Albspirit

Media/News/Publishing

Mentor Kikia: Kush mund tua kthejë dinjitetin mjekëve?

(Letër publike për mjekët që kërkojnë respekt)

Debati për arrestimin e dy mjekëve të Traumës, për marrje rryshfeti, vazhdon. Kolegët e tyre protestuan sërish, për të dytën ditë, kundër mbajtjes së tyre në burg, “duke u trajtuar si kriminelë”. U përfshiva pak minuta në një debat televizv, ku dëgjova disa mjekë të revoltuar. Më bënë përshtypje dy deklarata: Njëri që kërkonte që mjekëve t’u kthehet dinjiteti dhe tjetri që sillte një shembull nga Rumania, ku mjekëve u ishte lejuar rryshfeti, apo dhurata, që të mos largoheshin nga vendi.

E para: Dinjiteti, as mjekut e askujt tjetër, as i merret e as i kthehet, as me vendim qeverie, as me ligj e me asgjë tjetër. Dinjiteti, për këdo, fitohet dhe ruhet nga vetë personi. Nëse ka mjekë që e kanë humbur dinjitetin, e kanë humbur sepse e kanë nxirë bluzën e bardhë. Sepse e kanë trajtuar pacientin si kamarieri klientin, duke i llogaritur në çmim çdo shërbim që i ka bërë. Nëse të tillë mjekë e kanë humbur dinjitetin, më vjen keq, por s’ka perëndi t’ua kthejë më. Mund të jesh edhe në burg dhe je shumë dinjitoz. Sikundër mund të jesh në majë të pushtetit dhe je një palaço.

Unë personalisht njoh shumë mjekë, që janë shumë dinjitozë, profesionistë, njerëz të mrekullueshëm dhe krenarë.

E dyta: Nëse mjekëve do t’u lejojmë rryshfetin me argumentin se rrogat janë të ulëta, po me të tjerët çfarë të bëjmë? Po sikur edhe mësuesit e pedagogët të kërkojnë para nga studentët e nxënësit, sepse e kanë pagën e ulët (sikundër ka raste plot)? Po sikur t’ua lejojmë edhe gjykatësve e prokurorëve (atë që e kanë bërë në fakt)? Po edhe policët të ulët e kanë rrogën. Tu themi t’i lirojnë gjysmën e atyre që kapin, që të plotësojnë pagën? Po sikur ai punëtori i ujësjëllësit të thotë, po s’më sollët rryshfet tani, do ua mbyll rubinetin, apo do ua helmoj ujin, çfarë ti themi? Edhe ai mizerje e ka rrogën.

Kjo është Shqipëria, të dashur mjekë. E varfër, e korruptuar, e rrjepur, e vjedhur, e zhvatur…

Kjo është Shqipëria juaj, e jona, e ne të gjithëve. Këto janë pagat tona, të ulëta e mjerane. Ky është niveli ynë i jetesës. Nëse ti kërkon të të ligjërojnë rryshfetin se e ke pagën e ulët, me argumentin se ti shpëton jetë, po ai që vjen të shërohet, a mendon se sa e ka pagën?

A ke menduar ndonjëherë se ai merr kredi të paguajë rryshfetin tënd për operacionin që ti bën në sallën e shtetit dhe me pajisjet e shtetit?

E ke menduar që dikush shet shtëpinë për të shpëtuar fëmijën?

E ke menduar se dikush edhe vdes, se s’ka çfarë të shesë?

Po, ju meritoni shumë më shumë se kaq, paga shumë më të larta e kushte më të mira, sepse ju shpëtoni jetë dhe profesioni juaj është hyjnor.

Por ne nuk mund të kemi një Shqipëri të mjerë cep më cep dhe mjekë të paguar si në Gjermani.

Nese ju do te protestoni para qeverisë për të kerkuar ngritjen e skemave më të mira menaxhimi për spitalet, që do të çojnë në rritjen e pagave tuaja, në vendosjen e tarifave të përballueshme, respektimin e skemave të sigurimeve dhe duke eliminuar rryshfetin, etj, etj, atëhere do të vij edhe unë.

Please follow and like us: