Albspirit

Media/News/Publishing

DW: Ç’sollën dy takimet Kurti-Vuҫiq që kaluan vetëm me akuza dhe kundërakuza?

Dy takimet Kurti-Vuҫiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që kaluan vetëm me akuza dhe kundërakuza, sipas analistëve mund të prodhojnë vetëm konflikt të ngrirë. Marrëveshja përfundimtare nuk duket në sfond.   Partitë politike opozitare e kritikuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për takimin e fundit në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuҫiq, dhe qasjen e tij ndaj dialogut me Serbinë, duke i cilësuar takimet siҫ thonë “takime që nuk po prodhojnë asnjë rezultat”. Kurti dhe Vuҫiq në takimin e fundit që u mbajt në Bruksel më 19 korrik, nuk u pajtuan për asgjë, ndërsa, me një dozë nervozizmi akuzuan njëri-tjetrin duke refuzuar propozimet e ndërsjella që ofruan në takim.

“Performancë për konsum të brendshëm”

Zëdhënësja e partisë opozitare Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, thotë se “mungesa e platformës së dialogut me Serbinë, me objektiva të qarta të prezantuar në Kuvend para dhe pas çdo takimi, do ta reduktojë Kosovën në nivelin e performancës për konsum të brendshëm të kryeministrit Albin Kurti”. “Procesi i dialogut do të duhet të orientohet në përcaktimin e saktë të vizionit se çfarë në të vërtetë Kosova mëton të arrijë nga ky proces dialogu. Deri tani, ajo çfarë kemi parë nga takimet, nuk janë asgjë tjetër pos një mundësi e jashtëzakonshme e Kurtit drejtuar audiencës së tij për të akumuluar fuqi politike. Turma karakterizohet për irracionalitet, i lëvizur me situatat e përafërta me të ngjashmin e vet, andaj qasja e kryeministrit është pa vizion!”, shkroi Sibel Halimi në Facebook.

Mungesë transparence rreth bisedimeve

Edhe shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në opozitë Abelard Tahiri, tha se “procesi i dialogut me Serbinë po përcillet me jo transparencë, ngase qytetarët nuk e dinë se për çfarë temash po diskutohet”. “Këtë dialog Kurti po e përcjell me mostransparencë, pra qytetarët nuk dinë asgjë se çka bisedon Kurti me Vuqiçin. Rreziku ekziston që për herë të parë Kosova të kthehet pala e pa arsyeshme”, tha Abelard Tahiri.

Haradinaj: Takim i kotë i dialogut Kosovë-Serbi

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që udhëheq partinë tjetër opozitare Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) takimin e fundit Kurti-Vuҫiq e cilësoi “një takim kot i dialogut Kosovë-Serbi”. Ai tha se “secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve”.

“Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borrelin e Lajçakun është në qorrsokak. Sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin! Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit!?”, shkroi Haradinaj në facebook.

Bisedimet më shumë ligjërata historike sesa propozime konkrete

Ndërkohë disa analistë politikë mendojnë se duke e parë qasjen e deritashme të palëve nga dy takimet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq, marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi duket e pamundur. Blerim Burjani analist politik i tha DW-së se takimet në Bruksel po ngjasojnë më shumë me ligjërata historike sesa me propozime konkrete.

“Ndërmjetësimi është pozitiv por, sikur t’i shtohet edhe ndikimi më i madh i SHBA-së, ndoshta do të jetë më i lehtë dialogu. Marrëveshja përfundimtare është shumë larg. Në vend të propozimeve që duhet të bëjnë palët dhe të bien dakord me ndonjë opsion të mundshëm për zgjidhje, realisht ata në këto takime në Bruksel po bëjnë debate që më shumë po ngjasojnë në ligjërata për historinë. Nëse vazhdojnë të bëhen debate për marrëdhëniet ndëretnike Kosovë-Serbi, marrëveshje nuk do të ketë, por, stagnim dhe një status-quo”, thotë Burjani. Sipas tij, pa një propozim konkret qoftë nga ndërmjetësuesi i dialogut, debatet Kosovë-Serbi do të vazhdojnë dhe që do të prodhojnë një konflikt të ngrirë dhe jo vullnet për zgjidhje.

Debatet Kosovë-Serbi prodhojnë një konflikt të ngrirë

“Mendoj që pa pasur një dokument të hartuar nga SHBA dhe BE që do t’u jepet palëve për diskutim, duket se është vetëm humbje kohe. BE duhet të mendoj një opsion së bashku me SHBA-të për zgjidhje përfundimtare, ndryshe nuk ka shprese aspak se palët ndonjëherë do të merren vesh për ndonjë marrëveshje përfundimtare. BE si ndërmjetësuese duket shumë latente, ofron vetëm shërbime të mira për palët, dhe ndonjëherë e kam përshtypjen se vetëm organizon takime për palët dhe nuk involvohet në zgjidhje. Pra mendojë se kërkohet një involvim më i madh i ndërmjetësuesit duke përfshirë edhe SHBA-të në këtë proces”, mendon Blerim Burjani.

Akuza dhe kundërakuza

Dy takimet që ndodhën ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, njëri me 15 qershor dhe tjetri me 19 korrik, prodhuan akuza dhe kundërakuza ndërmjet palëve. Pas takimit të fundit, Albin Kurti, tha se ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por që ajo është refuzuar nga pala serbe ende pa u lexuar. “Unë propozova një marrëveshje të shkruar me 6 nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua, pra atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar që të kemi një deklaratë të paqes e kam përgatitur në mënyrë në një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar”, tha mes tjerash Kurti. Sipas tij, refuzimi pa lexim për të tregon mungesë gatishmërie nga ana e Serbisë për marrëveshje. Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tha se “me kryeministrin kosovar Albin Kurti, është shumë vështirë të bisedohet”. ”Kam folur edhe me Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Avdullah Hotin e Ramush Haradinajn, por këto asnjëherë nuk i kam dëgjuar. Gjithmonë kanë kërkuar njohjen nga Serbia, gjithmonë ka qenë vështirë, por të paktën për diçka jemi marrë vesh, si për atë se është ditë, është e hënë, e premte. Por tash me Kurtin nuk mund të merremi vesh as a është ditë e as cila ditë e javës është”, ka thënë Vuçiq, transmeton mediumi publik serb rts. Sipas tij, me Kurtin nuk mund të merresh vesh për asgjë. Mediet në Serbi shkruan se pala serbe është duke e diskutuar mundësinë e ndërprerjes së dialogut me Kosovën, por kjo nuk është konfirmuar nga ndërmjetësuesi i këtij dialogu Bashkimi Evropian. Takimi i radhës Koosvë-Serbi i nivelit të lartë politik, thuhet se do të mbahet në fillim të shtatorit.

Please follow and like us: