Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: LLOKUMET

Tregim
Ej, ti qukëse, tek dera të kërkon një burrë, një vuv – thirri dezhurnia e shkollës, një mesogrua e shkurtër me flokët e mbedhur topuz, që sikur çalonte pak në anën e majtë. Kështu e nis rrëfimin Kristina, për një nga ngjarjet më shënjuese të fëmijërisë të saj. Ka shumë ngjarje e kujtime që më ndjekin pas e më marrin kaliboza, por ajo e asaj dite është krejtësisht e pabesueshme, e veçantë. Pas njoftimit, mësuesja dha lejen e saj dhe unë dola. E mbërrita dezhurnen ende pa zbritur në katin e parë dhe e pyeta sërish: Kush, kush më kërkoi?
Të thashë njëherë – më vështroi vëngërt e lodhur nga dihatja – një burrë shurdhmemec!
I kapërceva dy e nga tre shkallët e kateve deri sa mbërrita tek dera e jashtme e shkollës. Më priste babai. Një shkulm inati e zemërimi m’u mblodh lëmsh në fyt. Më mbyti. Isha vetëm tetë vjeç, nxënëse e klasës së tretë dhe nuk e dija që jeta e fëmijës është si një zmadhim i fotos të babait. Një zmadhim që mbase shkon në absurd. Pse ma quajti shurdhmemec babain? Ku dinte gjë ajo? Gjithë pyetjet e mia ishin si ato harabelat e beharit që nisen nga një habi në tjetrën dhe nuk mbërrijnë kurrë në destinacionin e duhur. Babai im prej kohësh kishte ndërprerë komunikimin me zë, por këtë mendoja që e dija vetëm unë dhe nëna. Në shtëpi merreshim vesh thuajse me shenja. Në rrugë e në punë ai fliste rrallë e më rrallë. Të tjerët, shokët e komshinjtë e mëhallës thoshin për të se ishte bërë si gur. Si gur varri. I heshtur. Mumje. Ndonjëherë babai shkonte për peshk në lumin Drino. Vetëm. Rrinte atje me orë. Mbase flet me lumin, përgjërohesha unë, fshehtas nënës. Peshkimi i tij u bë ritual. Thuajse dy a tri herë në javë. Në shi e në diell, në zheg e në shqotë. Ndërsa kur vinte nga puna në shtëpi, babai donte të luante shah. Se si iu ngjit kjo sëmundja e lojës shah. I kërkoi dhe nënës të mësonte lëvizjet e lojës magjike, por ajo nuk ia thoshte. Pas disa përpjekjesh të kota, e la fare atë ngasje.
Rritu sa më parë, – u duk sikur m’u lut atë kohë. Isha gjashtë vjeç. Dikur… A ndoshta kështu e kuptova unë. Koha është fat. Mundësitë i kemi si graviteti. S’mund të ndërmjetësosh me gravitetin, arsyetova vite më pas vështrimin e tij. Babai nuk hoqi dorë nga shahu e nisi të luante krejt vetëm. Me vetveten. Bënte herë lëvizjet e gurëve të bardhë e herë të atyre të zinj. Pas kësaj, e folura e tij humbi krejt, u bë si një ngjarje jashtëtokësore, si të ishte privilegj qiellor. Pak nga pak humbi aftësinë e artikulimit. Rrallë e më rrallë, kur ndodhte që ai të fliste, ngjante sikur gjuha i ngjitej lart në qiellzë dhe mezi shqitej. Sikur një fuqi misterioze e pengonte. Nga humbja e gjuhës, sytë e tij sikur u veshën me perde, morën hutimin e guakut, megjithëse mbetën vezullues. Shenjat e përditshme të komunikimit, tërësi krejtësisht flu, të shumuara, ishin përsiatje të padurueshme gjer në litani. Ç’rëndësi kishte humbja e gjuhës në raport me pushtetin e vetmisë dhe privatësisë? Babai ashtu në vetmi, sikur ndihej më i qetë, më i sigurtë, sikur kishte braktisur të shkruarën, duke ofruar shansin e nxjerrjes së vetvetes nga rradha e fajtorëve. E pyesja përherë, kinse për ushtrimet e shkollës dhe ai më kthehej i papërtuar. Më ndihmonte, por vetëm me shkrim. Shkruante në fletore zgjidhjet e ushtrimeve dhe m’i zgjaste. E përqafoja fort pa e ditur që problemi i tij s’ishte thjesht ai i lirisë, por i një rrugëdaljeje nga rrethi vicioz.
Revolta ime fëminore ndaj tij shndërrohej shpejt, sa hap e mbyll sytë, nga tragjedi në komedi dhe anasjelltas. I lëngëzonte si dinte ai, ata sytë e shkruar bojëqielli, pa mundur të më rrëfente dot atë brengë mjaft të trubullt, një shijim torture, dredhinë e kohës që i kishte çarmatosur fatin. Pa më thënë asnjë fjalë, babai më shtrëngoi dorën dhe të dy së bashku ecëm me hapa të shpejtë në krahun tjetër të rrugës, drejt kopshtit me drekë, aty ku ishte motra e vogël pesëvjeçare. Diçka duhet të ketë ndodhur, më shkrepi nëpër sy frika që më drodhi trupin me ndjesinë e një rreziku. Ndoshta gjyshja e nënës që gjendej në fshat? Ku i dihej? Ndoshta diç tjetër…?
Shurdhmemeci nuk i rrëfen asnjëherë planet. Ai ia mbath përherë nga diçka, nga brenga, nga e papritura. Pse e kishte zgjedhur babai këtë rol? A nuk ishte kjo një histori false? Mirë në punë e në rrugë, po dhe në shtëpi? Njëherë ai i tha nënës: Këtu të përgjon edhe era! Nuk e kuptova atëherë se si mund të përgjonte era? Kohë më pas kam medituar gjatë rreth frikës së tij. Nëna atëherë ia ktheu: Mirë thua, thashethemet janë si flakët e zjarrit. Dihet kur fillojnë, po kurrë s’u dihet fundi! Babai miratoi me kokë. Si përherë, nuk dha asnjë shpjegim. Nxituam tinës dhe morëm motën e vogël nga kopshti, pa rënë në sy. Ecëm drejt sokakut të vjetër të Kokobobajve, atje ku gjendej shtëpia jonë, trashëguar prej gjysh–stërgjyshërve të babait, bankierë e financierë të famshëm të qytetit. Shtëpia ishte karabina e madhe trikatëshe, gjysmë e rrënuar, një pjesë e shtetëzuar, ku banonin veç nesh dhe pesë familje të tjera të ardhura vitet e fundit. Me të ardhurit kishim fare pak gjitoni. Ne banonim në katin e tretë, në anën perëndimore, krah që kishte fushëpamje mbi luginën e gjerë të Drinos, nga ku herë pas here shikonim edhe ndonjë aeroplan ushtarak që ngrihej prej aeroportit të vjetër të qytetit. Një familje agronomësh ishte në krahun tonë, në anën lindore, ndërsa katër të tjerat, mësues, mjek, berber dhe ushtarak, banonin në katet poshtë nesh. Për të hyrë në karabina, ngjiteshim nëpër të njëjtën shkallare druri me kangjella me romba, shkallare që kërciste si dreq e dëgjohej deri në fund të qytetit. Babai im nuk punonte më sipas traditës familjare e shkollimit, as si bankier dhe as si financier, por roje dhe magazinier në postë. Punonte i përkushtuar, i ndershëm deri në palcë, me orar e pa orar. Tre nga xhaxhallarët e tij ishin pushkatuar si armiq të pushtetit, ndërsa gjyshi dhe njëri prej djemve, ai i madhi, ishin internuar në veri. Në qytet kishte mbetur vetëm babai. Fillikat dhe shurdhmemec. Babai e mori motrën në duar dhe më dha shenjë të ngjiteshim pa u ndjerë, pa më të voglën zhurmë në shkallaren e shtëpisë. Ngjiteshim në majë të gishtrinjve. Vjedhurazi. Derën e hapi me shumë kujdes. Hymë në shtëpinë bosh. Na uli në divanin e vetëm përballë qelqeve të dritareve të mëdha dhe na përqafoi si për herë të fundit në jetë. Na puthi me rradhë. Të parën motrën e vogël e pas saj mua. Atë moment nuk e kuptova arsyen. Nxorri nga poshtë xhaketës një pako të madhe me llokume. E hapi me kujdes. Ishin llokume të mëdha, me arra, nga ato që i provonim tepër rrallë, vetëm kur shkonim për vizitë tek dajot, vëllezërit e nënës. Do hamë llokume sa të ngopemi – foli babai. Po nëna – s’mu durua mua që fluturoja nga gëzimi prej ndryshimit të papritur të babait që atë çast kishte folur. Nëna është në punë. Kur të vijë do hajë dhe ajo – foli sërish zëulët babai. I dha llokumen e parë motrës së vogël. Ajo e kullufiti. Pastaj më ofroi dy copë mua. E futi një në gojën e tij dhe shkoi të ndezë radion. Radioja transmetonte muzikë të çuditshme. Të padëgjuar më parë. Ne i hëngrëm shpejt e shpejt llokumet e para. Babai na dha të tjera llokume duke na i futur me dorën e tij në gojë: Hani, hani! Hanim me nxitim, pakuptuar asgjë. Radioja vazhdonte të jepte muzikë të çuditshme, funebre, tha për të babai më vonë, ndërsa spikeri me zë ngashëryes e të përmallshëm lajmëronte popullin për ikjen nga kjo botë të udhëheqësit të partisë e diktaturës së proletariatit.
Please follow and like us: