Cikël poetik nga Arjan Kallço
Janë të pafajshme lotët
Janë të pafajshme lotët e pranverës
në sytë e fëmijës kur shndritja e diellit
i afrohet dritares.
Shkëlqimi i tyre ngjan me perlat
e sapolagura nga deti në breg
të ngecura në rërën lodruese.
Nëna e thërret në emër, i papagëzuar:
o yll, o diell.
Dialogu me gjuhë të pashprehur bëhet i besushëm.
Janë të pafajshme lotët e pranverës
në sythet e sapoçelura të mollës
hezituese. E plakur nga vitet
ngrihet e pafuqi me shpresën e pashuar.
Kërkon dhe ajo hisen e vet
në buzëqeshjet jetëdhënëse.
Shpejt do të lidhë përsëri kokrra.
Ringjallja është mohimi i dimrit dembel.
7 prill 2021.
E dua lakuriqësinë
E dua lakuriqësinë e përkohshme
të jetës.
Vetem për pak kohë ama.
Ndryshe
po u bë qyrk s’të shqitet nga vetja.
I mbyllur në vetvete i hap dyert kafazit
të pengmarrjes.
Ditëve do të brehesh nga dilemat
që edhe nata dot nuk t’i fshin.
Çdo dëshirë që gëvrvisht
edhe pse përciptazi plagët
kumbon relative.
Sytë s’e durojnë dot dhimbjen
nga mungesat e ngjyrave hokatare.
Lutjet s’ndalen.
Vonesat janë tranzicion i pakëndshëm.
6 prill 2021.
Dinamikë
Flladet e vakta të pranverës
jashtë frymojnë me ajrin e pastër
të mëngjeseve të prillit.
Dinamika që premtojnë hope.
Liria është më pranë se kurrë
e sigurtë, edhe pse me duar të mpira.
Natyra nuk i mohon krijesat e veta.
Mendja është në pritje të ftesës
për ta shkundur përtacinë fodulle.
Shpirti i shtëpisë së gurtë, ku unë rri
prej dimrit të gjatë ende i ngritë.
5 prill 2021.
Shilarësi
Ende e kam në mendje
atë shilarës të thjeshtë
me një litar të marrë hua gjyshit
e një jastëk gjyshes me kashtë.
Prisnim të bujtte pranvera e gjorë
ashtu çalë çalë
një hap dje, një hap sot.
Pas dritaresh përkundnim ëndrra
perden shpesh e hapnim nga pak.
Hapësirë e vogël oborri, e dashur,
aty lëvizte gjithë bota jonë,
kur na mblidhte bashkë.
Kohë që dertet i ka pasionet e saj.
E pashpirt trazon edhe hovet tona.
Qielli kaltërosh me buzëqeshje të ngrirë
tundte fijet e fatit pazgjidhmësisht
të lidhura me kujtimet e mia.
4 prill 2021.
Me tre zëra
Një zog mbi pemët lakuriqe
më qëndronte mu përballë.
Ia mori shtruar këngës së panjohur
e notat e zërit kumbues në mëngjesin
e shurdhët
më fëshfërimën e erës
u përzjenë ngadalë.
Bashkova dhe unë zërin tim
i prekur nga një harmoni hyjnore.
Shpejt thurra tekstin me fjalët e pranverës
me lulet e bardha të kumbllës hodha ngjyrat, e
më pas mendova, a nuk ndodh
gjithmonë në trini mrekullia?
3 prill 2021.
Apologji pranverës
Vrapove të kapje ditët e tua
mbetur të fiksuara në kalkulime
të menduara hollë.
Hilet të gjitha stinët me ty i bëjnë.
Në skajet e horizonteve brumat
e tokës ishin ndryshkur.
Ftohtësia fishk çdo qelizë të vetmuar.
Koha nuk të mbërtheu dot
në boshtin e vet të palëvizshmërisë.
Jeto tash jetën tënde, moj pranverë!
2 prill 2021.
Tjetër bardhësi
Ditët e rreme ndërsa prisnim
pranverën sikur u davaritën.
Bile ndezëm dhe zjarre
si për ta yshtur sa atë më shpejt.
Ndonjë lule e freskët që fluturonte
nga vendet e ngrohta dhe binte
mbi bahçe, ma shtonte shpresën
se borërat shpejt do të shternin.
Pranvera tash po godet
me tjetër bardhësi.
Të kundërtat nuk janë më në luftë.
1 prill 2021.