Sekret, 23 korrik 1990/Procesverbali i mbledhjes të Sekretarëve të KQ të Partisë (2)
Mbledhje e Sekretarëve të K.Q. të Partisë 23 korrik 1990
Në atë mbledhje merrte pjesë edhe Nexhmije Hoxha, në funksionin e kryetarit të FDRPSh, ku përveç tyre, diskutuan edhe sekretarët e KQ të PPSH-së, Foto Çami e Xhelil Gjoni, sekretari i parë i KQBRPSH, Lisen Bashkurti, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranë e anëtar i Komitetit Qendror, Pirro Kondi etj.
Në këtë mbledhje, shoku Ramiz Alia trajtoi disa konkluzione, probleme e detyra që dalin nga zhvillimi i situatave të brendshme e të jashtme, veçanërisht pas ngjarjeve të 2 korrikut 1990 në Tiranë. Ai porositi sekretarin e K.Q. të Partisë shokun Foto Çami, sekretarin e K. Q. të Partisë së rrethit të Tiranës, shokun Pirro Kondi, dhe sekretarin e parë të K. Q. të BRPSH-së, Lisen Bashkurtin, të marrin kontakte direkte me masat sidomos me rininë studentore e intelektualët, të ndërtojnë një program pune të kualifikuar e të larmishëm dhe të bashkërendojnë më mirë tërë punën edukative.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
SHOKU RAMIZ ALIA: Desha të bisedoj sot me ju për situatat dhe ngjarjet që po kalojmë. Kurrë ndonjëherë imperialistët reaksioni dhe tërë armiqtë e komunizmit nuk janë hedhur kundër tij me një sulm kaq të tërbuar sa tani. Ata synojnë të zhduket kudo fara e socializmit dhe e komunizmit. Duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se Shqipëria ndodhet në qendër të këtij sulmi: Synohet të përmbyset pushteti ynë popullor, të shuhet socializmi. Këto synime spikatin akoma më qartë pas ndryshimeve e ngjarjeve që ndodhën në Europën Lindore, duke përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik. Prova më e re për këtë janë ngjarjet që po ndodhin në Bullgari. Presidentin Mlladenov e hoqën, edhe pse e kishin zgjedhur me votime pak kohë më parë. Edhe atje po e marrin pushtetin forcat e hapura antikomuniste siç ndodhi në Çekosllovaki e Hungari. Sipas Kushtetutës së re që kanë bërë, Presidenti mund të ndryshohet, ai mund ta mbyllë Parlamentin dhe të bëjë zgjedhje të reja që të fitojë partia e tij. Këto synime forcat e reaksionit kërkojnë t’i realizojnë edhe në Shqipëri.
SHOKU FOTO ÇAMI: Kjo është pikënisja, çështja themelore, në bazë të së cilës duhet gjykuar për çdo ngjarje, për çdo qëndrim.
SHOKU RAMIZ ALIA: Njerëzve tanë duhet t’ua bëjmë shumë të qarta synimet e armiqve. Të bisedohet shtruar me të gjitha kategoritë: punëtorë, fshatarë, shkrimtarë, artistë etj. T’u thuhet që shtrohet çështja për ta mbrojtur pushtetin tonë, Shqipërinë, socializmin. A jeni ju për t’i mbrojtur këto, çka kemi me të vyerat apo kërkoni t’u nënshtrohemi kërkesave e tekave të borgjezisë, imperializmit e reaksionit? Duhet t’u bëhet e qartë gjithashtu se në ç’rrugë kërkon t’i realizojë reaksioni këto synime. Veçantia e situatës së sotme është se armiqtë përpiqen që t’i realizojnë synimet e tyre jo në rrugë violente, ushtarake, me okupacion, por në rrugë paqësore dhe për këtë qëllim po përdorin tri armë të forta: E para, kërkohet demokraci, por në kuptimin që i jep këtij termi borgjezia: Kjo demokraci për borgjezët, për reaksionin, për antikomunizmin. Kjo demokraci synon t’u hapen rrugë e mundësi çdo qëndrimi e veprimi antikomunist dhe të përpunohet opinioni sipas interesave të borgjezisë. E dyta kërkohet pluralizëm. Disa njerëz nuk e kuptojnë se ku synon pluralizmi që pretendon e inkurajon borgjezia dhe mendojnë me mendjelehtësi se nuk ka ndonjë të keqe të ketë në dy-tri parti. Por kjo do të thotë të krijohet një opozitë kundër Partisë sonë, e cila nuk do të ishte thjesht luajale, po një armë në duart e reaksionit për të përmbysur pushtetin popullor. Në Shqipërinë e sotme nuk mund të krijohet asnjë lloj opozite serioze kundër PPSH-së, sepse askush nuk ka influencë t’i kundërvihet terrenit, në të cilin ka qenë e ka luftuar deri dje. Cilido punonjës, intelektual, shkrimtar apo shkencëtar i kësaj toke dhe i socializmit nga gjiri i të cilit ka dalë, është bashkudhëtar i tij dhe nuk mund të dalë kundër. Por reaksionit i duhet një njeri i tillë, i duhet një parti që të jetë antisocialiste, antikomuniste. Kështu e kërkoi dhe e gjeti në Çekosllovaki, një Havel se nuk i hynte në punë Dubçeku, ngaqë ishte i kompromentuar me komunizmin. E kërkoi dhe e gjeti një të tillë në Hungari. Dhe ja së fundi tani në Bullgari po ndodh e njëjta gjë. Njerëzit tanë nuk e kuptojnë se krijimi, i një opozite antikomuniste në Shqipëri do të thotë t’i hapet rrugë pajtimit kombëtar, t’u hapet rrugë disa emigrantëve të shitur të vijnë e të krijohet parti këtu, shkurt të vijnë dollarët amerikanë dhe të blejnë votat e popullit tonë. Ajo nuk mund të jetë kurrë opozitë politike në kuptimin demokratik të fjalës, por një parti e formuar nga njerëz “të hurit e të litarit”, që s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë e me atdheun, pas nocioneve të të cilëve fshihen. Këta njerëz mund t’i pasojnë elementë të tjerë brenda vendit, qofshin vagabondë, të rinj të fantaksur apo dhe ndonjë element intelektual që përtej “demokracisë” mendon se “zbulon Amerikën”. Modelet e partive e të idealeve të tyre të kopjuara do t’u ngjallin filialet e partive gjermane, të subvencionuara prej tyre në Hungari apo në Çekosllovaki. Shembull tipik i përpjekjeve të tilla në vendin tonë ishte aktivizimi i agjenturave të huaja dhe organizmi i koordinuar i tyre për futjen e njerëzve tanë nëpër ambasada. Pra, pluralizmi që armiqtë u përpoqën ta inkurajonin, nuk është një pasqyrim i demokracisë, por një mjet për të likuiduar pushtetin popullor në rrugë paqësore, nëpërmjet votave të blera, korrupsionit, presionit politik dhe ekonomik. Kjo është sot arma e preferuar e reaksionit. Mund t’u sjell disa shembuj për ta argumentuar këtë ide. Mjafton t’u përmendim vetëm zhurmën e madhe propagandistike e premtimet e bujshme që iu bënë Polonisë për t’i dhënë miliarda, në qoftë se pushtetin do ta merrte Solidarnosti. Synimi i reaksionit ishte të siguroheshin vota për Solidarnostin, por më pas asnjë ndihmë në para nuk iu dha Polonisë. Të njëjtat premtime iu përsëritën tani Rumanisë dhe Bullgarisë, që shpresonin të merrnin kredi pasi të zhvilloheshin zgjedhjet e lira, por si qeveritë dhe masat, mbetën të zhgënjyera. E treta armë që përdor reaksioni dhe borgjezia është tregu i lirë, nëpërmjet të cilit ajo synon që në vendet ish-socialiste, t’i bëjë restaurime pronës private, sidomos asaj të madhe. Kështu, pluralizmi politik gjen mbështetjen e vet në pluralizmin ekonomik, me anë të të cilit prona shtetërore socialiste shkatërrohet e shndërrohet në pronë private. Dihet që çdo parti shpreh interesat e një klase të caktuar, ose të përfaqësuesve të një lloji të caktuar prone. Një parti agrare ta zëmë, nuk mund të shprehë kurrë interesat e fshatarësisë kolektive, sepse ajo do të ishte për mbrojtjen e interesave agrare, që toka të jetë pronë private e fshatarit. Vetëm Partia Komuniste shpreh interesat e pronës shoqërore. Pra, pluralizëm politik dhe ekonomik do të thotë vdekje e pushtetit popullor ose një kundërvënie legale ndaj tij. Kaq i vërtetë është ky konkluzion, saqë edhe deklaratat e fundit të Tregut të Përbashkët për ndihmat e kreditë që do t’u jepen vendeve të Europës Lindore, dolën posaçërisht për të inkurajuar tregun e lirë dhe privat. Në këto tri drejtime, reaksioni i jep rrugë planit për përmbysjen e pushtetit popullor. Te ne prirjet për pluralizëm partish, reaksioni i ushqen duke hedhur idenë e pajtimit kombëtar. Para pak kohësh u zhvillua në Lubjanë një i ashtuquajtur Manifestim Kulturor Gjithëshqiptar, ku ishte ftuar dhe Ismail Kadare. Ideja që të mos politizohet letërsia, por të njihet e studiohet në tërë vlerat e saj, veçanërisht letërsia e shekujve të kaluar, duke mos gjykuar nga kriteri ideologjik, por nga fryma kombëtare etj., është shfaqur edhe ndonjë intelektual e studiues i yni. Dhe ja, “dardha e ka gjithmonë një bisht prapa”. Në bazë të kësaj ideje qëndron fryma e pajtimit kombëtar që përshkoi edhe Manifestimi Kulturor të Lubjanës. Nën petkun e pajtimit kombëtar synohet të luftohet komunizmi, pushteti popullor në Shqipëri. Ndryshimet e situatave dhe ato në marrëdhëniet midis vendeve reaksioni përpiqet t’i shfrytëzojë në interes të vet. Për shembull, thuhet se Gjermania që pushtoi, vrau e u shkaktoi vuajtje miliona njerëzve u bë aleate me Bashkimin Sovjetik. Ose këtu te ne, ndonjë bën analogji të tilla: Kur me Gjermaninë që na pushtoi e na vrau, sot kemi lidhur marrëdhënie diplomatike, ç’kuptim ka të mbajmë armiqësi me djalin e ballistit? Sipas kësaj logjike, ne komunistët duhet të heqim dorë nga idealet tona, të pajtohemi me reaksionin e të shkatërrojmë gjithçka kemi arritur e ndërtuar me mund e sakrifica. Askush nuk i ka shërbyer imperializmit më shumë se komunistët jugosllavë, megjithatë sot ai as ata komunistë nuk i do. Nuk e do më as Dolancin, as Shuvarin, as Puçnikun që mori pushtetin në Slloveni, as Millosheviçin në Serbi, por do njerëz si Tuxhmani, do çetnikë e ustash, do që të mos ekzistojë asnjë fjalë socializëm e komunizëm. Duhet të jetë i qartë për komunistët, rininë, patriotët e mbarë njerëzit tanë ky kuadër ngjarjesh, synimesh e sulmesh armiqësore që i kanosen Shqipërisë. Këtej del konkluzioni e detyra për ta mbrojtur pushtetin popullor, socializmin e fitoret tona. Kjo është njëra anë e problemit. Ana e dytë është se për të realizuar synimet e tyre armiqtë do të përpiqen të shfrytëzojnë dobësitë e të metat tona, vështirësitë dhe mungesat në ekonomi, faktorë objektivë e subjektivë që mund të çojnë ujë në mullirin e tyre. Në këto situata është e domosdoshme të luftohet me këmbëngulje të metat e gabimet e njerëzve tanë, të distancohemi nga ato, me të cilat nuk mund të pajtohemi dhe që armiku mund t’i shfrytëzojë. Nuk duhet të marrim në mbrojtje veprime e qëndrime të padrejta. Në qoftë se polici, për shembull, për një shkak të parëndësishëm, përdor dhunën ndaj qytetarit, duke dalë jashtë kompetencave të tij, duhet thënë se ky veprim është i gabuar dhe ta dënojmë. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për kufitarin, që në krye të detyrës qëllon me armë dikë që tenton të kalojë kufirin. Gjatë kufirit tonë me Greqinë janë afruar grupe të mëdha diversantësh. Ku ta dijë kufitari se ai që kalon kufirin nuk është një diversant që ka hyrë e kërkon të dalë? Ku ta dijë ai se ky njeri nuk ka me vete drogë apo nuk është një vrarës? Kufitari i thotë “ndal” shkelësit të kufirit dhe atë që nuk ndalet e qëllon. A mund ta bëjmë fajtor pse qëlloi? Jo, ai bëri detyrën. Por në kolektivin e Kinostudios një shok qenka shumë i shqetësuar për këtë problem dhe kërkon përgjigje. Nuk është e vështirë dhe s’ka pse të ngurrojmë për t’i dhënë menjëherë përgjigjen që kërkon, Foto. Ç’do të bënte, për shembull, roja i Kinostudios, në qoftë se dikush do të përpiqej t’i hynte për të djegur arkivin e filmit?