Albspirit

Media/News/Publishing

Claudia Picinno vjen në shqip nga Arjan Kallço

 

Lindi në Leçe në vitin 1970, por u transferua në moshë të re në Lombardi e më pas Rexho Emilia, ku aktualisht jeton. Është diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi të huaj. Mësuese, përkthyese, autore e shumë volumeve poetike, hyrjeve dhe eseve kritike. Dejtore për Europën e W.F.P, ambasadore për Italinë e W.I.P dhe e Sanat Art të Stambollit. Mes çmimeve më të rëndësishëm: “Stele of Rosetta” award në Stamboll 2016, “The Literary Awards Naji Naaman Prize” 2018, World icon for peace” Nigeri, 2017, “Global Icon Award 2020 for Writers Capital International Foundation” etj.

Librat poetikë më të spikatura të botuara nga viti 2011 me Sfinksi dhe Pierroti, Duke krasitur Euforbinë 2012, Papafingoja, me metrazh të shkurtër gjetkë 2013, Ankorim hipotetik 2017, In nome patris 2018, Nota e parespektueshme 2019. Është e pranishme në shumë antologji poetike në disa vende të botës. Përmbledhjet e saj poetike janë botuar në turqisht, gjermanisht, frëngjisht etj.

 

 

Zemërimi

 

Po të mos gjejë shtigje

apo trupa që t’i përshkojë

rrëmon tunele në shpirt

dhe si një parazit

e gllabëron.

Nëse ndonjë klithje

nuk i prin udhë vrapit

ngurtësohet dhe zë shtresa

nën rrogoz.

Nëse paqja

nuk e lë të marrë frymë

ajo bëhet tirane,

dhuron fyerje dhe helm,

e ngrin në vend sa hap e mbyll sytë, ndaj

askush s’guxon t’ia hedhë sytë.

 

 

Duke pritur pranverën

 

Ty do të të kisha shpallur Perëndinë e vetme

po të mos i kishe shkelur ëndrrat e mia,

dinjitetin tim.

U bëra fole për gjenin tënd luftarak,

e megjithatë kjo nuk të mjaftoi.

Kjo zemra ime kokëfortë

nuk e kuptoi dot shkakun,

por unë nuk bërtita,

nuk renda pas teje.

U bëra jargë kërmilli

pa guackë,

maskë buzëqeshëse e dhimbjes,

u shtira indiferente ndërsa pikoja lule.

Do ta bëj një buqetë

ndërsa po pres pranverën.

 

 

Miklim

 

Mbetet gjithmonë dyshimi

se doni ta mundoni

mendjen time.

 

Jam e zonja dhe e stërvitur

ta njoh

këtë ngjashmëri rime të përputhur.

 

S’ka pse të ekzaltohemi me hënën

për hisen që i përket diellit.

Nuk është nevoja të luajmë

me druajtjen e vjollcave.

 

Edhe ti Brut, biri im.

Gjithmonë e kam ditur

vetëm sa u shtira

se e besova.

 

Jam gati t’ju marr përdore.

Kush më ndoqi nga pas kapi majat.

Ju lutem mos më mashtroni

me penën mikluese.

 

Përdorni bojë të papërpunuar

pasi respekti nuk ka çmim.

 

 

Nota e parespektueshme

 

Ishte mbledhur kruspull atje në këmbët e tij

sy e veshë duke dëgjuar,

ndërsa shënonte runat e vjeshtës

sikur të ishte ungjill.

E kuptonte privilegjin e të folurit

duke ruajtur në peshtaf shembuj

sesi të flisje dhe të veproje

buka që shton takime,

hauzet që vlojnë nga dashuria.

Këmbënguli fati

te një grua fëmijë

që u shndërrua

në zog pule pa pendë

nga nevoja për hapa të butë

që ta fashiste vrapin

e qelizave të çmendura.

Disa fluturime

nuk i binden trajektores.

Interlud për piano

nga një kemio në tjetrën.

Mendim asinkron në notën e thyer

në atë korridor të mbushur plot

me flebo dhe këmisha të bardha.

Ndeshi në një melodi

të qetë që dilte prej preklave,

që ta neutralizonte dhimbjen,

që shkundte sternumin.

Ishin fluturat, qershitë në lulëzim,

këmbët zbathur mbi bar,

hapje të reja të krahëve,

rrokje të pranverës.

Disa trashëgimi shumëfishohen

në dërrasën e ekulibrit,

Dhimbje

Forcë dhe

Rilindje.

Nota e parespketueshme

u patentua

në mes garzash dhe manualesh

që të përhapen fjalë shprese.

 

 

Sfinksi prej guri

Pritje e pafund

në agoninë tënde.

Së bashku me frikën

në çdo sinjal të ngadaltë

të atij ekrani.

më luteshe

me sytë që t’i këputja litarët.

Unë buzëqeshja e shtirur,
por brenda meje kullonte gjak.

Druheshim

prej aromës së krizantemave

dhe të premtova qetësi

në ajër të pastër.

Tani e di që ke përqafuar

degët e pishës,

u plotësua

dëshira jote e fundit,

buzëqeshjen tënde

përsëri e takoj në erë.
Ma mjegullon pamjen

ngrohtësia e puthjeve të tua

prej tyre ruaj aureolën

sepse dritarja jam unë.

 

Nëna ime

I marri zhvishet lakuriq

në rrugë,

është po ai që qesh

me funeralet

dhe i mbështjell në kotijonet

të sharat.

Të marrit i mohohet

marrëzia,

e kanë mbyllur me çelës

në vigjilje të Krishtlindjes

që të mos ia recitojë

paqen e përjetëshme

Foshnjëzës.

I marri këndon në çdo kryqëzim,

manovron trafikun

e zogjve migrues

dhe nëse ti

e thërret

kthehet vetëm me nofkat:

“Kryqi i përjetshëm

Shtatë bukuritë

Psitoleri

Kitaristi”.

I marri flet

me televizorin,

i ngjyen syzet në pure’

dhe nëse e humb rrugën…

çdo grua që takon

e quan : “Nëna ime”.

Ekziston, unë e di

 

Pse çdo takim ka përsenë e vet

por neve nuk na thuhet që  ta mësojmë:

Pse një furtunë na shtyn nën të njëjtën strehë

në një ditë çfarëdo e nuk na tregojnë që ta mësojmë.

E pyeta veten duke mos pranuar fjalët e pazakonta

por mendimi për ty më kthehej i pandërprerë.

Ekziston, unë e di, një diafragmë etike që na izolon

në lëvizjet e një mendjeje të ndritur

dhe të një shpirti të rraskapitur nga zhgënjimet e lashta.

Për atë cipë të hollë ia mbylla gojën bojës

por prepotente kthehet forca e saj zbrujtëse

që të mbjellë shpresë para se apatija

të na zhytë në errësirë.

 

 

Si një kalë pa frerë

U dorëzua kjo zemra ime

si një kalë pa frerë,

në një vrapim me pengesa

e humbi trajektoren

duke mbjellë furtunë.

E mbyllur në vathë

me mëzat e çmendur

nuk i dorëzohet kohës

që përparon dhe

jelen ia ka zbardhur.

Asnjë shqytar nuk i qëndroi besnik,

asnjë roje.

Ushqehet me luleshqera të egra

dhe nuk i kujtohen më trëndafilat.

 

Përktheu Arjan Kallço

Please follow and like us: