Botohet dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit kundër poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi
Në Tiranë, sapo ka dalë nga shtypi një libër me dosjen sekrete të Sigurimit famëkeq të Shtetit kundër poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi.
Një seri dokumentash provojnë manipulimin e qëllimshëm dhe akuzat e rreme të motivuara politikisht ndaj dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, që u pushkatuan 44 vjet më parë, më 17 korrik 1977.
Pas 44 vjetëve nga pushkatimi prej diktaturës i dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi vëllai i këtij të fundit Bedi Blloshmi arriti të gjejë në arkiva procesverbalin e vdekjes dhe një seri dokumentash sekrete dhe i publikoi në një libër.
Titulli i librit është vet titulli i dosjes sekrete: mbi përndjekjen, arrestimin, hetuesinë, gjyqin dhe ekzekutimin e Vilson Bbloshmit: Dosja Formulare, Kategoria 2°, nr.840.
“Pas shumë vite kërkimesh, më në fund kam gjetur procesverbalin e pushkatimit të vëllait, ku ka firmosur Spiro Koleka, Haxhi Lleshi e disa të tjerë. Ata kanë diskutuar 5 orë për një dekoratë dhe në fund ishte pika e tretë, kur njëri prej tyre thotë se “kemi edhe disa të dënuar me vdekje, dhe si do të bëjmë me ta”. Aty është vetëm një shprehje e Haxhi Lleshit, që “këta janë familje armiqsh dhe nuk e duan socializmin”. Kaq ishte” – thotë zoti Blloshmi.
Dy poetët u pushkatuan më 17 korrik 1977 për motive politike si kundërshtarë të regjimit. Vilsoni ishte 28 vjec në kohën e arrestimit dhe pushkatimit dhe la pas jetime një vajzë të mitur vetëm 1 vjeç.
Në dosjen formulare të Vilsonit gjenden dokumente të rralla e sekrete nga Sigurimi famëkeq i Shtetit, pseudonimet e spiunëve të tij, vendimi i arrestit, marrja në pyetje nga hetuesit, akt-ekspertimet e poezive të tij nga 3 studiues të letërsisë, akuza për agjitacion e propagandë, vendimet e komitetit të partisë së punës dhe të trupit gjykues për dënimin e tyre me vdekje.
“Kjo dosje ka tmerre, çudira e mashtrime kriminale. Këtu ka bashkëpunëtorë të Sigurimit me gjithë pseudonimet e dekoduara. Këtu ka shënime nga Hysni Kapo, nga Ramiz Alia, nga Miti Nito, nga Sako Rama, sigurmsa dhe komunista në Tirana dhe nga Librazhdi. Sekretari i parë i Librazhdit Sotir Koçollari ka mbledhur 18 sekretarë partie dhe kanë vendosur të dënohen maksimalisht dy poetët. Madje shprehja e fundit është e Sotir Koçollarit se “Vilsoni është më i zgjuar se të tjerët, e di që e pret pushkatimi, prandaj nuk e pranon aktin” – thotë zoti Blloshmi.
Bedri Blloshmi është një ndër shumë të paktët autorë librash me dokumenta mbi dikaturën komuniste.
Pas pushkatimit të vëllait, dënimi i tij me vdekje u shndërrua në vite të gjata burgimi në burgje, kampe pune torturuese.
Ai thotë se ende strukturat e Sigurimit të Shtetit janë në këmbë, pengojnë zbardhjen e krimeve të tyre, fshehin e zhdukin dokumente, me shpresën se gjithcka do të harrohet, duke i futur viktimat e tyre në një rreth vicioz, ku humbin shpresat.
“Vetëm unë kam 33 informacione për vend-pushkatime. Të tjerët dinë shumë vende të tjera për mijëra të pushkatuar të pagjetur ende. Këta që janë sot nuk duan të veprojnë, se nuk duan të zbulohen krimet e baballarëve të tyre. Nuk i bën asnjeri këto gjëra. Dalin disa persona që nuk kanë lidhje fare me persekutimin, dhe thonë “na vjen keq për këta se kanë vuajtur”. Por këtë duhet ta them unë dhe të burgosurit e tjerë, ndërsa zyrtarët të zbardhin krimet e komunizmit” – tha zoti Blloshmi.
Sipas statistikave të pjesshme nga organizatat e të përndjekurve politikë, diktatura komuniste vrau si kundërshtarë politikë 5500 persona, burgosi rreth 30 mijë vetë për motive politike, internoi rreth 60 mijë persona.
Diktatura vrau dhe burgosi 310 klerikë dhe besimtarë dhe shkatërroi 220 institucione fetare.
Përveç vendasve, diktatura komuniste pushkatoi 95 shqiptarë të Kosovës, dhe 64 shtetas të huaj, si dhe burgosi 1 mijë e 250 persona me kombësi joshqiptare, mes të cilave 38 zonja nga shtete të tjerë./voa
“Familje armiqsh”, botohet dosja e sigurimit kundër poetit Vilson Blloshmi
———————————-
Botohet “Gjykata e Lartë zbret në Pukë”, një libër me dokumente dhe dëshmi për revoltën e Qafë Barit
Në Tiranë, ish i burgosuri politik, Bedri Blloshmi, sapo ka botuar në Tiranë një libër të ri me dëshmi dhe dokumenta mbi revoltën brenda burgut të Qafë Barit gjatë diktaturës komuniste. Libri titullohet “Gjykata e Lartë zbret në Pukë” dhe përshkruan në detaje vrasjen e të burgosurve politikë Sokol Sokoli, Tom Ndoja dhe Sandër Sokoli. Autori thotë se krimet e komunistëve shqiptarë nëpër burgjet dhe kampet e shfarosjes duhen ndriçuar dhe kujtuar, në mënyrë që të mos përsëriten. Bedri Blloshmi është një ndër autorët e pakët që shkruajnë ende mbi krimet e regjimit komunist. Jo se nuk ka çfarë të shkruhet mbi vrasjet e diktaturës 45-vjeçare, por se është vështirë të gjenden dokumente mbi ato krime. Në rastin e Bedriut është gërshetuar këmbëngulja e tij për të gjetur dokumente arkivore së bashku me kujtesën e tij të fortë personale, si ndodhi me librin për revoltën e Qafë Barit, ku ka qenë i burgosur dhe dëshmitar okular. Burgu Minierë i Qafë Barit ishte në fakt një kamp famëkeq shfarosjeje, ku gërmohej 24 orë mineral me tre turne në kushte pune të tmerrshme, dhe ku shpesh të burgosurit punëtorë vdisnin brenda galerive. Në rastin e revoltës së Qafë Barit në maj 1984 u pushkatuan Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ndërsa vdiq në tortura Sandër Sokoli, si dhe u ridënuan nga 10-25 vite burg shtesë edhe 10 të burgosur të tjerë, pjesëmarrës në këtë rebelim spontan brenda mensës së burgut; Sokol Progrni, Vllash Koçi, Martin Leka, Haxhi Barxhinovski, Bajram Vuthi, Ndue Pisha, Lush Bushgjoka, Kosntandin Gjordeni, Lazër Shkëmbi dhe Hysen Tabaku. Bedri Blloshmi ka qenë i dënuar me vdekje, dhe pas pushkatimit të vëllait poet Vilson Blloshmi, dënimi iu kthye në burgim të gjatë. Ai thotë se prej 30 vjetësh përpjekjet e komunistëve për të fshehur krimet e tyre janë shumë herë më të mëdha se sa puna e pak autorëve për të ndriçuar ato krime, ndërsa për ndjesën e xhelatëve as nuk bëhet fjalë, por ende thonë se mirë u bë edhe se ashtu ishte koha. Madje, shton ai, shumë nga punonjësit e Sigurimit famëkeq të Shtetit komunist janë kthyer sot në poste shtetërore me rëndësi. Bedri Blloshmi është autor i 9 librave me dëshmi dhe dokumenta për krimet e diktaturës komuniste; “Fabrikimi i Vdekjes”, “Rrëfime nga Ferri komunist”, “Revolta e Spaçit”, “Plumba në Ferr”, “Saga e Blloshmëve”, “Sigurimi i Shtetit në Librazhd”, “Poetët Martirë Vilson Blloshmi e Genc Leka”. E sot edhe librin “Gjykata e Lartë zbret në Pukë”, një libër tronditës me dokumenta, dëshmi, ditarë e kujtime mbi atë ngjarje tragjike nën diktaturën më të egër komuniste midis vendeve të Europës Lindore.