Bardhyl Bejo: Mbresat e projektuesit Ibrahim Emiri!
Kam lexuar një libër në formë kujtimesh 110 faqe, të shkruar nga një bashkëmoshatar e koleg imi z. Ibrahim Emiri, titulluar “Mbresa të një projektuesi”. Natyrisht që nuk kam lexuar një ‘kryevepër’. Por kam gjetur aty veten, kohën dhe shoqërinë ‘time’, të përshkruara kaq bukur nga z. Ibrahim sa nuk ka ku shkon më bukur. Dmth kam lexuar një libër të çmuar!
“Sa mirë ke bërë Ibrahim vëllai, konkludova mendimet në fund. Koha kalon e brezi ynë ikën për ‘dhjamë qeni’ në se nuk mbesin shkrime të tilla, që ende ruajnë në kujtesë jetën e brezit të tretë të sotëm. Një punë aq të bukur e aq jetësore që bëmë pa asnjë lloj interesi, përkundrazi me privacione herë-herë edhe të pavullnetshme, por përherë brenda përpjekjeve të mëdha që një brez i tëri bënte për emancipimin shoqëror të popullit të vet të varfër, të munduar, por asnjë herë të drobitur e pa dinjitet”.
Libërthi i z. Ibrahim bën fjalë për aktivitetin e tij të nderuar e të mbushur plot e për plot me përkushtim dhe arritje. Por sa keq që më vjen (për të mos thënë ‘turp’) kur kujtoja ato kohë ku edhe se vështirësitë materiale e psikologjike ishin që ç’ke me të, shpesh edhe të padurueshme, inxhinierët projektues, arkitektë e konstruktorë, bënin gjithçka, që po kjo ‘gjithçka’ të quhej shqiptare e të mbështetej në teknikë të sigurtë projektuese e zbatuese. Ndërtohej mbështetur në studime të plota urbanistike e arkitektonike, në ambient që sidoqoftë tentonte veçse të zbukuronte e pasuronte traditën e historinë.
Po kujtoj vetëm diçka që thotë autori kur projektuan e zbatuan hyrjen për në Përmet: Formulimi arkitektonik i këtij ambienti ‘Hyrja e Qytetit’ u frymëzua nga kënga popullore përmetare ‘A kan’ ujë ato burime’. Duket pak si ‘naïve’, por nuk ka gjë më të bukur e domethënëse.
Të duket si çudi kjo punë sot, kur ndërtohet qyteti e zhduket historia, kur ndërtohen rrugë e përthahet gjelbërimi, kur hidhet beton e qelbet ajri. Të duket çudi sot se si projektohej në atë kohë kur mbi tavolinë rrëshqiste mbi dy fije filispanje një rigë druri, mbi të cilën lëvizte një trekëndesh plastik dhe ashtu me laps e me tush hartoheshin qindra e mijra fletë projekti, detajet e të cilave edhe sot konkurojnë autokadin së bashku me ata që ‘ushqejnë’ autokadin.
Po, ka vetëm një gjë që nuk të çudit sot! Thjesht të neverit! Kemi pranuar ‘vullnetarisht’ të jetojmë si në një ‘kuti sardelesh’. Ja ashtu ditë pas dite, rrugë pas rruge e pallat pas pallati kemi humbur identitetin qytetar, kemi pranuar me ‘vullnetin’ tonë të na e marrin frymën, kemi pranuar vetë të jetojmë si ‘sardele’. Por në kuti ama, pasi edhe atë pak gjelbërim të periferisë na e kanë përtharë e po na e masakrojnë më tej ‘peshqit e peshkaqenët’ e mëdhenj.
Faleminderit mik Ibrahim që më kujtove se ka qenë edhe një kohë, kur edhe pse e varfër, intelekti i njerëzve të ditur dinte të orientohej e të ëndërronte, të bënte gjithçka që kishte në dorë, të dëshmonte se jeta e shoqërisë vendos për individin e jo ‘injoranca’ e asaj kohe dhe ‘poshtërsia’ e kësaj që jemi.
Le të shpresojmë se brezat që vijnë do të arijnë ta korigjojnë këtë ‘kuti sardelesh’ ku jetojmë sot e ‘helmohemi’ çdo ditë.