Albspirit

Media/News/Publishing

Artistja shqiptare Ilva Lulashi, protagoniste e “Italian Twist”

Artistja shqiptare Iva Lulashi është ndër protagonistet e “Italian Twist”, ekspozita e fundit e Fondacionit Imago Mundi, e cila zhvillohet në “Gallerie delle Prigioni” në qytetin e Treviso. Artistja është gjithashtu e ftuar në një takim të hapur, të planifikuar për në datën 22 korrik 2021.

Iva Lulashi është pra një ndër artistët pjesëmarrës në “Italian Twist”, një ekspozitë në grup (kolektive) që shënon rihapjen, pas mbylljes mbi një vjeçare për shkak të pandemisë, të “Gallerie delle Prigioni”, hapësirë bashkëkohore për ekspozita si dhe muze i Fondacionit Imago Mundi në Treviso. Ekspozita do të qendrojë e hapur prej datës 10 qershor deri më datë 26 shtator 2021. Iva Lulashi do të jetë gjithashtu e pranishme në Treviso ditën e enjte, më datë 22 korrik, për eventin me temë “Painting Now”, në të cilën ajo do të bashkëbisedojë me kuratorin Carlo Sala dhe artistë të tjerë të rinj, mbi bashkëkohësinë e kësaj praktike artistike.

Ekspozita Italian Twist, në të cilën janë ekspozuar dy vepra nga Iva Lulashi, përqendrohet në prodhimin artistik të autorëve të lindur në Itali ose që kanë zgjedhur të jetojnë dhe krijojnë në atë vend. Ekspozita paraqet një përzgjedhje të veprave nga 19 artistë, të lindur kryesisht në vitet 80 dhe 90, së bashku me koleksionet Imago Mundi kushtuar Italisë, Siçilisë dhe rajonit të Campanias.

Punimet e mbledhura në Italian Twist tregojnë për tronditje të reja estetike, qarqe të shkurtra, shkrepje krijuese dhe përmbysje të perspektivave, si në lidhje me teknikat artistike dhe stilet, ashtu edhe në lidhje me temat aktuale dhe urgjente.

Në këtë kontekst, veprat e Lulashit, me konturet e tyre jashtë fokusit, paletat pastel dhe atmosferat ëndërruese dhe pornografinë e butë (soft porn), duket se korrespondojnë me atë që tha shkrimtari austriak Arthur Schnitzler, autor i “Ëndrrës së Dyfishtë”, shpreh në poezitë e tij:

“Të gjurmosh sa më shumë që të jetë e mundur kufijtë midis vetëdijes, gjysëm vetëdijes dhe pavetëdijes, në këtë konsiston arti i poetit ”. Lulashi gjurmon këtë kufi kalimtar midis vetëdijes dhe pavetëdijes dhe shkon përtej saj duke na paraqitur nuanca vizionare dhe mozaikë të kujtimeve dhe dëshirave të nxjerra nga filmat erotikë ose nga propaganda.

Duke përzier kujtimet personale dhe kolektive, Lulashi i shndërron këto imazhe në gjeste të rezistencës, duke i kundërvënë lirisë, të identifikuar me erotizmin, në ndërhyrjen e ideologjive totalitare, si në të dukshme dhe të lëvizshme, ku, në një kontekst bukolik, dy të dashur afrohen me ndrojtje. Ose, kundër dominimit patriarkal, Lulashi përmbys pikëpamjen narrative, ashtu si protagonista misterioze dhe kërcënuese e “Fatkeqësive të Virtyteve”.

Rreth artistes:
Iva Lulashi ka lindur në Tiranë në vitin 1988 dhe është diplomuar për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia. Ajo ka qëne ndër artistet rezidente në Viafarini, Milano. Ka ekspozuar punët e saj në ekspozitat e mëposhtme personale: “Pranë dhe gjetkë” Prometogallery, Milano (2020); “Dashuria si një gotë ujë”, Salzburger Kunstverein, Salzburg (2018); “Kornizat”, Villa Rondinelli, Firenze (2017). Ka ekspozuar gjithashtu në grup në: “Ti Bergamo”, Gamec, Bergamo (2020); “Çfarë shoh”, Muzeu Mart, Rovereto (2020); “BienNolo”, Milano (2019); Bienale Mesdhetare, Tiranë (2018).

Iva Lulashi eshtë ndër artistët e koleksionit “Knots/Nodi/Nyje – 163 Contemporary Artists from Albania” koleksion dhe botim i Imago Mundi kushtuar Shqipërisë, me veprën me përmasa 10x12cm “Vjedhja e Gjumit Mbretëror”.

Rreth FONDACIONIT IMAGO MUNDI
Fondacioni Imago Mundi është një institucion jo-fitimprurës me seli në Treviso, i cili vazhdon kërkimin dhe dialogun midis kulturave bazuar në Koleksionin Imago Mundi, një koleksion i artit bashkëkohor global i lindur mbi dhjetë vjet më parë nga një ide e Luciano Benetton që sot përfshin më shumë 26,000 artistë nga e gjithë bota. Fondacioni Imago Mundi vepron si katalizator për shprehjet artistike dhe fermentet kulturore në një botë tepër komplekse dhe të ndërlidhur.

Rreth GALLERIE DELLE PRIGIONI
Në vitin 2018, falë restaurimit nga Tobia Scarpa, “Gallerie delle Prigioni” u hap në Treviso, një hapësirë ekspozite dhe platformë eksperimentale për ekspozita, biseda, ngjarje dhe seminare edukative. Fondacioni kombinon zgjerimin e “Koleksionit Imago Mundi” me ideimin dhe prodhimin e ekspozitave të reja, kërkimin dhe shpërndarjen e artit pamor bashkëkohor dhe gjuhëve të tij.

https://gazetamapo.al/artistja-shqiptare-ilva-lulashi-protagoniste-e-italian-twist/

Please follow and like us: