Miho Gjini: PARAJSA E “BRAKTISUR” ME EMRIN PIQERAS!
Dikur, 90 vite të shkuara, i quajtur prej një vizitori të huaj “PARIS I VOGËL”, Piqerasi, ky fshat i “ankoruar” si anije, mbi kodrinën karshi Detit Jon, që e rrahin erërat e malit, të detit, si edhe flladitjet e ullinjve dhe të agrumeve, përjeton ende sot njëfarë braktisje të gjithanshme nga njerëzit e vet, nga pushtetarët, po asnjëherë nga Perëndia që e vendosi këtu fshatin, ku puthet mali me detin! Kushdo që ka lindur në këtë vend të bekuar, po këtu kërkon edhe ta ketë fundin më të qetë. Sikundër edhe unë afrimin tim me vendlindjen tani, duke u ripërtërire brenda kësaj mrekullie, që shpirti njerëzor nuk mundet ta braktisë kurrsesi.
Mirëpo “bijtë e piqerasiotëve” kanë “marrë arratinë” nëpër skajet më të largëta të botës dhe dimri këtu është i trishtuar, ka mure e çati të rrëzuara, rrugica me kalldrëme të heshtura, ullinj, agrume e pemishte që degradohen e thahen, si edhe pak banorë të moshës së tretë, të katërt e të pestë, që presin fundin e tyre! Po natyra kryeneçe, ashtu si do ta donte vetë Zoti, e ka fiksuar e mbajtur të paprekur pamjen e mrekulluar të kësaj PARAJSE, që përsëri po e shijojnë shumë të huaj që e zgjedhin për të pushuar e vijnë këtu ngaherë e më tepër. Austriaku Deni, që sapo u largua këto ditë nga dhomat e pushimit te Dr. Aristidhit na tha neve që ishim aty, për ta përcjellur se “kaluam pushime të mrekullueshme në një parajsë të vogël”. Banorë që e duan fshatin e tyre po rikthehen. Shumë prej tyre, që u digjet shpirti për vendlindjen, vijnë e bëjnë shtëpi, për vete e për këta të “huaj” që i shikojmë këtu të vijnë vit për vit. 20 familje të Piqerasit, pasi kanë rregulluar jetën e tyre, kanë menduar edhe për turistët që duan të pushojnë e që mrekullohen këtu me natyrën e begatë, me qetësinë përrallore, me freskinë që sjell mali e deti. Edhe pse plazhi i Bunecit është thuajse i braktisur nga pushtetarët, pa asnjë investim e infrastrukturë, me një rrugë mizerabël që të shpie aty (me mijëra gropa!) duke u përpjekur të “mbijetojë” gjatë këtyre 30 vjetëve të këtij tranzicioni tmerrësisht të gjatë, me kasollet e tendat e kashtës, përvite të improvizuara, sikundër bënte personazhi i vetmuar i Daniel Defos, Robinson Kruzo, në ishullin e tij të vetmuar, përsëri pëlqehet e pëlqehet pafundësisht. Dhjetra plazhe të tjera të virgjër më përtej janë idile fantastike për turistët italianë, gjermanë e francezë, që ngrejnë andej çadrat e tyre, shoqëruar nga pulëbardhat e patrembura nga njerëzit!
Dëgjoja një muaj më parë një intervistë televizive të kryebashkiakëve të Shkodrës, Vlorës e Himarës, që bilbiluan më se një orë, po askush, as ky i yni, nuk e “zuri në gojë” PIQERASIIN tonë, këtë bukuri të rrallë, që tashmë nuk përmendet as nga pushtetarët e nga vetë shteti, po ka mbetur thuajse i harruar. U bë një shesh i ri afro 7 vjet më parë, po të huajt që vijnë këtu i tmerron muzeu me ato mure të djegura i dy heronjve, Vasil Laçi e Mitro Xhani, që iu vu flaka në 97-ën. Një manastir 500-vjeçar (ai i Kremesovës) është i plaçkitur, ndërsa kisha, po kaq e vjetër (që u shkatërrua dikur!) është tani një improvizim i lemerishëm midis dy pallateve(!?). Ndërsa një krua 450-vjeçar që mbajti banorët me ujë të pijshëm në pesë-gjashtë breza, nuk u restaurua, si Monument Kulture dhe tani aty lidhen bagëti e mërzejnë lopët! Ujësjellësi i ri qe përsëri njëfarë gënjeshtre e stisur, me tubacionet e ndryshkura të të vjetrit, në një kohë, kur në fshatin e afërm, Sasaj, ujërat vijnë me bollëk dhe fort të pastëra nga ana e tunelit të Kalasës..
Intelektuali piqerasiot, Dr. Aristidh Ali, më thotë shpesh se, “kush është patriot i vërtetë, rikthehet dhe vjen e bën shtëpinë këtu, në fshatin tij, në këtë PARAJSË MBI DHE, që nuk duhet braktisur! Atë që nuk e bëri shteti le ta bëjme ne të gjithë, me traditen tonë të pasur familjare, me resurset që na ka falur natyra, me kulturën e trashëguar të jetesës. Emigrimi ka qenë i hershëm dhe tepër i njohur në këtë fshat, aq sa 19 familje piqerasiote u hodhën me varka në bregun e Italisë qe në vitin 1744 dhe themeluan fshatin Villa Badesa, në afërsi të qytetit të lashtë Chieti, midis Romës e Peskarës, ku ruhen me fanatizm traditat e fshatit tonë, deri tek gjuha, veshja e kulinaria (me tepsinë e pipeqin e famshëm)! Po edhe me shtëpirat dy katëshe prej guri, të mbuluara me tjegullat e kuqe, me festat fetare që marrin karakter folklorik, me këngë e valle sa tundet vendi, si edhe me dasma e ahengje, ku derdhet me bollëk vera e rakia. E me atë mikpritje plot bujari e fisnikeri. Dhe, kur në Piqeras u duke sikur “ra flama” nga ikja e madhe e shembjes së shtetit të mëparshëm, tre piqerasiotë kurajozë, Andon Xhani, Petraq Kaçi e Petraq Xhani, ndërtuan tre hotelet e para, poshtë ne Bunec, duke hequr të “zitë e ullirit” me “të paudhin e me të birin”, ndërsa në fshat nisën të bëjnë diçka të tillë Emiljano Bitri, Niko Qendro, Andon Laska, Sokrat Koçiu, Aristidh Ali e Hyso Vela. Dhe pastaj me radhë Dhimitër Zaho, Jorgo Bitri, Vasilika Voda, Kli Pali, Pandi Prifti, Qirjako Laska, Fjora Çoçka, Dilo Alikaj, Elsen Vallja, Arto Vela dhe i fundit fare, unë Miho Gjini. Gjithsejt 19 familje kanë ngritur atë që quhet TURIZMI FAMILJAR, fare pa ndihmë, me kursimet e gjithsecilit ndër vite, falë edhe dashurisë së thellë për fshatin e tyre të bukur. Dhe, s’ka pak ditë, kur disa turistë italianë që pushonin në Qeparo erdhën përsëri në tavernën “Viktoria” në Piqeras për të shijuar gatimet e traditës nga Master-Shefi Andon Laska. “Nje kafe të pish këtu në Piqeras, -më thotë miku e mysafiri im, Prof. Dr Josif Papagjoni,-dhe të vete direkt e mu në zemër”! E ja, pas këtij miku të shkëlqyer, jam duke pitur me emocion të madh, familjen e parë nga Franca. Nuk mundem ta besoj! Ndërkohë, sapo bujti te Doktor Aristidhi një familja nga Donimarka!… Posi jo… e vlen të vini në Piqeras të dashur e të nderuar miq, se PARAJSA FILLON KËTU!
19 korrik 2018.
Please follow and like us: