Fritz Radovani: In memoriam, At Pjetër Meshkalla (28)
19 Korrik 1967: Kjo ditë e nxehtë asht gjetë që aty nga ora 14.00, në pishën e zhegut, një xhips i Sigurimit të Shtetit në Shkodër, me u ndalue para Gjykatës së Rrethit (tek shtëpia e Dr. Kadukut) dhe në mes të një grupi policësh të mbërthyem me armë në dorë, rrethohet një burrë që shihet me vështirësi i lidhun duersh me hekra, imcak, i shkurtë, me ecje të shpejtë e hapa të vegjël, i kapun për krahësh nga këta bisha të egra e të çapërdisuna si zakonisht edhe pse gjahu asht i lidhun në pranga, dhe gati pa i takue kambët për trotuarin e rrugës, e fusin në godinën trekatëshe të
Gjykatës, shkapesin derën me forcë dhe… vetëm ndihen shulat e mbrendshëm që ndalojnë hymjen e cilitdo kalimtar… Kishte disa ndigjues të “zgjedhun”!
… U çue para mikrofonit dhe para se me fillue me folë rregulloi koletin e këmishës, jakat e xhaketës, tërhoqi pak xhaketën e zhubulosun nga mbrapa, tue u mundue me u rregullue për mos me dalë i çkujdesun në fotografi. Ishte Pader Pjeter Mëshkalla. Kryetari I gjyqit, Muhamet Tyli, i tha:
-Fol, shka ke me thane fjalën e fundit!
Ra një heshtje…
Pader Mëshkalla iu afrue mikrofonit e tha këto fjalë:
“JU MË DËNONI SA TË DONI, MBASI MUE NUK KENI SHKA MË BANI, UNË PRAP SE PRAP DO TË DAL, SEPSE JU SHPEJT KENI ME MBARUE, MBASI SHOSHOJNË KENI ME HANGËR, E ATY ASHT FUNDI JUEJ! FEJA E KRISHTIT NUK MBARON KURRË”!
Padër Pjetër Mëshkalla (Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998).
Melbourne, 16 Korrik 2021.