Albspirit

Media/News/Publishing

Isaac Herzog, shqiptarët kanë një mik të madh në “Shtëpinë e Bardhë” të Izraelit

Nga Dash Frashëri, botues i gazetës “Izraeli Sot

Kur më 7 korrik 2021, Isaac Herzog u betua si Presidenti i 11-të në historinë e Shtetit të Izraelit, të pranishëm ishin edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Izrael, Bardhyl Canaj dhe Ines Demiri.

 

Gjatë bisedës përshëndetëse me ambasadorin shqiptar, ku ishte e pranishme edhe bashkëshortja e tij, Michal Herzog,Presidenti i 11-të i Izraelit ka shprehur dëshirën që të bëhet i pari që do të vizitojë Shqipërinë. Tone të ngrohta pati dhe biseda me kryediplomaten kosovare në Jeruzalem.

 

61-vjeçari Isaac Herzog është djali i ish-presidentit Chaim Herzog (presidenti i gjashtë i Izraelit, 1983-1993), duke shënuar rastin e parë, kur babai dhe djali janë zgjedhur në krye të shtetit hebraik.

Ish-kryetari i Agjencisë Hebraike, Isaac Herzog, mori 87 vota nga deputetët në një votim të fshehtë në parlamentin izraelit, Knesset. Kundërshtarja e Herzog, fituesja e Çmimit të Izraelit, Miriam Peretz, mori 27 vota.

Ishte fitorja më e madhe në çdo zgjedhje presidenciale në historinë e Izraelit.

Juristi Herzog, një ish-udhëheqës i opozitës dhe një ish-ministër i Mirëqenies dhe Diasporës, ka një lidhje të ngushtë shpirtërore me shqiptarët, duke dëshmuar dashurinë dhe respektin ndaj popullit që shpëtoi hebrenjtë gjatë Holokaustit famëkeq të ushtruar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 12 janar 2020, Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Dr. Bardhyl Canaj, zhvilloi një takim pune me kryetarin e Agjencisë Hebraike (Jeëish Agency), Isaac Herzog, me të cilin bisedoi për fuqizimin e marrëdhënieve speciale midis shqiptarëve dhe hebrenjve.

“Faleminderit Isaac Herzogut, për shprehjen e gatishmërisë së tij për të përshtatur modelin e Diasporës Hebraike me Shqipërinë. Takim shumë produktiv me Kryetarin e Jeëish Agency dhe Ambasadorit Canaj, për të diskutuar mundësitë për të forcuar marrëdhëniet e veçanta midis shqiptarëve dhe Popullit hebre”, shkruhet në mesazhin e ambasadës shqiptare në rrjetet sociale, që ka publikuar edhe foto nga takimi.

Më 22 tetor, Parlamenti shqiptar, me iniciativën e përbashkët të dy deputetëve socialistë, Taulant Balla dhe Blerina Gjylameti, miratoi përkufizimit të punës së antisemitizmit të Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit (IHRA)

Si e tillë, Shqipëria është bërë një nga vendet e para shumicë-myslimane që miraton përkufizimin. Përkufizimi i rënë dakord nga IHRA, një organizatë ndërqeveritare që përfshin 34 vende anëtare, është një klasifikim i rënë dakord ndërkombëtarisht i antisemitizmit. Jo vetëm që është një deklaratë e qartë, e përmbledhur, por edhe një mjet efektiv me të cilin mund të matni dhe kundërveproni antisemitizmin.

Isaac Herzog, asokohe Kryetari i Agjencisë Hebraike, e përshëdeti aktin: “Unë e përgëzoj qeverinë shqiptare për hapin e rëndësishëm që ka ndërmarrë në luftën kundër antisemitizmit. Miratimi i përkufizimit të IHRA-së për antisemitizmin është mjeti më i rëndësishëm dhe efektiv aktualisht i vendosur në arenën ndërkombëtare për të ndërmarrë veprime praktike kundër murtajës së antisemitizmit. Përgëzoj Kryeministrin e Shqipërisë, mikun tim të mirë Edi Rama, për këtë vendim të rëndësishëm, i cili vjen pasi ai së fundmi përuroi një monument mbresëlënës në Tiranë në kujtim të Holokaustit dhe në nder të të Drejtëve Ndër Kombet nga populli shqiptar. ”

Ish-Kryetari i Agjencisë Hebraike, Isaac Herzog, në fjalën e mbajtur në Forumin Ballkanik Kundër Antisemitizmit të organizuar online në Shqipëri, më 28 tetor 202, theksoi se Shqipëria ndërmori një hap shumë të rëndësishëm në luftën kundër antisemitizmit.

“Është konferencë mbresëlënëse. Dua të përgëzoj liderët në Shqipëri, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, zotin Edi Rama, zotin Taulant Balla. Shqipëria mori një hap shumë të rëndësishëm në luftën kundër antisemitizmit. Hebrenjtë duhet të jetojnë të lirë kudo që ndodhen.

Hebrenjtë janë kërcënuar dhe janë përballur me vuajtje të mëdha. Çdo vend duhet që të luftojë për të parandaluar këto incidente të tmerrshme. Në Afrikën e Jugut ka shumë urrejtje ndaj hebrenjve e ndaj duhet bërë gjithçka për të ndryshuar mendësinë. Janë parë shumë sulme ndaj institucioneve hebreje”, tha Herzog.

Please follow and like us: