New York Times: Shqipëria e vogël, peng në lojën e madhe diplomatike
Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, prej shkurtit të vitit 1930 deri shtatorin e 1933-it, Herman Bernstein, ishte dëshmitari i një periudhe kur, Shqipëria e mbretit Zog gjendej në atmosferën e përpjekjeve të mëdha për të ruajtur pavaresinë, mes rivalitetit të Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë.
Bernstein, do të ishte ministër i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, deri në vitin 1933. Gjatë kësaj kohe, ai ka punuar për nënshkrimin e një sërë traktatesh midis SHBA-së dhe Shqipërisë, ndërsa ka marrë nga mbreti Zog, medaljen “Urdhri i Madh i Skënderbeut”.
Artikulli i mëposhtëm i vitit 1934, i presigjiozes “New York Times”, mban titullin “Shqipëria e vogël, peng në lojën e madhe diplomatike”.
Ndërsa Shqipëria ende është në konflikte të brendshme politike, rrjedhojë edhe e rivaliteteve të Fuqive të Mëdha dhe fqinjëve, falë pozitës gjeostrategjike, fragmenti i shkëputur, shkruar nga një diplomat si Bernstein, vjen si një vërtetë e vjetër; duke vënë përballë ambasadorët amerikanë në Shqipëri të 80 viteve më parë dhe ata të pasviteve ’90…
“…Shqipëria shihet si një nga zonat më të rrezikshme në Europë.
Lufta e pritshme mund të fillojë që aty, nëse interesat politike dhe ushtarake të kombeve të tjera për të do të vazhdojnë të konfliktohen me njëra tjetrën. Në sajë të pozitës të saj gjeografike, ky vend i vogël mban çelsat e Adriatikut dhe ka qenë për shekuj objekt kontestimi nga kombet e tjerë. Nga pikpamja strategjike bregdeti i saj ka një vlerë të paçmuar për Italinë në një luftë të ardhëshme. Kjo ka qenë arsya që Italia ka investuar shuma të konsiderushme në Shqipëri, për modernizimin e vendit, organizimin e ushtrisë, ndërtimin e rrugëve, urave dhe fortifikimeve.
Nga vendet ballkanike këto përpjekje të Italisë, shihen si pjesë e një programi ambicioz imperialist të Mussolinit, për të depërtuar në Ballkan, për të zotëruar rrugën e famshme romake Via Egnatia, që të çon drejt Selanikut dhe Stambollit. Por të gjitha këto lëvizje të Italisë shihen me dyshim dhe shqetësim nga Franca, që mbështet Antantën e Vogël dhe posaçërisht Jugosllavinë.
Shqipëria e vogël është bërë kështu një peng në lojën e dy blloqeve konfliktuale të diplomacisë europiane, njëra e udhëhequr nga Italia dhe tjetra nga Franca. Ajo ka mundur të përfitojë nga ky konflikt interesash për të forcuar unitetin kombëtar, fillimisht prej Jugosllavisë dhe mandej prej Italisë.
Ndonse e ndërgjegjëshme për motivet e fshehta të ndihmave të tyre, Shqipëria, me mënçuri dhe kurajo, ka ditur të ruajë pavarësinë e saj, ndonse i është dashur të bëjë sakrifica të shumta, të bëjë lëshime dhe kompromise, në këmbim të përfitimit të ndihmave materiale, aq të nevojshme për të. Ndonse rrugët dhe urat e ndërtuara me paratë italiane kishin objektiva ushtarake ato shërbyen gjithashtu edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, duke siguruar komunikimin e zonave të ndryshme të vendit që, në sajë të karakterit të theksuar malor, kishin mbetur të veçuara që nga koha e sundimit osman…”.