqë kishte si partnerë aktorë kalibri, siç qenë Naim Frashëri, Kadri Roshi, Pjetër Gjoka e Drita Pelingu.
U krijua tanimë bindja e padiskutueshme që Viktor Gjoka ishte një talent i lindur në fushën e komedisë, që mund të përballej me sukses edhe me figura të mëdha. Kështu, në rivënien në skenë të komedisë “Revizori” të Gogolit prej regjisorit Andrea Malo, atij iu besua roli i Hlestakovit. Viktor Gjoka hyri në lëkurën e këtij batakçiu të përsosur, që i pillte guverna e kalbur ruse, i cili ka kurajon të përpiqet të triumfojë mbi këdo, bile edhe kundër një kryebatakçiu, si Prefekti Gorodniç. Me një lojë brilante, plot vitalitet skenik, ai u gjend këtu çuditërisht i barabartë me Mihal Popin, korifeun e skenës shqiptare, i cili, siç pohon vetë më poshtë, kishte një forcë të madhe gravitacioni. “Kur më kanosej prefekti i Mihalit, – rrëfen Viktori, – unë bëhesha sa një grusht. Vërtetësia e tij, forca interpretuese, bënte që të shtangesha e të shndërrohesha befas në një Hlestakov të vërtetë…”.
Pas këtij suksesi të padiskutueshëm, Viktor Gjokës iu dha e drejta për të studiuar në një shkollë teatrale të Bashkimit Sovjetik. Studioi në qytetin Baku, nga ku do të kthehej pas dy vjetësh, si pasojë e prishjes së marrëdhënieve me vendin e sovjetëve. Por, ndërsa të tjerë studentë-aktorë vazhduan studimet e larta të aktrimit në Tiranë, Viktor Gjoka e kishte vendin e tij “vakant” në Teatrin Popullor, ku e priste një repertor akoma edhe më i suksesshëm: “Karnavalet e Korçës” në vitin 1964 dhe “Fytyra e dytë” më 1968. Këto dy shfaqje e lartësojnë emrin e Viktor Gjokës në pozicionin e të barabartëve… Se, Nikollaq Jorganxhiu, tek “Karnavalet e Korçës”, tregoi që Gjoka ishte një aktor karakteresh, i aftë të “pikturojë” portrete të përsosura artistike. Tregtari cingun i Viktor Gjokës, i veshur aq bukur me koloritin korçar, me atë sjelljen provinciale e me atë gojëtari prej mburraveci, do të rrëfejë së fundi cakun degradues të parasë, si qëllim në vetvete dhe atë tatëpjetë të borgjezisë së vogël të provincës, të rrethuar nga injoranca e asaj kohe.
Në një plan tjetër e interpreton Viktor Gjoka personazhin simpatik të Dritëro Agollit, xha Halilin, tek drama -satirë “Fytyra e dytë”, duke na dhënë si në pëllëmbë të dorës fshatarin e zgjuar e babaxhan, që “s’ia ha qeni shkopin”. Ai është në skenë “tëpkë” (siç shprehen korçarët) njeriu i mirë i fshatit, qejfliu i trapezit, dollibashi i palodhur i “betejës me gotat e rakisë”, shpotitës e inatçi njëherësh, tërë vrulle kur e do puna dhe fare i qetë kur e “peshon muhabetin”. Ky Halil i Viktor Gjokës mbeti si një “perlë” në gjerdanin e interpretimeve virtuoze të aktorëve shqiptarë.
E shikonim Viktorin edhe në Estradën e Shtetit, tek loste me një lirshmëri të madhe skenike, edhe në film, fort i vërtetë, me role që i përshtateshin bukur, edhe në repertorin e sugjeruar nga regjisorët e teatrit, po në ato tri role që përmendëm ai ngjiti perjetësisht me personazhet e dukej si të ishin shkruar pët fizionomin e tij, me një “Vis Comika” brilante. Pra, vërtetë që u largua prej nesh Viktor Gjoka, por la pas tre “margaritarë”: Hlestakovin, Jorganxhiun dhe xha Halilin. Me këtë pasuri aktrimi, çdokush do të largohej i lumtur…Qe një mjeshtër i lindur i aktrimit! Ishte korrik kur lindi dhe po në korrik iku, duke jetuar e krijuar fare pak, për të mbetur i paharrueshm, përjetësisht i përkujtuar…E vërteta e dhimbëshme është se, do ta kishim ende këtë artist të madh të komedisë. Por atë e vranë! E vranë aparatçikët e kohës më të mënxyrshme historike. Sikundër asgjësoheshin njerëzit e atëhershëm edhe me akuzën: “degradimi moral të shpie në degjenerimin politikë”, -një nga sloganet qe çpiku Enveri për të asgjësuar njeri pas tjetrit kundërshtarët. Me një “kleçkë morale”, e nisin Artistin e Popullit Viktor Gjoka direktë e në “kazmë”sepse bëri një martesë të dytë, me një vajzë të re që e dashuronte e që më mbrapa jetoi e u mplak me të, deri sa dha shpirt, jashtë teatrit, që përbënte “paradisin” e tij! Ky ARTIST I ARTË nuk mundi dot të rikthehej në skenën e vet, që i jepte frrymën. Ai do të vyshkej si një lule e magjishme, jashtë teatrit, largë vendit, në Italinë e “Comedia del Arte” që e frymëzone e i jepte krahë talentit të tij…I hoqi Teatrit të Shqipërisë një artist të rrallë, me ato tre role modele te artit skenik, diametraklisht të kundërta, që nuk ngjanin fare me njera tjetrln e qe sot do ti kishim si referenca studimore-shkencore, që shkollarët tanë të arteve, të mësonin “të fshehtat e mjeshtërisë” nga një njeri i pashkollë të plotë, -vlerat virtuoze të të cilit i kapërcenin aftësitë natyrore e profesionale të një ARTISTI UNIVERSAL.
(Botuar në librin “SHPIRTI ARTISTIK”, Tiranë 2014)
Please follow and like us: