Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasada e SHBA: Vendimi i Inzkos, i rëndësishëm për stabilitetin e Bosnjës

Sarajevë, 23 korrik 2021 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë tha se mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës janë të papranueshme dhe minojnë besimin e ndërsjellë, që është i nevojshëm për përparimin e këtij shteti drejt Bashkimit Evropian.

“Akti i përfaqësuesit të lartë në largim tregon se sa rëndësi i kushton kësaj çështjeje, e cila është e rëndësishme për stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë dhe thekson domosdoshmërinë e vazhdueshme që të gjithë në Bosnje të kontribuojnë në pajtimin. Ligji mbi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnje e Hercegovinës është pika fillestare për biseda dhe hapa më konkretë të cilat duhen të ndërmerren nga akterët lokalë në lidhje me zbatimin praktik të tij”, “tha Ambasada amerikane në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Ambasada amerikane tha se gjenocidi në Srebrenicë nuk është një temë për diskutim, por një fakt historik.

“Njësojë po aq e rëndësishme është të theksohet se këto krime të tmerrshme nuk janë reflektim ose dënim i një kombi të tërë. Madhërimi i kriminelëve të luftës në të dyja palët ose mosrespektimi i vuajtjeve të ndonjë komuniteti në Bosnje e Hercegovinë, degradon kujtesën e viktimave dhe minon pajtimin. Është koha të ktheheni, me të vërtetë, në një të ardhme që do të bazohet në paqe dhe besim të ndërsjellë”, shtoi Ambasada amerikane.

Në Bosnje e Hercegovinë këtë vit u shënua 26-vjetori i masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq. (REL)

Please follow and like us: