Bie në sy për trupin e hijshëm, Olimpia Smajlaj bëhet këngëtare
Ra në sy për zërin e veçantë e zhanrin, kryesisht rock, dhe më pas u kthye një ndër këngëtaret më ambicioze, ndonëse ende në fillimet e saj.
Spikati në “Xing me Ermalin”, por aq ishte vetëm ‘start’-i, sepse tashmë Olimpia Smajlaj e ka të qartë rrugën që do të ndjekë dhe është e bindur që ajo do të jetë gjithmonë e lidhur me pasionin për muzikën.
E ftuar pasdite te “Rudina”, në Tv Klan, Olimpia tregoi se viti i pandemisë i shërbeu për t’iu futur punës dhe për të krijuar sa më shumë muzikë. Brenda një viti, ajo ka realizuar dy këngë të reja dhe dy rikrijime të artistëve të tjerë.
Siç rrëfeu këngëtarja, projektet i ka të qarta: “Futu vajzë në studio dhe prodho sa më shumë këngë. Seriozisht. Ky është vetëm fillimi, sepse mua më vjen keq që publiku shqiptar nuk ka arritur të më njohë për atë që realisht jam lidhur me muzikën. Më njohin ndoshta nga televizioni, por nuk dua që ajo të jetë gjëja e parë që ata dinë për mua, dua të jetë muzika. Dua që ata të dëgjojnë muzikën time, të kenë interes për muzikën time”.
Për të, është e rëndësishme që të mos fokusohet vetëm në muzikën komerciale, por edhe ta edukojë publikun me një frymë të re, pse jo, pak të ndryshme nga ajo që dëgjohet më shumë nga të gjithë.
“Kam vazhduar të bëj atë që mendoj unë, sepse nuk e kam menduar si burim kryesor financiar muzikën, por që realisht po e shoh si mundësi të tillë, sepse dua që ta bëj me shumë qejf. Po mundohem të gjej gjuhën e përbashkët midis asaj që mund ta kuptojë publiku shqiptar, që mos të jetë shumë e izoluar vetëm në një grup specifik dëgjuesish, dhe asaj që dua unë realisht. Kënga “BB Wine” ka nota reggae, nuk është aq rrok, aq e vështirë për t’u kuptuar. Këtë do mundohem të bëj unë, të gjej një të mesme midis asaj që pëlqej unë dhe asaj që pëlqen publiku dhe mund ta ndjekë”.
“Ideja është që dikush duhet t’i ushqejë njerëzit me muzikë të mirë, jo vetëm me komerciale. Mendoj që mungon një frymë e re, mendoj që mungojnë ca ritme të reja, duhet të ketë një lloj diversiteti pak më të madh. Ka disa artistë në Shqipëri që po lëvrojnë ca gjëra të reja tek elektronikja dhe dua të jem edhe unë një nga ata që po sjell diçka të re që njerëzit mund të kërcejnë edhe me këtë, jo vetëm me atë që janë mësuar dhe u jepet gjithmonë e gatshme nga mediat”./tv klan
https://gazetamapo.al/bie-ne-sy-per-trupin-sexy-olimpia-smajlaj-behet-kengetare-foto/