Konsulli Rodolf Xhillari: Të përfaqësosh Izraelin në Shqipëri është një nder dhe detyrim i madh!
Konsulli i Nderit të Izraelit në Shqipëri është një biznesmen i elitës dhe një sipërmarrës i suksesshëm, dhe për më tepër me një dashuri të madhe për Izraelin dhe Hebrenjtë.
Nga Dash Frashëri, botues i “Izraeli Sot”
Rodolf Xhillari e di shumë mirë se, të jesh një Konsull Nderi – dhe për më tepër i Izraelit në Shqipëri – përveç detyrimeve protokollare diplomatike, është edhe një privilegj dhe përgjegjësi përpara dy vendeve që ai përfaqëson: Shqipërisë dhe Izraelit.
Një biznesmen i elitës dhe një sipërmarrës i suksesshëm, dhe për më tepër me një dashuri të madhe për Izraelin dhe Hebrenjtë, në vitin 2015, Xhillari u propozua nga Ambasada e Izraelit në Shqipëri dhe u “skanua” nga Ministria e Jashtme e Izraelit, përpara se ai të pasonte Bardhyl Canaj, konsullin e mëparshëm – aktualisht Ambasadori i Shqipërisë në Izrael – dhe që kishte krijuar një traditë të mirë dhe një punë të respektuar në kuadër të funksionit të tij.
“Z.Canaj kishte bërë një punë të shkëlqyer dhe për mua, si pasues i tij, ishte shumë më e lehtë për të vijuar traditën e mirë. Për më tepër, që duke qenë Konsull Nderi i Izraelit dhe njohur mirë marrëdhëniet historike midis dy vendeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria është e njohur botërisht për shpëtimin e mbi 2 mijë hebrenjve gjatë Holokaustit, do të isha në vëmendjen e gjithë trupit konsullor diplomatik në Shqipëri”, tha Xhillari për gazetën “Izraeli Sot”, i cili tani mbush gjashtë vjet në detyrën e lartë diplomatike.
Rodolf Xhillari, drejtuesi i “Balkan Trans”, një kompani ndërkombëtare e Transportit e themeluar në Tiranë në 1992, e cila ofron një gamë të plotë të Shërbimeve Kombëtare, Ndërkombëtare të Transportit të Transportit, Logjistikës dhe Portit, është një nga kontribuesit e mëdhenj në projekte sociale të ndërmarra nga Ambasada e Izraelit, Konsullata Nderit të Izraelit, në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës të drejtuar nga Erion Veliaj, por dhe me deputeten socialiste, Blerina Gjylameti, Kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Izrael.
“Si Konsullatë Nderi e Izraelit në Shqipëri, por edhe në detyrimet dhe përgjegjësinë humane time si Konsull Nderi, kemi kontribuar në rikonstruksionin e katër çerdheve dhe kopshteve në Njësinë Nr.7 të kryeqytetit. Një iniciativë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilës si Konsullatë Nderi e Izraelit iu bashkuam me shumë dëshirë për të kontribuar, që fëmijët të rriten dhe të edukohen në kushte optimale. Jemi krenarë për kontributin që kemi dhënë. Nuk ka më bukur se të bësh të lumtur fëmijët”, tha Konsulli Xhillari për gazetën “Izraeli Sot”.
29 vitet si themelues dhe drejtues ekzekutiv i “Balkan Trans”, një nga kompanitë e para në industrinë e biznesit të transportit në Shqipëri, i kanë krijuar Konsullit Xhillari mundësinë për të pasur kontakte të panumërta me biznese shqiptare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe ato nga Izraeli.
“Ka qenë në fokusin tim të veçantë, por edhe pjesë e punës sime krijimi i raporteve të shumanshme biznesi më kompani izraelite, veçanërisht në fushën ku edhe kompania ime operon. ‘Balkan Ship” bashkëpunon ngushtë dhe përfaqëson kompaninë izraelite “ZIM”, me qendër në Haifa, një nga më të mëdhatë në botë në transportin e kontejnerëve me anije dhe që kryen një volum të jashtëzakonshëm pune”, tha Xhillari, i cili ka strukturuar një kompani shumë dinamike dhe të përfaqësuar me agjentë praktikash doganore dhe zyra përfaqësimi në shumë shtete, përfshirë edhe Kosovën, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Izraelin, Kinën, dhe vende të tjera.
Konsullata e Nderit ka një rol të dorës së parë dhe një kontribut të mirëfillte, në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Izraelit në Shqipëri dhe atë të Shqipërisë në Izrael në nënshkrimin e Konventës për Shmangien e Taksimit të Dyfishtë dhe Evazionit midis dy vendeve.
“Kjo është një arritje e madhe për bizneset e dy vendeve marrëveshje do të ndihmojë në inkurajimin e investimeve reciproke dhe do të çojë në rritje e aktiviteteve ekonomike izraelite në Shqipëri, për të cilat në Shqipëri kemi shumë nevojë për të përfituar nga përvoja dhe teknologjia shumë e avancuar izraelite, veçanërisht në bujqësi, të cilës qeveria aktuale e Kryeministrit Edi Rama po i jep një rëndësi të veçantë. Ka një rritje të jashtëzakonshme të interesimit dhe nga kompani shumë të mëdha izraelite të formatit të korporatave ndërkombëtare”, tha konsulli Xhillari për gazetën.
Xhillari nuk është vetëm një njohës i mirë i diplomacisë ekonomike. Duke punuar me ambasadorët e Izraelit në Shqipëri – dy të mëparshmit, David Cohen dhe Boaz Rodkin, si dhe atë aktual, Noah Gal Gendler – si drejtues i Konsullatës së Nderit ka kontribuar edhe nga financat personale në disa iniciativa shumë të bukura dhe të mirëpritura, në Tiranë apo në qytete të tjera.
“Kopshti i Miqësisë që është ngritur pranë Korpusit të Universitetit Politeknik të Tiranës, si dhuratë e Izraelit për popullin shqiptar me rastin e 70-vjetorit të Pavarësisë së Izraelit ka dhe kontributin Konsullatës së Nderit të Izraelit. Një kopsht simbolik dhe që përfaqëson më së mirë marrëdhëniet historike dhe aktuale midis dy vendeve”, tha Xhillari për “Izraeli Sot”.
“Gjenocidi më i rëndë në historinë e njerëzimit ishte vrasja e gjashtë milionë hebrenjve nga nazistët, ku për shkaqe racizmi u viktimizuan miliona njerëz të cilët sot përkujtohen me dhimbje nga çdo kush prej nesh. Për fatin e saj të mirë dhe historik, Shqipëria si vend i traditës, bujarisë dhe besnikërisë ka mbajtur qëndrime kundër urrejtjes, duke u ardhur në ndihmë mbi 2000 hebrenjve përgjatë Luftës së Dytë Botërore”, shton ai.
Konsullata e Nderit tregoi edhe rolin e saj kur erdhën ekspertët ushtarakë izraelitë në ndihmë të Shqipërisë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit 2019, duke u krijuar një ambient dhe atmosferë të ngrohtë bashkëpunimi, midis ekspertëve izraelitë dhe specialistëve shqiptarë.
“E konsideroj si një aktivitet që do ta ruaj gjithmonë në kujtesën dhe ditarin e punës sime si Konsull. Ishte një akt i madh i Izraelit ndaj Shqipërisë, në momente shumë të vështira, pasi bëhej fjalë për humbje jetë, të plagosur, të mbetur nën rrënoja apo dëme te mëdha. Më vjen mirë që ekspertët izraelitë fituan zemrat e Shqiptarëve. Dhe këtë nuk e them vetëm se jam Konsulli i Nderit të Izraelit në Shqipëri”, shton ai.
Konsulli në zyrën e tij, përveç dy flamujve protokollarë, ato të Shqipërisë dhe Izraelit, ka edhe një menora të artë (shandan hebraik), si dhe ka edhe një medalje të akorduar nga Shteti i Izraelit për merita të veçanta, por mbi të gjitha spikat titulli “Ambasador i Kombit”, i dhënë në vitin 2019 me vendim të Këshillit të Ministrave, për kontributin shumëvjeçar të Rodolf Xhillarit në promovimin e diasporës shqiptare. Një titull, i firmosur nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Diasporës, Pandeli Majko.
I veshur me “kostumin e diplomatit”, Xhillari ka qenë një nga promovuesit e përhershëm të Kosovës në diplomacinë izraelite, sa herë që atij i është dhënë rasti, në vizita zyrtare apo private.
Më 4 shtator 2020, Izraeli dhe Kosova ranë dakord për njohjen reciproke, një akt i firmosur në “Shtëpinë e Bardhë” në Uashington në praninë e Presidentit të Kohës, Donald Trump.
“Izraeli tregoi dhe njëherë që është një shtet në krah të shqiptarëve! Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit është një tjetër ngjarje historike. Një ogur i mirë ky për zhvillimin e Kosovës, i cili u bë i mundur falë këmbënguljes së SHBA, duke ndikuar kështu në integrimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare”, thekson Rodolf Xhillari, kompania e të cilit operon dhe në Kosovë.
Projekti i fundit i Konsullatës së Nderit është fokusuar në fuqizimin dhe shkëmbimin e përvojave midis studentëve të dy vendeve.
“Konsullata do të mbështesë sjelljen e studentëve nga Izraeli në Shqipëri dhe atyre shqiptarë në Izrael, për të njohur nga afër historinë e të dyja vendeve, edhe pse jo, edhe dhe përfituar nga përvoja izraelite. Nuk ka më bukur, se një miqësi e tillë”, tha Konsulli Xhillari.