Afrim Krasniqi: Një tekst i thjeshtë, por me simbolikë të madhe
Nuk janë emra VIP, por janë qytetarë të thjeshtë që kanë kryer një akt publik me simbolikë të madhe, shumë më të guximshëm se shumë prej atyre që njohim si VIP-ët e tranzicionit. Në kohën kur mijëra peticione vinin kundër studentëve grevistë dhe kur ata rrezikonin jo vetëm vendin e punës, ata vunë firmat e tyre në një tekst të thjeshtë dhe domethënës që daton më 18 shkurt 1991. Dosja e peticioneve pro e kundër? Janë mbi 1200 faqe me peticione, rreth 30% pro studentëve dhe pjesa tjetër kundër tyre. Në kategorinë e dytë gjenden jo vetëm peticione kolektive pa adresim të qartë, por edhe institucione të sigurisë (degë të brendshme, reparte ushtarake, shkolla etj), por edhe lista të gjata me individë, VIP dhe “intelektualë”, shumë prej të cilëve ndryshuan më pas sjelljen, deklarimet dhe raportet publike me të kaluarën, përfshirë të kaluarën e tyre.
Dosjet arkivore të vitit 1990-1991 janë sa realiste dhe informues aq edhe trishtuese, zhgënjyese dhe domethënëse për raportet midis Shqipërisë që kishim, Shqipërisë që donin, Shqipërisë që donim dhe Shqipërisë që aspironim.