Delegacioni shqiptar në Samitin Botëror për Iranin e Lirë 2021/ Rajavi: Test, nëse komuniteti ndërkombëtar do të ndërveprojë me këtë regjim gjenocidal apo do mbajë anën e popullit
Dita e tretë e Samitit Botëror për Iranin e Lirë-2021 iu kushtua thirrjes së popullit iranian për drejtësi për viktimat e masakrës së 1988-ës ku u vranë mbi 30,000 të burgosur politikë, mbi 90% e të cilëve ishin anëtarë e mbështetës të Mujahedin-e Khalq (MEK/PMOI).
Gjithashtu, një delegacion nga Shqipëria ku përfshihet Tritan Shehu, Klajda Gjosha, dhe Mimi Kodheli, morën pjesë dhe folën në Samitin për Iranin e Lirë 2021. Një tjetër delegacion shqiptar ka marrë pjesë në ditën e dytë të samitit: Edmond Spaho, Valentina Leskaj, Elona Gjebrea, Orjola Pampuri, Namik Kopliku, dhe Klevis Balliu.
Z. Fatmir Mediu i cili ka marrë pjesë në këtë takim tre ditor theksoi se: “Ne nuk duhet të themi vetëm fjalë të mëdha për sakrificën e popullit iranian, por ne duhet të jemi të bashkuar dhe të kemi diskutime në parlamentin dhe kongresin tonë, dhe ne duhet t’i shtyjmë qeveritë tona të qëndrojnë të forta kundër mizorive brutale të regjimit. Unë besoj se të gjithë agjentët dhe mercenarët e inteligjencës dhe agjencive të tyre të sigurisë duhet të dëbohen nga Shqipëria dhe pjesa tjetër e Evropës. Unë e mbështes NCRI-në si alternativë ndaj regjimit për të sjellë paqe dhe liri në Iran. Plani dhjetë pikësh i zonjës Rajavi, presidentja e zgjedhur e NCRI, për republikën demokratike laike dhe jo-bërthamore të Iranit është rruga për një Iran të lirë. ”
Në fjalën e saj, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), duke iu referuar shkaqeve historike të instalimit të Ebrahim Raisi-t, vrasësit të MEK-ëve dhe ekzekutuesit të masakrës së 1988-ës, si president, tha se në kontekstin politik, ngritja e tij në këtë post shënon fundin e iluzioneve të ekzistencës së moderimit brenda regjimit. Ajo shënon dështimin e politikës së paqësimit të qeverive perëndimore ndaj fashizmit fetar. Tani, ata ia kanë dorëzuar pushtetin ekzekutiv një vrasësi të masave, pushtetin gjyqësor një vrasësi profesional, dhe pushtetin legjislativ një shkop-mbajtësi që e ka deklaruar haptazi: “Unë jam një nga shkop-mbajtësit, dhe jam krenar që kam përdorur shkopin kundër Massoud Rajavi (liderit të Rezistencës Iraniane) që nga 1979.” Ai është vërtet mishërimi i turpit dhe mizorisë. Nëse kjo diktaturë fetare nuk do të ishte në prag të disfatës, atëherë pse do t’i duhej të vinte në krye të sistemit një bandë kanibalësh?
Znj. Rajavi shtoi: Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, ky është një test për të parë se a do të ndërveprojë ai me këtë regjim gjenocidal apo do të mbajë anën e popullit iranian. Kombet e Bashkuara nuk duhet ta lejojnë Raisi-n të marrë pjesë në seancën e ardhshme të Asemblesë së Përgjithshme.
Para se të hynte në sallën e takimit, Znj. Rajavi vizitoi Përkujtimoren Khavaran, e cila është ndërtuar në Ashraf 3 (baza e MEK në Shqipëri) për të përkujtuar 30,000 të burgosurit politikë të rënë dëshmor gjatë verës së masakrës së 1988-ës, dhe bëri homazhe në nderim të këtyre dëshmorëve. Këta dëshmorë, 90% e të cilëve ishin anëtarë e mbështetës të MEK, janë ekzekutuar në grupe mbi bazën e fatwa-s së Khomeini-t, nga Raisi e kriminelë të tjerë në pushtet, për shkak se kishin zgjedhur të mos pendoheshin dhe të këmbëngulnin në besimet e tyre dhe në përkushtimin e tyre ndaj lirisë. Shumë prej tyre janë varrosur në varre masive në Varrezën Khavaran (në jug-lindje të Teheranit). Në emër të Rezistencës Iraniane, Znj. Rajavi u betua për gjakun e 30,000 heronjve të rënë, se do ta çlirojmë Iranin nga mbërthimi i regjimit vrasës./balkanweb