Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Fantazmat

Tregim

Fantazmat. I pashë të zbrisnin nga muret dhe të ecnin të çakërdisura nëpër rrugët e gurta. Veshur të gjitha me petka të bardha, të pluhurosura si mullixheshat. Ishin të lehta, pupëla dhe kërcenin hop-hop, madje hera-herës duke u rrokullisur nëpër gurë e guriçka. Vinin prej larg. Me fytyra të përhitura, të zbehta, vija-vija, të munduara nga mosthënia. Nxitonin. Deshën të ishin në Kishën e Kryeëngjëjve, përpara se të zbriste drita e mëngjesit dhe të dëgjoheshin këmbanat e lutjeve.

I pashë të gjitha kur u afruan dhe u tremba. Nga cilat ngjarje a udhëkryqe kishin zbritur ato? Ç’kërkonin? Kush fshihej pas çarçafëve të bardhë?

Nuk u dukeshin as sytë, as damarët e ballit, as duart e holla delikate, as ndonjë pikë djerse nga rendja e gjatë. Asnjë shenjë identifikimi. Në fund të fundit a ishin vajza të reja njomëzake apo plaka gërdallë që trembeshin nga mbarimi i nxehtësisë dhe i dëshirave? Megjithëse i fshehur pas perdeve të trasha të seriozitetit që vareshin hijerënda në dhomën e gjumit, ato hynë nga dera e pasme, ajo sekrete, u ngjitën në shkallaret e gurta, deri në patin e sipërm. Në ngrehinën treshekullore ku banoj, kalimi nga një kthinë në tjetrën është fare i thjeshtë, dhe ato s’u lodhën hiç të më kapnin gafil në shtrat. Isha vetëm.

Erdhëm të të pyesim: Ti je një murg apo një gazetar?

Disa thonë që je një murg kokëshkretë, mjeran, mbyllur brenda në një dhomë plot me libra, mbështetur parakrahët mbi syprinë tavoline deri sa në fund të përplaset edhe koka mbi të. Nga lodhja sigurisht.

Ç’fantazma pa fytyrë e pa sens! Hyni në shtëpinë e tjetrit dhe kërkoni llogari. Bëni dhe gjyq! Ç’kërkoni prej meje? – bëra të ngrihesha prej shtratit, duke harruar se atë natë kisha fjetur gollomesh.

Njëra syresh u afrua paturpësisht dhe mua më ngjau se sytë e saj nga thellësia ku gjendeshin riperceptonin gjithçka që fshihej përposh çarçafëve dhe jorganit hollak me ngjyra e lule të kuqërremta. Më ngjau e njohur, prej frymës dhe lakimeve në lëvizje.

Ti me siguri nuk je vetëm. Ku e ke fshehur atë?

Cilën? – ngrita zërin në revoltë. Jam i martuar, – përsërita, i gatshëm të jepja një shpjegim sa më bindës.

Të njoh, të njoh mirë çfarë mëkatari je. Nuk ju kujtohet ajo nata e tregimit? Ajo natë kur zëri yt përkëdheli veshët e mi, kur duart e tua prekën trupin tim të akullt, e gjallëruan, ngrohën gjymtyrët dhe ndezën një zjarr që ende më përvëlon. Apo e ke harruar?

Cila natë? Ndoshta gabohesh, pasi nata u jep trajtë të tjetërllojtë gjërave, pamjeve, kuptimeve… Ndonjëherë edhe përjetimet janë ndryshe natën.

E pacipa qeshi me të madhe.

Hahaha… qënke dhe gënjeshtar. Dashuria është vërtetësi dhe qartësi. Të kam ndjekur në dhjetra rrugica, bare e taverna. Dikur hypa edhe në një avullore shëtitëse. Hyra në kabinën ku bëje dashuri me gruan e atij… personazhit të romanit … Të kam gjetur dhe në…

U ul e dërmuar, e lodhur prej mundimeve, atje në fund të shtratit, ashtu e paformë dhe grabitqare e vëmendjes. Aspak ziliqare. Por e pazbutur. Kryeneçe.

Për fat ishte një tjetër fantazmë, më e madhe në trup e në sedër ajo që më shpëtoi prej shpimeve me thikën e saj të të vërtetave, ngulur mu atje në ijen që ka mbledhur ujë prej shumë kohësh.

Kemi gabuar, – pëshpëriti vrullshëm e gjithë zemërim e dyta – ky nuk është murg, por diçka tjetër, torollak mbase, endacak që s’rri dot askund dhe në vend t’i shuante, i shtoi dhe më tepër dyshimet e pandehmat. Atje përjashtë na rrëfyen që jeni gazetar, madje i padukshëm, syulur, i pashpirt, një gazetar i pabesë. Nuk lini gjë pa bërë. I futni hundët kudo. Nuk pyesni për tjetrin. U zbuloni të fshehtat e skutave më të errëta, sekretet e thella dhe pastaj i shpallni pa mëshirë në ato portalet e rrjetet, në ato fletushkat tuaja të nxira blozë. Jo vetëm kaq. I shkruani dhe në libra e mburreni.

Pas kësaj, sikur ra një ndjenjë lehtësimi që shtendosi rrudhat e saj dhe çau disi mjegullën e dendur. Por përsëri fytyra nuk u duk. Nuk u shfaq. Pas triumfit të saj, fantazmat e tjera bënë mijëra pyetje. Si të ishin milingona që m’u futën ngado nëpër damarë e trup.

Epo … – nuk e përfundova dot atë që doja të thoja, pasi e ndryshova menjëherë fjalinë – ju e dini si thuren e shthuren këto lloj historish. Ju vetë i sillni ngjarjet, historitë dhe i kallni brenda meje. Çfarë intimiteti krijoni pastaj me zorrët e barkut, me atë pjesën e poshtme të nënvetëdijes. Deri sa mbërrini tek … Po, po me atë. S’më besoni? Pleksen me njëra- tjetrën. Del flakë. Dhe duhet të gjesh patjetër një formë gjuhësore që të shpëtosh, prej tyre. T’i rrëfesh, t’i shfaqësh. Të shkrepësh deri në verbim atë që të gjithë e quajmë Mahnitje. Ta shpallësh faqe gjithë botës. Është i njohur ky zanat, kjo krusmë e pashmangshme, e pashpjegueshme, e përhershme, që më gërryen. Askush nga ne s’ka shërim prej saj. Asnjë gazetar. Madje asnjë murg që shkruan.

Si mund të ngjasë papushim, pandalim kjo? – u rrëqeth fantazma trupmadhe e hutaqe që nuk kuptoi saktësisht përse bëhej fjalë.

Po, moj trutharë, ç’ka për t’u çuditur? – ulëriu e para, ulur përfund shtratit të mëkateve me pamje nga dritarja që kishte marrë pakuptuar trajtën e përvuajtëses, d.m.th të fajtores pa faj. Duart i kishte kryqëzuar mbi gjokset. Sikur prej tyre kërkonte një përgjigje.

A nuk ikën ndonjëherë shpirti nga trupi dhe pastaj rrugës i kthehet mendja? Kërkon të rikthehet? Kthehet. Ikën prapë. Pabesi njëra pas tjetrës. Kërkon apo jo?

Hëm. Po e kapin. Ose bie vetë në grackë. Mmmm. Ehë… – tundi kryet më në fund trashaluqja si e verbuar nga drita që s’e kuptonte nga i vinte.

Pasi pikasa hutimin e tyre, vendosa menjëherë të ngrihem, të vishem dhe të iki nga ajo dhomë e mallkuar. Të shpëtoja. Fantazmat e kuptuan. U bënë bashkë dhe ranë mbi mua me tërbim. Më zunë për supesh e më shtrinë me forcë.

Ç’kërkoni prej meje më në fund? Kjo s’ka më kuptim? – isha unë tani që prisja duke u dridhur mëshirën e tyre.

Emrin, emrin e personazhit të ri. Vendndodhjen e femrës. E dimë që sërish është një femër. Ku ka një femër, ka gjithnjë një sagë, një histori. Na e thuaj dhe do të ikim!

Nuk kisha rrugëdalje tjetër. Desha, s’desha e thashë një emër. Fantazmat paskësaj u ndjenë të lodhura. Mërmëritën. Siç e kishin zakon. Mërmërima nisi vajtueshëm, mjegullthi ndryshe nga herët e tjera. Ndonëse e gërvishtur në rrashtë, ajo do të mbërrinte pas pak e plotë në veshët e saj, të asaj femrës, diku larg.

Isha ende shtrirë. Në ethe. Në kllapi. Përfund shtratit mbeti vetëm njëra prej tyre. Ajo e përvuajtura, fajtorja që mori përsipër të zhbënte mallkimin a munxën që kishte rënë mbi mua. Me një fjalë, të mundte ethet e zjarret që nuk më shuheshin prej disa ditësh. Të tjerat ikën kushedi se ku, dhe as që do ta merrnin vesh ç’ndodhte brenda trurit tim, sikur gjithë ditën e gjithë natën t’ua shpjegonin. Nuk hanin pykë.

Please follow and like us: