Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Çfarë kontrasti… por deri kur?!


Prej  tre  ditësh kryebiseda e ditës ka qenë ditëlindja e një djali të vogël 5-vjeçar të një njeriu të njohur në fushën e biznesit… Çfarë kontrasti, çfarë polarizimi të shoqërisë… Pjesa dëruese e shqiptarve që jetojnë me tre euro në ditë dhe atyre që harxhuan deri në 500 euro një shishe vere në këtë ditlindje. Shumë të ftuar nga elita politike nga të dy krahët,  burra me koka të lyera me bojë,  me kostume ‘Versace” dhe orë dore të cilat kushtonin nga 30 mije  euro, bashkëshortet të moduluara me oporacione plastike në klinikat më të shtrenjta të botës, me fustane dhe perla dhe unaza, çanta që kalojnë 100 mijë euro të veshura për çdo zonjë që qëndronin përbri burrave të tyre super të pasur. Lokali  ishte zbukuruar me tapet të kuq, lule në çdo cep të lokalit, tullumbace shumë ngjyrëshe.

– Ndonjë dasmë, i them pronarit?

– Jo, është ditlindja e djalit të një bosi të madh.

Si asociacion më erdhi vetingu shqiptar, i cili duket që ende po merret me peshqit e vegjël, me nëpunësa-ushtarë, që janë urdhëruar nga të tjerët.

– A do të merret me këta kodoshë që ia kanë pirë gjakun popullit me tendera abuzivë apo koncesione skandaloze. Jeta e çakërdisur dhe plot kontraste e këtyre birbove që po na mjelin çdo ditë.

Ajo që nesër do të quhet byroja e hetimit do të mjaftonte që të merrej të paktën me këto filmim e të këto ditlindje apo dasmat madhështore…

Një ditlindje donkishoteske me një bukuri që “të vret“.

Me mburrje, tha një zonjë me zë të lartë që sapo kishte kryer një operacion plastik, se vetëm fustanin e kishte blerë 10 mijë euro, gjerdanin me perla 15 mijë euro, 30 mijë euro i bënte  ora e dorës dhe 25 mijë euro bënte çanta e dorës… të gjitha të blera në dyqanet VIP më të shtrenjta të Europës… Në jetë ka tre shtresa njerëzish, disa janë shumë të pasur një pjesë tjetër e tyre është mesatarisht e pasur dhe shumica e madhe e tyre janë shumë të varfër.

Pra, kjo është dëshmi se disa kanë pasuri marramendëse me para të depozituara në të gjitha bankat e botës, të tjerë kanë më pak apo kanë pasuri mesatare dhe një numër i konsiderueshëm nuk ka fare pasuri. Jeton në varfëri të tejskajshme saqë edhe ilaçet i merr me listë. Në fund të fundit nuk është e qartë apo ndoshta nuk po arrijmë ta kuptojmë se si është e mundur që disa persona të veçantë të veshur me pushtet  ose në krahë të pushtetarve apo edhe në opozitë kanë pasuri marramendëse prej miliona eurosh e shumica e konsiderueshme e njerëzve të mos ketë para për të blerë të paktën një bukë të vetme për ta mbushur barkun personal dhe të familjarëve të tyre.

A thua nuk mund të bëhet një shpërndarje pak më korrekte e resurseve dhe pasurive natyrore dhe materiale në ambientin jetësor?

Si ka mundësi që po grabitet hekuri i Debrovës, një pasuri e jashtëzakonshme që ka qënë një rezervë sekrete shtetërore që do të përdorej vetëm për një emergjencë të vendit dhe po mbushen xhepat e disa personave që ju vijnë në banka në llogaritë e tyre qindra mijra euro çdo javë nga Kavardaci i Maqedonisë.

Po pyjet, druri i arrës dhe lënda drusore që priten dhe çohen nga një takëm tjetër në Greqi?  Sa makina me dru kanë kaluar në Kapshticë?

Nuk  besoj se natyra është aq koprace që të mos u jep njerëzve resurse të mjaftueshme për jetë. Por ajo që e përkeqëson më së shumti çështjen e shpërndarjes më korrekte dhe më reale të resurseve që i përmenda është lakmia e tëpërt e disa njërëzve që vetë të kanë tepër e më tepër. Psh. ta marrim tokën si resurs  kryesor për jetën  kjo  është  aq e bollshme  për të krijuar ushqim të mjaftueshëm me qëllim që njerëzve t’iu siguroj ushqim,  dhe kushtet elementare për jetesë. Por kur kjo copë e madhe ajo që quhet ‘pjesa e Luanit’ grabitet nga ‘peshkaqenët’ dhe fakir fukarasë i ngelen thërrimet…

Ajo që është më e pakuptimtë bile edhe skandaloze është fakti se këta që kanë shumë nuk u japin atyre që nuk kanë fare…  “Kafshatë që s’kapërdihet është mjerimi”, thotë Migjeni. Shpirtin refuzues dhe jonjerëzor të njerëzve të pasur që venë pasuri marramendëse një pjesë që nuk kap as 3 përqind të popullsisë, ndërkohë që një pjesë dërmuese hiqet zvarrë… Por rruga për në zemër kalon nga stomaku, thotë një proverb e vjetër dhe barqet bosh asnjëherë nuk do t’u japin votën që ju të dhjamoseni deri në pafundësi… I gjithë ky polarizim apo hendek i madh është krijuar në këto 30 vite post dikaturës nga politikanët tanë që kanë menduar vetëm për xhepat e tyre; gjithësesi ashtu siç po rrjedhin ujrat shumë shpejt do ta marrin faturën  që meritojnë… Shpresohet që edhe me këmbënguljen amerikane duket që lumin kësaj here nuk do ta kalojnë dot me varka prej letre. Deti po buçet dhe leshteriëet patjetër që do t’i hedhi në anë…

Pa pritur shpërthyen qindra mijra fishekzjarre që mu duk vetja sikur isha në Uembli kur po kurorzohej Italia si Kampione Europe…

Befas ma vuri dorën në sup rojtari i lokalit dhe më tha: Ore gazetar, këta të SPAK-ut pse nuk e fillojnë me vilat e Gjirit të Lalëzit apo ato vilat në hyrje të Tiranës. ‘Royal Hills’. T’i thërrasin njëri pas tjetrit dhe t’u thonë ku i gjetët paret? Unë jam permetar dhe kam qenë fqinjë me atë vajzën që kanë prangosur, atë drejtoreshën në Ministrinë e Brendshme që u fut në burg për ato tenderat e uniformave të policisë. Ajo ka qenë studente ekselente, avokate, vajzë emigrantësh që kanë jetuar me djersën e ballit, ka ardhur në Tiranë nga Përmeti dhe prej vitesh qëndron në shtëpi me qera… Vetëm ajo nuk vidhte dhe nuk bënte dallavere dhe mbi të gjitha ishte shumë e aftë;   kush e mori me qafë atë vajzë të ndershme zoti i lëshoftë një rrufe mbi kokë dhe mos gjet derman, tha rojtari…

 

Please follow and like us: