Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: In memoriam, At Pjetër Meshkalla (26)

2021, VITI AT PJETER MESHKALLA S.J.

 (1901 – 1988)

120 VJETORI KUR U Lé N’ SHKODER I MADHI AT MESHKALLA! 

                                      

 

                                                                  

KUR VIZITOI EKSPOZITEN TIME TË PIKTURËS…

 

 Ishte fundi i Qershorit 1966, pra 10 vjetori i maturës sime…

Nder vizitorët e Nderuem ishte aty edhe Pader Meshkalla.

Ai merrte pjesë në të gjitha fushat e jetës dhe me kompetencë fliste për ato. Horizonti i dijes së Tij ishte i pakufi.

Gjatë bisedës më foli për përshtypjën e mirë që kishte krijue në ekspozitën e pikturës, që pak ditë para kishe hapë unë dhe Ai e kishte vizitue, madje, edhe në librin e përshtypjeve kishte shkrue konsideratën e Tij, ashtu si edhe Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani, At Gegë Lumaj, At Aleks Baqli, etj.

Kur njeriu ndigjonte prej Tyne mendimet per artin e në këte rasë flas per artin tonë kombtar, ndigjuesi harronte se asht tue ndigjue një klerik që me kompetencë shpjegonte anën e saj të shkelqyeshme artistike, të shpjegueme në detaje. Nuk më ikë asnjëherë nga mendja pershtypja e Tyne per portretin e Dr. Federik Shirokës, per të cilin ruenin edhe kujtime personale. Doktori kishte plot 10 vjet që nuk jetonte, po veprat e Tij kishin mbetë të pashlyeshme në kujtesen e shkodranve…

Unë i tregova një grafikë të paekspozueme në të cilën kisha punue Krishtin e vdekun në vitin 1961. (Asht ajo vepër që u vue ma vonë në kopertinën e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës së Tij në Shqipni me 23 Prill 1993). Pader Meshkalla u kënaq tue e pa dhe menjëherë të nesërmen më solli një album të jetës së Krishtit të punuem me akuarel nga një piktor anglez, që kishte shkue piktori me e punue në Palestinë shumë vite ma parë.

Bashkë me këte album më solli edhe një fletore me disa poezi të shkrueme prej vetë Meshkallës, që menjëherë unë fillova me ba ilustrimet e tyne. E kujtoj mirë kerkesen artistike të Tij.

Vinte pak ma shpesh ato ditë mbasi kishte shumë pretendime në fushen artistike, të cilën e njihte shumë mirë; si në letersi, pikturë, muzikë. Nuk kënaqej me pak! Prej Tij unë ruej një këshillë: “Me kenë kërkues i së bukres deri në fund!”, – pra, kambngulja  ishte tipari dallues i Tij. Më diftonte se si poezinë “Hipokrizia” e kishte punue kater herë, e me të vërtetë, ajo poezi asht shumë e bukur për mos me thanë që asht ndër ma të bukrat, ose ma mirë me thanë, ndër kryeveprat e Tij. Fatkeqsisht “revolucioni kultural i 1967” kje shkatrruesi i gjithshkaje në kulturen Shqiptare, ku At Meshkalla u burgos… Pader Meshkalla, mbasi doli nga burgu i Burrelit, aty nga fundi i vitit 1961, pak vite prej jetës së Tij i kaloi bashkë me Nanën, në shtëpinë e kushrinës së vet, Ganxhës, në rrugën e njohun Ballabane, që shumë shpejt u ba qendër pelegrinazhi për të gjitha moshat dhe për të gjithë shkodranët pa dallim Feje. Vepra e paharrueshme e Tij asht puna e palodhun me rininë me të cilën Ai ishte i pakursyem, i patremun, korrekt, i dashtun, i papritueshëm, i përvujtë, gjithmonë buzagaz, Meshtar e Pishtar i vertetë i dijes dhe i atdhetarizmit deri në fundin e jetës së Tij. Në Shkodër, kush nuk e kishte ndigjue emnin e këtij Meshtari, që nuk shihej asnjëherë as ndër Kisha, madje, edhe as tue thanë meshë, se jo ma tue predikue?

I vetmi vend ku Ai nuk mungonte kurr, ishte pjesmarrja nder funerale pa dallim Feje… Dhe, të gjithë kalonin pranë Tij…

Njoftë e panjoftë të gjithë kishin nevojë per pershndetjen e Tij…

 

Shenim F.R.: Nder punimet grafike të ekspozueme, At Meshkalla kishte pelqye “Vlonë 1912”, punue në vitin 1962. Unë i dhurova një kopje.

Pak ditë para arrestimit të Tij në 1967, ma kthej punimin per mos me më sjellë pasoja, mbasi e dinte se shpejtë “do ti kontrollohej shtëpia…”.

Dhe, me të vertetë ashtu ngjau. Doli parashikimi i Tij…

 Melbourne, 9 Korrik 2021.

                                

Please follow and like us: