Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Demiraj: NGRITJA DHE RËNIA E SHTETIT ISLAMIK

Ph.D Dritan Demiraj, “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, anëtar i Këshillit të Vatrës, sjell para lexuesit librin e tij më të ri “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik (ISIS)”. Në një rrëfim për ‟Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Ph.D Dritan Demiraj deklaron se në dritën e zhvillimeve të sotme, në përfshirjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-ve në teatrin e ri të krijuar post-ISIS, si dhe në rikthimin strategjik të Rusisë në Mesdhe, është krijuar një hartë tërësisht e re e përplasje mes fuqive të mëdha dhe e interesave të tyre politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe gjeo-energjitike, për të cilën mund të themi se kjo situatë e krijuar nuk mund të ketë luftë të tërësishme pa SHBA-të dhe paqe të plotë pa Rusinë.

ZHVILLIMET DRAMATIKE TË PRANVERËS ARABE DHE KRIJIMI I ISIS-IT

Librin “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik (ISIS)” kam filluar ta përgatis që në vitin 2014 dhe ka përfunduar në vitin 2017. Ky libër është një nga studimet më profesionale dhe nga të parat në Europë dhe vlen të theksohet se në mbi 700 faqet e tij flitet për të gjitha detajet e origjinës së Shtetit Islamik në Irak dhe jo vetëm. Në vitet 1960-70 në Lindjen e Mesme ishte krijuar bindja se nuk ka luftë pa Egjiptin dhe paqe pa Sirinë, duke nënkuptuar këtu Izraelin dhe atë korrelacion gjeopolitik që mbajti stabilitetin e militarizuar të Lindjes së Mesme, që nga viti 1973 deri në fillimin e të ashtuquajturës “Pranverë Arabe”. Në dritën e zhvillimeve të sotme, në përfshirjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-ve në teatrin e ri të krijuar post-ISIS, si dhe në rikthimin strategjik të Rusisë në Mesdhe kryesisht në Siri por dhe planet për zgjerim strategjik në Libi dhe Egjipt, duke na çuar në përfundimin se si rrjedhojë e zhvillimeve dramatike të pranverës arabe e deri tek krijimi i ISIS-it, është krijuar një hartë tërësisht e re e përplasje mes fuqive të mëdha dhe e interesave të tyre politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe gjeo-energjitike, për të cilën mund të themi se kjo situatë e krijuar nuk mund të ketë luftë të tërësishme pa SHBA-të dhe paqe të plotë pa Rusinë.

KALIFATI ISLAMIK NË MOSUL

Gjatë kapitujve të këtij libri, jam ndalur për të analizuar me kujdes krijimin e të ashtuquajturit Kalifati Islamik në Mosul në vërin e vitit 2014, përshkrimit të figurës të të ashtuquajturit Kalifi Abu Bakr al-Bagdati, edukimin e tij fetar, femijërisë, kontekstin social dhe familjar në të cilin ai u rrit, mbështetja për studimet dhe familjen e tij pas rënies në luftë të vëllait të madh si ushtarak në përkrahje të regjimit të Sadamit dhe konsiderimit të tij si dëshmor i Irakut. Përshkrimi i jetës së tij të mëvonshme deri në momentin që ai i prezantohet botës si drejtuesi i Kalifatit të Ri është i vëmendshëm deri në detaje të shpjegimit të aftësive dhe të dobësive të këtij subjekti sa enigmatik aq edhe interesant. Më pas kam përshkruar me detaje strukturën e Kalifatit, institucionet e tij piramidale, komandat e tij qëndrore, rajonale dhe shtrirjen e tyre horizontale nga Siria në Irak, si dhe natyrisht ngarkesën dogmatike ideologjike të individëve që përbëjnë Kalifatin, të liderit të tyre kalifit Ibrahim dhe ideologjisë së tyre unike, e cila në fakt është edhe kërcënim për vetë vendet arabe dhe ato Islame.Më pas kam bërë një analizë të gjerë gjeopolitike të kushteve dhe të parakushteve ku zhvillohen këto ngjarje epokale, të aktorëve shtete të orës së parë, atyre që kanë një rol mbështetës dhe të kundërshtarëve reciprokë, si dhe aleatëve të lëvizshëm në bazë të interesave të tyre tipike për luftërat e pista dhe të bazuara në interesa.

KUR SADAM HYSEIN PËRPLASEJ ME AMERIKËN

Në këtë libër ka shumë informacion, i cili fillon me përgatitjet e Sadam Hysein-it kundër pushtimit amerikan, fillimin e konfliktit në muajin prill 2003 e deri sot në fund të vitit 2017. Gjatë përgatitjes së këtij libri nuk është përdorur asnjë informacion sekret. Prej më shumë se tetë vitesh këto informacione i kam grumbulluar nga mediat më prestigjioze të botës, nga eksperienca e drejtimit të misioneve luftarake në këto zona, leximi i qindra librave dhe artikujve online, literaturë që më është mundësuar në shumë biblioteka të NATOs, seminaret ndërkombëtare, konferencat shkencore, leksionet dhe takimet jashtë shtetit veçanërisht në SHBA, Qëndrën e Studimeve të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani, Universitetin e Përbashkët të Forcave Speciale në Tampa, Florida në USA, Universitetet amerikane, “sitet” ndërkombëtare, kanalet televizive, lajmet e përditshme, nga shikimi dhe analiza e qindra orëve të filmave të publikuar në you tube, në televizionin Zaëra, Al-Jazzera, Turkish CNN, BBC, CNN, ABS Neës, etj rreth SHI, bashkëbisedimin dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe mësimeve të nxjera me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, me kolegë të forcave speciale që kanë marrë pjesë në misione në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri, etj të cilëve ju shpreh mirënjohjen më të lartë.

SHTET GANGSTERËSH, AVENTURIERËSH, TË ÇMENDUR DERI NË EKSTREM

Në këtë libër jepet një përshkrim i hollësishëm të natyrës së dhunës mbi të cilën bazohet Kalifati. Dhuna e cila ka ardhur si rrjedhojë e një sërë faktorësh që kanë çuar në ndryshime të pakthyeshme në jetët e qytetarëve të këtyre rajoneve, të luftrave që kanë prishur shtëpitë e pasuritë e tyre, të humbjes së pronave dhe të jetëve të qindra mijëra njerëzve, të fëmijëve që kanë lindur në luftë, të atyre që u rritën në luftë dhe atyre që humbën detrave apo rrugëve teksa përpiqeshin për t’u bërë refugjatë në Europë, aty ku i konsiderojnë për shkak të propagandës të gjithë terroristë sepse vinë nga territoret ku është krijuar i ashtuquajturi Shteti Islamik duke ngatërruar Islamin, një Besim të shtrirë në të gjithë njerëzimin, me një të ashtuquajtur shtet gangsterash, aventurierësh, të çmendur deri në ekstrem, me një ideologji tërësisht të çartur, e cila shkatërron gjithçka që gjen përpara.

BURIME TË NATYRËS OPERATIVE DHE INTELIGJENCËS

Ky libër është pjesë e kolanës së çështjeve të sigurisë, mbrojtjes dhe terrorizmit në Lindjen e Mesme, të vetmet të botuara deri tani në gjuhën shqipe, e cila është vlerësuar si njëpërpjekje kurajoze dhe serioze me referenca akademike dhe burime të natyrës operative dhe inteligjencës të fituara nga autori drejtpërdrejt në terren, i cili ia vlen ta lexosh dhe studiosh. Ky libër vlen jo vetëm për ata që merren në përditshmërinë e tyre me çështje të natyrës politiko-ushtarake-diplomatike-inteligjencës dhe të sigurisë, por dhe të atyre që kanë dëshirë të informohen nga një këndvështrim ndryshe nga ai mediatiko-propagandistik për këto ngjarje epokale të kohës që ne jetojmë. Ky libër ka vlera analitike dhe krahasimore historike në të ardhmen, kur brezave të ardhshëm do t’i duhet të studiojnë nëpër shkolla apo universitete, pas disa vitesh apo dhe dekadash, kur njerëzit do të jenë më të ftohtë në raport me ndryshimet e kësaj kohe dhe pasojat që këto luftra do të kenë pasur mbi njerëzimin.

NJË STRATEGJI TË QARTË KUNDËR SË KEQES

Të gjitha burimet e informacioneve janë shënuar me “fusnota” në fund të çdo faqeje dhe nuk ka asnjë burim anonim informacioni. Kryengritësit e SHI, al-Qaedës, al-Nusras, etj nuk kanë asnjë mundësi që të mësojnë nga ky libër, me përjashtim të asaj që duhet ta kuptojnë se janë çdo ditë të monitoruar, TTP-të e tyre po analizohen çdo ditë, ata duhet ta kuptojnë se jemi të gatshëm të përballemi seriozisht dhe fuqimisht me ta për t’i shkatërruar dhe se kemi një strategji të qartë se si duhet t’i mposhtim përfundimisht./gazeta dielli

Please follow and like us: