NJË FAMILJE HEBREJE GREKE E AMERIKËS NË KËRKIM TË RRËNJËVE TË SAJ SHQIPTARE
Nga Altin Raxhimi
Këtë verë bëhen pesë vjet prej kur e pata intervistuar studiuesen amerikane Annette B. Frommin për një artikull mbi hebrenjtë shqiptarë. Gjatë bisedës, ajo më pati përmendur se si, në të kthyer të shekullit XX, një adoleshente hebreje, motra e gjyshit të saj, kishte braktisur familjen për një shqiptar mysliman nga Filati, qyteza malore në Greqi, një hap larg nga deti dhe nga kufiri me Shqipërinë.
Familja e saj mbajti shiva—shtatë ditë zie—dhe kujtimi për të u shua. Asnjërit prej anëtarëve të familjes nuk iu lejua të mbanin kontakt më me të. Hallëmadhja mbeti pa emër dhe u tret.
Frommi është marrë me studime si për tekstilet e aborigjenëve të Shteteve të Bashkuara ashtu edhe për kulturën materiale të hebrenjve të Greqisë. Ajo ndihmon me redaktimin një reviste akademike të quajtur Sephardic Horizons (Horizonte sefardike), e cila trajton botën e hebrenjve të Mesdheut lindor, botë së cilës i përket pjesa dërrmuese e hebrenjve të Greqisë dhe e atyre të jugut të Ballkanit.
B.-ja në emrin e saj, shkurtim i mbiemrit nga e ëma Bacolas (Bakola ose Bakolas), dëshmon për rrënjë hebreje nga Greqia, por ato rrënjë nuk janë as sefardike as ashkenaze, por romanjote.
Dega janjiote e romanjiotëve ishte komunteti hebre i Janinës, i cili për gjuhë amtare kishte greqishten. Janina, ai qytet buzë liqeni në lindje të Filatit, ishte qendër për të gjithë rajonin. Doktoratura e Frommit mbi traditat e atyre hebrenjve, e cila mbështetet në punën e saj në terren viteve tetëdhjetë, është një tekst themelor mbi atë komunitet interesant.
Në fillim të shekullit XX, komuniteti hebrenj në Janinë përbëhej pres disa mijëra vetëve, rrënjët e të cilëve datojnë të paktën që prej 1300 vitesh. Por emigracioni masiv dhe Holokausti e reduktuan atë komunitet dinamik tregtarësh në vetëm 30 njerëz.
Deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë, hebrenjtë e Janinës jetonin disi të veçuar. Dallonin qartë nga sefardinjtë, të cilët ishin aq të kudondodhur sa i patën dhënë Selanikut, një prej qyteteve me portin më të madh Mesdhetar, nofkën e Jeruzalemit të Ballkanit. Dhe kontaktet me komunitetet jashtë religjionit të tyre përtej marrëdhënieve ekonomike apo ato të sferës publike nuk inkurajoheshin.
Të paktën që nga vitet tetëdhjetë të shekullit XIX, një familje e madhe janjiote me mbiemër Bakola u pat gjendur në Filat, asokohe qytezë osmane nja tridhjetë kilometra në perëndim të Janinës. Filati kishte nja 3000 banorë besimesh dhe etnish të ndryshme: myslimanë, të krishterë apo hebrenj, shqiptarë, vllehë a grekë. Bakolat kishin të paktën shtatë fëmijë, prej të cilëve disa kishin regjistruar baba me emrin Moisi dhe të tjerë stërgjyshin e Annette Frommit, Simon Tovin.
Ndër ta ishte hallëmadhja pa emër për të cilën është fjala këtu, e cila, e lindur në vitin 1883, duhet të ketë qenë fëmija i dytë. Njiheshin si gjaknxehtë Bakolat. Një djalë i familjes ja pat mbathur nga Filati pasi zhdëpi në dru vëllanë sakat të pashait të zonës, kur ky i ishte vardisur së ëmës për t’ja marrë paratë nga xhepi.
Kështu që i binte që as komuniteti dhe as familja nuk do e kapërdinin dot faktin që ajo hallë ja kishte mbathur me një mysliman. “Për ta, ishte njësoj sikur ajo të kishte vdekur,” thotë Frommi. “Por kjo histori ka bërë që unë të kem këtë lidhje dashurie me Shqipërinë. Më tërhiqte nga larg si me magji.”
Dikur nga dhjetëvjeçari i dytë i shekullit XX, Bakolat u shpërngulën për në Amerikë dhe nga ajo hallë e panjohur mbeti vetëm një enigmë e mjegullt në mendjen e shumë pak prej pasardhësve, të cilët pas kaq vjetësh, vështirë që e njihnin njëri-tjetrin, madje.
Kujtim i paharruar nga motra juaj e paharruarshme
Në gusht të 2020-ës, Frommi më nis një email me subjekt: “Çfarë thuhet këtu?”
Ishte një fotografi bardh e zi me dedikim mbrapa. Një kushërirë e saj nga Kalifornia e Veriut po kalonte nëpër fotografitë e nënës së vet, e cila kishte pak kohë që kishte ndërruar jetë dhe aty, mes disa fotografish të xhaxhallarëve e hallave, të kushërinjve e të afërmve, nëpër dasma e festa, gjendet një grua me shall të zi në kokë. Shkrimi nga mbrapa Elyse Maltzit, kështu quhet ajo kushërirë, iu duk si greqisht.
“A e ke idenë kush mund të jetë kjo?” e pyeti Maltzi Annette Frommin, e cila e flet greqishten. “Çfarë thuhet këtu?”
Ai dedikim nuk ishte në greqisht, por në shqip, dhe thoshte: “Kujtim i paharruar prej motrës tuaj të dashur dhe të paharruarshme deri në vdekje.”
Fotografia datonte nga 1949-ta. Vula e thatë tregonte se ajo ishte marrë në studion e Lilo Xhimitikut, i cili në ato vite kishte një dyqan fotografie në Berat, qytetin e Shqipërisë, 190 kilometra në veri të Filatit.
U përpoqëm t’ia gjenim historinë asaj fotografie—unë ia dhashë një shokut nga Berati që e njeh qytetin e tij me dhëmbë e dhëmballë—por pas pak kohe, Frommi më tha ta lë këtë punë, duke shtuar se të gjeje njerëz që e njihnin atë grua pa emër, e cila që në vitet dyzet kishte qenë në moshë të thyer, ishte njësoj si të kërkoje gjilpërën në kashtë.
Por sivjet në mars, shoku im beratas më nisi vegëzën e një fotografie në Facebook. Një djalë i ri, pak i mbushur e me kokë të rruar, me bluzë të kuqe dhe me atë të qeshurën e ndrojtur të atij që nuk di ta fshehë se janë duke e marrë në fotografi, përballë një afisheje bojë qielli. Njëra nga fotografitë në afishe ishte identike me atë që kish gjetur kushërira kaliforniane e Frommit nëpër gjërat që i takonin nënës së saj.
Shoku im më tha se nga tetori, Parashqevi Sahatçiu, koleksionuesja 80-vjeçare e fotografive nga Berati, ja kishte marrë foton, e kishte nxjerrë atë në faqen e saj të Facebook-ut duke pyetur nëse e njihte kush personin aty. Pesë muaj më vonë, dikush i kishte kthyer përgjigje.
Kush ishte Lutfije Baballëku?
Berati ka qenë qytet i rëndësishëm i jugut të Shqipërisë. Mund të quhet qyteti më i rëndësishëm në veri të pashallëkut osman të Janinës, asaj zone të cilës grekët e lashtë, popull me traditë detare, ia kishin vënë emrin Epir, që do të thotë pak a shumë tokë në brendësi apo kontinent. Ajo ështe një hapësirë që shtrihet diku që nga porti i Igumenicës në Greqinë e sotme e deri pak a shumë nga Osumi, në brigjet e të cilit ngrihej Berati.
Një valle e njohur popullore e gjithë zonës quhej beratçe/berátis dhe për atë punë, në Janinë ndodhte që kur të hakërreheshin, të të bërtisnin, “E ç’më kapardisesh kështu si kaposh Berati!”
Zhvillimi qytetit i kishte ardhur nga fushat pjellore në perëndim e të cilat shtriheshin deri në Adriatik, nga kullotat me bagëti të maleve në brendësi, dhe nga roli që luante në tregëtinë e zonës.
Është qytet mjaft piktoresk. Blloqe shtëpish osmane me suva të bardha, me ato penxhere vertikale me korniza të lyera me llak të errët, të cilat zbresin nga kalaja mesjetare në majë të kodrës deri afër brigjeve të Osumit. Shpërndarë nëpër to dallohen minare, ndonjë teqe dervishlerësh dhe kishat ortodokse me tulla të kuqe që mbanin aromë Bizanti.
Inxhinierit të pensionuar, Thoma Gjani i kujtohej mirë Lutfije Baballëku, e cila ashtu si gjyshja e tij, një mësuese ortodokse nga Korça, kishte qenë e ardhur dhe e martuar në atë qytet.
Viteve pesëdhjetë e tutje, derisa e bllokoi sëmundja e Parkinsonit, ajo grua në moshë, e veshur në të zeza, nga shtëpia e saj në pjesën e poshtme të qytetit mes Xhamisë Mbret dhe teqesë halvetije ngjitej çdo mëngjes tek shtëpia përmbi, ku jetonte shoqja e vet e krishterë.
E imët dhe disi e brishtë, pak e kërrusur, me shall të zi mbi kokë e zë të butë.
Vinin kafen turke, uleshin në penxhere me një sy nga shtëpia e vet e merrnin muhabete shtruar për çfarëdo t’u vinte në mend, në shqip apo në greqisht. Muhabete shtëpie: sikur i shoqi i saj të kishte qenë më i shkathët, si shtëpi do ishin në gjendje më të mirë. Romanet sentimentale të kohës, “Lulja e Kujtimit” e Foqion Postolit, përshembull. Fëmijëve u tregonin rrëfenja nga Greqia e lashtë apo nga Bibla. I donte fëmijët, tregonin njerëzit, u jepte atyre që kishte pranë ndonjë pesëlekësh apo ndonjë karamele.
Kur nga oxhaku i shtëpisë së saj niste të dilte tymi, gjë që tregonte se tenxheret ishin vënë për në zjarr dhe po afrohej koha që burrat të ktheheshin për drekë, ngrihej dhe nisej për në shtëpi.
Kjo po i shkonte ndër mend Gjanit kur pa fotografinë e gruas me shall të zi në kokë në faqen e Facebook-ut të Parashqevi Sahatçiut.
Një pjesë e mirë e historive të fëmijërisë së tij ishin lidhur me muhabetet që tirrnin me njëra-tjetrën gjyshja tij me Lutfijen. “Ishin shumë shoqe,” shkroi në Facebook. Shoqe të ngushta.
Lutfija ishte një grua shumë besimtare prej një familjeje myslimane po ashtu shumë besimtare, tregonte Gjani.
Dikur i kishte ndihmuar të shoqit të hapte një kafene ngjitur me hamamin, por ai nuk kishte qenë i mirë në menaxhim, prandaj edhe dështoi kafeneja, sipas Gjanit. Por edhepse në gjendje ekonomike modeste, për Bajram e mbushnin lagjen me dhurata dhe ushqime.
Fëmijë nuk patën, por kur në vitet njëzet Ramadanit i vdiq një vëlla në moshë të re duke lënë pas një fëmijë motak, atë djalë ata e rritën si të tyrin. Madje, Lutfija i pati vënë dhe emrin, e pati quajtur Moisi.
E kështu, Moisiu u rrit me dy nëna, nënëvoglën që e lindi dhe nënëmadhen që e adoptoi. Moisiu kishte prirje artistike. Kur u rrit, punoi aktor në estradën e Beratit dhe mbas asaj, në studion e dizenjimit të ndërmarrjes bujqësore ngjitur me qytetin. Ishte edhe i dhënë pas pastërtisë, një huq që ja njihte i gjithë qyteti.
Por Gjanajt nuk ishin miqtë e vetëm të Lutfijes. Ishin edhe Feçajt, një familje tregtarësh nga Filati, të cilët u shpërngulën për në Berat mbas Luftës së Dytë, atëherë kur paramilitarët grekë patën përzënë nga zona shqiptarët myslimanë gjatë raprezaljeve që pasuan përfundimin e luftës. Lutfijen, Feçajt e kishin njohur që nga Greqia dhe kur u vendosën në qytet, ajo ishte ndër të parat me të cilën vunë në kontakt, siç tregon Isa Feçi, pasardhësi 70-vjeçar i asaj familjeje. Lutfija shkonte shpesh në lagjen e tyre poshtë nga lumi, në Muratçelepije dhe kur vinte ora, bashkë me gjyshen e Isait shtronin qilimat për t’u falur në dhomë apo në korridor. Siç e kujton ai, ndonjë herë e merrnin edhe me karrocë për të vajtur të faleshin në xhaminë e lagjes së tyre.
Këngëtarja dhe historiani
Emrin e vërtetë nuk ia dinte kush, por e kaluara e saj hebreje nuk ishte fshehtësi. Jo pak njerëz e kishin marrë vesh se kishte ikur nga shtëpia. Edhe për shkak të huqeve që kishte, për Moisiun në Berat thoshin se ai duhej të ishte hebre, pasi jo të gjithë e dinin se Lutfija nuk ishte nëna e tij biologjike.
Siç ia pati treguar Lutfija historinë familjes së Thoma Gjanit, ajo kishte qenë nga Janina. Në fëmijëri pati shoqe të ngushta tre vajzat e një shehu të një tarikati mistik, të halvetinjve, të cilët rrinin afër saj me shtëpi (halvetinjtë nuk janë as ata dervishët që rrotullohen të mevlevinjve, dhe as ata baballarët e mendueshëm bektashinj, por shehlerë që shpohen me shtiza).
Thoshte se prej frikës nga zemërimi i të atit, pasiqë një ditë kishte harruar hapur derën e qymezit të gjelave të detit që ai i mbante në shtëpi, ia kishte mbathur nga shtëpia kur i kishte a s’i kishte 14 vjeç dhe kishte shkuar të fshihej tek familja e shehut. Ai burrë e mori me vete kur u kthye në Berat dhe pastaj e martoi në familjen Baballëku, e cila jetonte në mëhallë.
Gjani shtoi në postimin e tij: “Bijë e kësaj familjeje të nderuar është këngëtarja e njohur beratase Ludmilla Baballëku.”
Shumëkush e njeh Ludmilla Baballëkun në Shqipëri. Sidomos për ata në të dyzetat e lart, si autori i këtyre rreshtave, Baballëku, e lindur në vitin 1965, sjell ndërmend pjesëmarrjen e rregullt të saj në festivalet e këngës viteve tetëdhjetë. Në ato kohë, një pjesë e repertorit të saj kishte edhe këngë propagande si “Faqendritur para historisë” apo “Na rrit Shqipëria.”
Por pas shembjes së komunizmit, zëri i plotë dhe pasioni për këngën i dha një karrierë të mëtejshme sidomos në këngën popullore. Nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, ajo u shpërngul për të krijuar familje në qytetin e Vlorës dhe filloi punë në estradën e qytetit. Moisiu dhe Nurija, e ëma, shitën shtëpinë e Beratit dhe vajtën të jetonin me të në Vlorë.
Me sa i kujtohej Ludmillës, nënëmadhja kishte pasur ndikim të jashtëzakonshëm tek i ati. Lutfija ishte grua e kultivuar dhe impononte respekt. Por vetë Ludmilla nuk kishte kujtime prej saj, pasi nënëmadhja kishte vdekur dy vjet para se të lindte ajo.
Nga 1995-a, një grup polifonik i Vlorës pati vajtur për koncert në Izrael. Ludmilla i pati thënë drejtorit gjysëm me shaka atëherë se po ta kishte ditur, do kishte vajtur edhe ajo me ta, sepse në Izrael kishte kushërinj.
Dhe në 2019-ën, kur gjendej në Nju Jork për koncerte në ambiente shqiptarësh, një mësues beratas në pension e pati kontaktuar në WhatsApp dhe e kishte pyetur nëse mund t’i jepte ndonjë material nga familja. Po bënte një stendë për atë familje për muzeun që ishte duke krijuar, të cilit i kishte vënë emrin Muzeu Solomon i historisë hebreje të Beratit. “Unë ia dhashë fotografitë Simonit,” thotë Ludmilla.
Ishin ato fotografitë tek të cilat kishte hedhur sytë ai djali që pata parë në faqen e Facebookut: e njëjta foto me atë të gjetur në Kaliforni, tre të tjera me dedikime që tregonin një festë familjare në një lokal në rrethinat e Bostonit, dhe fotografinë e vetme që ka mbetur e Lutfijes së bashku me Moisiun, në oborr të shtëpisë.
Simon Vrushoja ishte marrë të paktën prej njëzet vjetësh me gjurmët hebreje në qytet: ajo “mëhalla e çifutëve” që nuk dihej tamam nga i kishte mbetur ai emër, apo hebrenjtë e shumtë nga Evropa Qendrore që gjetën strehë aty gjatë Luftës së Dytë. E pastaj, pas lufte ishte Doktor Zinua, kirurgu që punoi dhe u bë dhëndër në Berat. Në 2010-ën Vrushoja pati botuar dhe një libërth për këtë gjë—në fakt, atij libri i duhej një redaktor i mirë pasi faktet i kishte disi të shkëputura dhe kishte më shumë lirizëm nga ç’duhet, por e vërteta është që ai ishte hulumtues shumë i mirë.
Kishte kohë që ishte i interesuar në historinë e Lutfije Baballëkut dhe kishte gjetur mjaft gjëra. Ishte mister pse kishte ikur nga shtëpia, shkruante në libër Vrushoja, por me gjasë duhet t’i kishte marrë mendjen entuziazmi për Islamin. Në gjendje civile kishte parë se ajo kish vënë për vendlindje Kastron, lagjen ku rrinin hebrenjtë në Janinë, kombësinë e kishte regjistruar si izraelite, emrin e të jatit Abdulla.
Një variant ishte se kur pati lënë shtëpinë, i ishte ngjitur një karvani për Gjirokastër dhe kishte qëndruar pak kohë në atë zonë para se t’i bashkohej Sheh Hasanit dhe familjes së tij për në Berat.
Në 2018-ën, Vrushoja mori me qera një ambient në rrugën që çon për kala—një nga dyqanet njëkatëshe që ndërtuan banorët atje viteve të nëntëdhjeta—dhe aty hapi muzeun. Muzeu pati sukses të menjëhershëm. Erdhën mjaft zyrtarë, gazetat shkruajtën artikuj për të, brenda dhe jashtë. Numri i vizitorëve arriti 30,000-in.
Por Vrushoja vdiq papritmas nga fundi i vitit 2019, pa i mbushur të shtatëdhjetat. “Rrezik nga hallet që i solli muzeu vdiq Simoni,” më tregonte në telefon e shoqja, Angjelina. “E mundoi shumë puna aty. Qiraja që duhej paguar, mirëmbajtja.” Dilte vetë t’u tregonte vizitorëve historitë e atyre trembëdhjetë stendave që kish përgatitur. I nxiste të linin përshtypjet në librin e vizitave. Darkave, fotografitë e tyre i nxirrte në faqen që pati hapur për muzeun në Facebook.
Ndërsa në libër, Vrushoja pati shkruar se emri i vërtetë i Lutfijes ishte Marije, në stendën për familjen Baballëku në Muze, këmbëngulte se ajo quhej Sara.
Pyetje që marrin përgjigje
“Emri i vërtetë (Lutfijes) iu përmend vetëm një herë, në varrim,” më tha Thoma Gjani.
Kur vajti me të gjyshen në varrimin e saj në vitin 1963, Gjani duhet të kishte qenë 14 vjeç. I kujtoheshin ritet që i ishin bërë të gjitha, trupi që iu la dhe iu pastrua, fjala dhe faljet që mbajti hoxha në varrezë. “Aty hoxha ia përmendi edhe emrin. Por mua (ai emër) nuk më kujtohet.”
Viteve të gjashtëdhjeta, varrezat myslimane të qytetit u rrafshuan për t’iu bërë vend ndërtimeve dhe Moisiu ia mori eshtrat dhe ia çoi në varrezat e reja të qytetit.
Fotografinë e vitit 1949, Lutfija e kishte nënshkruar me “motra juaj Matzalto”, një formë e togfjalëshit mazel tov që hebraisht do të thotë “Fatmirë”. Mazel Tov apo Matzaltò kishte qenë një emër mjaft i përhapur për femra ndër hebrenjtë e Janinës. Lutfije Baballëku kishte lindur Matzaltò Bakola.
Elyse Maltz pa fotografitë e stendës në muzeun e Vrushos në Berat dhe lëshoi një klithmë: “Po kjo është nona ime!” Gjyshja e saj, Beatrice Bakola. Lutfija kishte qenë në kontakt me njerëzit e saj të paktën deri viteve dyzet.
Tani vonë është shfaqur dhe një kopje tjetër e fotografisë së Matzaltos ndër pasardhësit e Bakolave në Amerikë.
Po pse u kishte shkruar atyre ajo në shqip, ata shqipen nuk e dinin asnjëri? Çfarë kishte ndodhur njëmend me Matzalto Bakolan 14-vjeçare në Janinë apo Filat në fillim të shekullit XX? Vërtetë t’ia kishte mbathur nga frika e të atit, apo arsyeja kishte qenë Islami. Apo apo, mos ishte dhënë mbas ndonjë shehu shqiptar? E pastaj shehu të kishte ndërruar mendje dhe i kishte gjetur burrë në lagje? Po sikur ta kishin rrëmbyer, siç ekzistonte një legjendë ndër Bakolat e Amerikës dhe në ato kohë rrëmbime ndodhnin.
Megjithë mohimin që i kishte bërë familja, Bakolat kishin mbetur në kontakt me Lutfijen. Thoma Gjani pati dëgjuar se i ati kishte çuar disa herë njerëz që t’ia mbushnin mendjen të kthehej, por ajo nuk kishte pranuar. Pastaj, letërkëmbimet e viteve të katërdhjeta. E më tutje, disa vajzave të fisit Bakola në Amerikë u ishte vënë për emër një amerikanizim i emrit Matzalto. Sipas traditës hebreje janjiote (por dhe ortodokse greke), ku vajza e parë merr emrin e gjyshes nga i ati, e dyta të gjyshes nga e jëma, e treta të hallës së madhe e kështu me rradhë. Kjo gjë nuk ndodhte për anëtarët e mohuar të familjes. Dhe në fund të fundit, Lutfija i kish vënë emrin djalit dhe nipit njëherësh Moisi, i cili mund të kishte qenë emri i të atit të saj dhe në atë mënyrë kishte mbetur brenda traditës së saj.
Është e mundshme që izolimi ku e futi Shqipërinë Enver Hoxha të ketë qenë shkak më i fortë për shkëputjen e lidhjeve dhe harresën e saj sesa zakonet e rrepta hebraike.
Annette Fromm reflekton mbi fijet e interpretimeve, të cilave u hap shtegun historia e hallëmadhes. Ç’mund të tregojë ajo për marrëdhëniet mes komuniteteve të ndryshme në atë “mjedis të jashtëzakonshëm multikulturor” gjatë periudhës së vonë osmane? Po, edhe rrëmbimi mund të jetë një hipotezë, dhe rrëmbimi i femrave atyre kohëve është një fenomen i pastudiuar. Megjithatë, kjo gjë hedh dritë edhe mbi kontaktet që arrinin të mbanin familjet e ndara nga mërgimi.
“Pak mundësi ka që të gjehen përgjigje të drejtpërdrejta për këto pyetje,” më shkruan ajo. “Dëshmitarët e dorës së parë, në të gjithë atë histori, nuk janë më mes nesh.”
Frommi ka filluar të shkëmbejë mesazhe me Ludmilla Baballëkun. Frommi shkruan në anglisht, dhe e përkthen me Google translate në shqip, Baballëku i kthen përgjigjet e saj me Google translate në anglisht.
“Kur të marrë fund kjo pandemi,” i shkruan Frommi, “dua të vizitoj Janinën, dhe në atë rrugë, dua të shoh edhe Beratin. Do ishte shumë kënaqësi që të takoheshim.” Më vonë më thotë se udhëtimi i saj në Shqipëri, kurdo që të ndodhë, ka për të qenë epik.
Moisi Baballëku vdiq pak kohë mbasi u vendos në Vlorë me shtëpi dhe e shoqja e ndoqi pas në 2013-ën. Ludmilla i varrosi të dy në Berat, në varrezën ku Moisiu pati çuar dikur eshtrat e të parëve, përfshirë ato të Lutfijes. Pllaka e varrit të Moisiut është një gjysmëhënë mermeri të bardhë me një fotografi ku ai ishte i ulur. “Do kisha dashur vetëm që ime më dhe im atë të kishin qenë gjallë,” i kthen Ludmilla përgjigje Annette Frommit. “Që të kishin qenë në gjendje të flisnin me ju për Lutfijen. Do i kishte lumturuar shumë, shumë.”
Ludmilla Baballëku beson se gjyshi i saj i kish vënë syrin nënëmadhes së saj, adoleshentes Matzalto, kur kishte qenë student në Zosimea, në shkollën e njohur për djem në Janinë (ne nuk kemi gjetur të dhëna që ai të ketë qenë atje me shkollë). U panë, u dhanë pas njëri-tjetrit. Për Ramadanin, për të jetuar e lumtur me të, ajo kishte qenë e gatshme të braktiste edhe familjen.
“Në fakt, edhe unë ashtu do të doja të ishte kjo histori,” më thotë Elyse Maltzi. “Edhe unë do doja që ajo të kishte ikur për dashuri.”K
Feature image: Koleksioni i Elyse Maltzit.