Albspirit

Media/News/Publishing

USAGM thotë se spiunimi i gazetarëve është fyerje për lirinë e shtypit

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM), është shprehur e zemëruar me raportimet se mbi 180 gazetarë – përfshirë ata të Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë, duket të kenë qenë shënjestra të përgjimit me softuer të sofistikuar ushtarak.

“Shënjestrimi i bisedave private të gazetarëve në çfarëdo mënyre është i pandërgjegjshëm”, tha ushtruesja e detyrës së drejtorit ekzekutiv të USAGM, Kelu Chao. “Kjo shkelje duhet të marrë fund dhe siguria e gazetarëve duhet të mbrohet”.

Rrjetet e USAGM përfshijnë Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë, Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, Zyrën e Transmetimeve për Kubën, Rrjetin e Transmetimit të Lindjen e Mesme dhe organizatën jofitimprurëse të lirisë së internetit, Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Një hetim i kryer nga një konsorcium mediash i quajtur ‘Projekti Pegasus’ zbuloi se softueri i krijuar për qeveritë për të gjurmuar terroristët, u përdor për të ndërhyrë në telefonat që u përkisnin gazetarëve, veprimtarëve për të drejtat e njeriut drejtuesve të biznesit dhe zyrtarëve qeveritarë. Softueri i quajtur Pegasus, u zhvillua nga kompania izraelite NSO Group.

Washington Post, që është pjesë e konsorciumit, raportoi se midis gazetarëve të shënjestruar ishin disa nga Zëri i Amerikës. Një raport i ri nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i cili është gjithashtu pjesë e konsorciumit, tha se qeveria e Azerbajxhanit ka përdorur softuerin Pegasus për të spiunuar qindra veprimtarë dhe gazetarë lokalë, përfshirë pesë korrespondentë aktualë dhe të mëparshëm të Radios Evropa e Lirë. Midis tyre është Khadija Ismayilova, ish shefe e zyrës së Radios Evropa e Lirë dhe një nga gazetarët më të njohur hulumtues të atij vendi.

Hulumtimi është kryer nga organizata joqeveritare Forbidden Stories, me seli në Paris, me mbështetje teknike të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International.

“Teknologjia e re duhet të ndihmojë gazetarët ta bëjnë më mirë punën e tyre dhe jo të përdoret për t’i spiunuar dhe për t’u rënë në qafë atyre”, theksoi zonja Chao.

Please follow and like us: