Albspirit

Media/News/Publishing

Azgan Berbati: ATDHE I DHIMBJES

Për çdo autor është e dhimbshme kur shkrimi i tij fillon kështu; akoma më e dhimbshme është kur shkruan dhimbja më shumë se autori.

Është nga ato dhimbje që kërcënon dimensionin e shpirtit, veçanërisht kur shpirti është atdhe!

Përherë kam ndjerë tek vetja një dashuri të vazhdueshme për atdheun, një dashuri, e cila ndryshon prej dashuriçkave, prej atyre bash-fiksimeve për të uruar vetëm në raste festash, e cila edhe më ka bërë të reagoj, jo vetëm me shkresa oponencash, kritikash, etj, që jo rrallë marrin rëndësinë e të pavlerës. Një dashuri, e cila, si çdo dashuri tjetër marrëzisht e shprehur duket qesharake për ata që nuk e njohin dhe s’e kuptojnë.

***

Është e qartë që Shqipërisë i mungon diçka, diçka që duhet ta ndryshojë atë cilësisht dhe në këtë kontekst ta kthejë në një elektromagnetikë, e cila të kthejë gjithashtu përmbajtjen organike të saj, substancën dhe integritetin e saj.

Që të shkojmë tek njohja e kësaj mungese duhet të analizojmë shkaqet e krijimit të saj.

(Analiza konsiston në mënyrë të përgjithshme, ndaj prevalueses, me gjithë respektin ndaj minorancës).

Së pari: Televizionet blihen dhe shiten në varësi të interesit më të madh; nuk është i vetëm ky problem. Aty, në televizione shfaqen gjithollogë që vetëm për zgjidhje apo trajtime problematikash nuk flasin, megjithëse ndonjëherë tek-tuk bëjnë “sikur”. Ajo që ka rëndësi primare për ata, portretet e kollarisura, pederastët e pseudokauzave dhe gjijashtat me kofshët e vajisura është dukja vetjake, dukje, e cila bëhet përherë më e pështirë dhe kjo, jo vetëm pse nuk e ka gjë vlerën, por, sepse në emër të saj (vlerës) promovohet dhe shpërndahet si model e kundërta, antivlera. Pastaj, ndaloje shoqërinë jashtë ekraneve që përpiqet të identifikohet në të njëjtën mënyrë me pafundësi identikësh; nuk i ndalon dot dhe e keqja injektohet edhe më thellë…

Së dyti: Arti është bërë qepaze, edhe pse mjeti më utilitar për të ndërtuar të bukurën, modelin për një shoqëri të duhur.

Nuk e ka një filtër ky “zhel mjeran”, mbi të cilin vendos çdo rrugaç dhe dashnore e rrugaçit nga një arnë dhe përfundimisht e shesin si model të kllounizuar, i cili shumë rrallë hiqet nga skena për t’iu lënë vend atyre, artistëve të vërtetë edhe pse të pafuqishëm për të ndryshuar shumicën e deformuar në permanencë, shpejtësia e së cilës është kancerogjene.

Shikojini të rinjtë, bile ju, të rinj vetshikohuni me ndjenjën reflektuese, me bindjen se të qënurit si ata (rrepat, rrepistë) si dikush, si kushdo, nuk është veçanti, nuk ka bukuri kjo gjë, bile në rast se reflektoni do iu shpifen shumicat e ngjashme, s’do të silleni më si të tufëzuar, si ata; do të mund të dëgjoni një këngë, teksti i së cilës është së paku tekst, ka substancë. Do të vlerësoni artin me atë që ai përçon, jo femrën sikur do të shesë këngë e albume dhe në fakt shet trupin, jo ata meshkuj që vijnë nga rruga dhe iu predikojnë trimëri-burrëri, pasuri, etj; ata përfaqësojnë veç rrugën, asgjë tjetër që thotë e drunjta gjuhë e tyre.

Do të kuptoni, të dashur bashkë të rinj që poezia është diçka tjetër pos asaj që sponsorizohet në rrjetet sociale, do të kuptoni të bukurën, prandaj do të dini t’a doni dhe t’a ndërtoni atë.

Së treti: Universitetet dhe politika kanë fajet më të pafalshme për dy pikat e para dhe çdo aspekt tjetër në këtë vend.

Shikoni universitetet, ato janë të pafuqishme për të ndërtuar shoqëri të duhura; kjo, sepse vetë rrugeçërit janë të kualifikuar për t’u shndërruar në universitarë, paradoksalisht, pa mundur, jo vetëm për të ndërtuar shoqëri të duhura, por për t’i shkatërruar ato. Duke humbur të drejtat e shenjta që e bëjnë universitetin të blinduar nga pikpamja e depërtimit të çdolloj force e mekanizmi aty: lirinë akademike dhe autonominë.

Duke i rrënuar një herë e përgjithmonë të dyja, bashkë me sovranitetin e (sub)koshiencës së tyre.

Ç’kërkon politika në universitet, në vendimmarrjet e tij?!

Ç’i duhet universitetit, studentëve profesori që ngel nëse i nënshtrohet një diktimi të shkollës fillore; po ai tjetri që vjedh, jo vetëm disertacion, por edhe xhepin e studentëve; për çfarë shërbejnë këta?!!

Po, ata të tjerët, armiqtë e lirisë studentëve, censuruesit e tyre, imoralët, nepotikët, pijanecët!?…

Etj, etj, etj; pafundësisht!…

Politika mbetet kryefajtore dhe jo vetëm për fajin e politikanëve, por edhe për fajin e secilit prej nesh.

Jemi ne, ata që kemi lejuar njerëz që nuk e kanë superioritetin moral në të përfaqësuar, i cili shënon dhe hapin e parë të një dështimi të madh.

Ky dështim veç sa është thelluar, jo vetëm për faktin e mospërfaqësimit, por, sepse e ka bërë atmosferën politike një ambjent, i cili për t’u përshtatur në të kërkon dhe vlerëson servilë, spiunë, nepotikë, duke lënë jashtë vlerën, atë për të cilën politika dhe krejt shoqëria kishte dhe do të ketë gjithnjë nevojë.

Ata, të vlerët janë rrallësisht aty, të paktë dhe pa funksione ndryshimi në duar, sepse ata, të vlerët s’mund të jenë kurrsesi servilë, të kapur, dakort me të keqën, ata, prandaj nuk janë aty, shoqëria jonë, prandaj është këtu; shkrimi im, fatkeqësisht një shkrim për analfabetët.

Please follow and like us: