Diane Dreher: Turmat dhe udhëheqësit autoritarë
Pas tmerreve të Holokaustit, kur kaq shumë gjermanë mbështetën verbërisht Adolf Hitlerin dhe kampet naziste të përqendrimit, psikologët nisën që të studionin shkaqet pse njerëzit mbështesin udhëheqësit autoritarë. Hulumtimi i tyre zbuloi 5 arsye kryesore, të cilat vlejnë edhe për sot.
- Fuqia e autoritetit
Shumë shpesh urdhërat që jepen nga njerëzit me një pushtet të madh, mund të zhbëjnë gjykimin individual. Studimi historik i psikologut Stenli Milgram në vitin 1974 tregoi se si njerëzit i bindeshin pa u menduar një figure autoritare. Vullnetarët në eksperiment ndoqën komandat e tij për t’i dhënë një goditje potencialisht fatale një personi që ndodhej në dhomën tjetër, sa herë që ai jepte një përgjigje të gabuar në një test. Pavarësisht ulërimave të viktimës nga dhimbjet, dhe lutjeve të tij për t’i ndalur, dhe ankesave në lidhje me problemet kardiake, shumica dërrmuese (82.5 për qind) e pjesëmarrësve në hulumtim iu bindën eksperimentuesit. Edhe pse dëgjonin britmat e personit në dhomën tjetër, pjesëmarrësit në eksperiment vazhdonin të shtypnin butonin për t’i dhënë goditje më të forta elektrike, duke i rritur ato deri në nivel 450 volt. Milgram arriti në përfundimin se shumica e njerëzve ndjekin verbërisht urdhrat e një figure autoritare, pasi është kultura jonë ajo që na nxit të bindemi. Në fund të eksperimentit, Milgram u tha pjesëmarrësve se gjithçka ishte e inskenuar dhe se goditjet elektrike dhe dhimbjet e supozuara nuk ishin reale, autoritetet i ndaluan eksperimente të tilla në të ardhmen, për shkak të shqetësimeve mbi stresin e madh që iu nënshtruan pjesëmarrësit. Në vitin 2009 psikologu Xherri Barxher e përsëriti studimin e Milgram. Këtë herë ai e ndaloi eksperimentin kur “goditjet” arritën nivelin 150 volt, pikërisht kur personi në dhomën tjetër filloi të bërtiste. Ai e bëri këtë pasi 79 për qind e pjesëmarrësve në eksperiment e kaluan këtë kufi duke vazhduar deri në nivelin më të lartë 450 volt. Barxher zbuloi se 70 për qind e pjesëmarrësve në eksperimentin e tij qenë të gatshëm të vazhdonin goditjet edhe pasi e dëgjuan viktimën të bërtiste në dhomën tjetër. Analiza e tij zbuloi fuqinë që ka bindja, si dhe tre faktorë të tjerë kryesorë:informacioni i kufizuar, fuqia e rritjes graduale të kërkesave, dhe shmangia e përgjegjësisë personale.
- Fuqia e informacionit të kufizuar
Pjesëmarrësit në studimet e Barxher dhe Milgram u gjendën në një situatë të re, duke mos e ditur se çfarë i priste. Pa burime të tjera të besueshme informacioni, ata u detyruan të mbështeten vetëm tek ato që u thoshte figura autoritare. A është e çuditshme që udhëheqësit autoritarë të kërkojnë t’i shmangin njerëzit nga informacioni i vlefshëm? Ata e censurojnë dhe diskretitojnë shtypin, si dhe komunitetet akademike dhe shkencore, në mënyrë që njerëzit të dëgjojnë vetëm propagandën e tyre autoritare.
- Fuqia e rritjes graduale të kërkesave
Barxer vuri në dukje se këto eksperimente, ishin hartuar duke parashikuar një rritje graduale të nivelit të goditjeve elektrike. Pjesëmarrësit e nisën me një goditje relativisht të butë prej 15 volt, duke ecur gradualisht drejt goditjeve me një tension më të lartë sa herë që e godisnin personin që gabonte në përgjigjet e testit. Sa shpesh njerëzit e nisin me një veprim relativisht të vogël, dhe pastaj e gjejnë veten të zhytur plotësisht kur kërkesat ndaj tyre përshkallëzohen me kalimin e kohës?
- Fuqia e shmangies së përgjegjësisë personale
Në eksperimentet e Barxher dhe Milgram, eksperimentuesit u thanë pjesëmarrësve se vetëm ata ishin përgjegjës për çdo efekt negativ që do të verenin tek personi që po i nënshtrohej goditjeve elektrikes. Pjesëmarrësit thjesht ishin “duke ndjekur urdhrat”, duke qënë kësisoj në gjendje të shmangnin përgjegjësinë personale, për shkak se po i bindeshin figurës së autoritetit. Kjo gjë ndodh shpesh në jetën reale. Për shembull, kur menaxherët e nivelit të mesëm fshihen pas “politikës së kompanisë”, për të mohuar çdo përgjegjësi për trajtimin e padrejtë të personelit.
- Fuqia e frikës
Pas studimit të regjimeve tiranike gjatë Luftës së Dytë Botërore, historiani Timoti Shnajder deklaroi udhëheqësit autoritarë e shfrytëzojnë shpesh frikën që ne kemi. Duke e diskretituar informacionin e vërtetë, dhe duke na tërhequr në teori të errëta konspirative, ata prodhojnë një përzierje toksike të frikës, polarizimit, hedhjes së fajit gjetiu tjetër, dhe ankthit kronik që mund të minojë një shoqëri të lirë. Studimet e neuroshkencëtarëve kanë shpjeguar se përse frika është një mjet kaq i fuqishëm i liderëve autoritaristë. Zhozef Ledua, ka zbuluar në vitin 1996 se truri ynë ka dy rrugë të ndara për përpunimin e informacionit. Me rrugën që ai e quan “rruga e lartë”, ne reagojmë sipas mënyrës sonë të menduarit celebral. Informacioni ndijor shkon në talamus, pastaj në korteksin celebral, që e përpunon informacionin para se ta dërgojë atë në amigdalë, një rajon i vogël i trurit në formë bajameje që gjeneron një reagim emocional. Por me informacionin sensitiv që është potencialisht kërcënues, talamusi nuk e pranon rrugën e mbijetesës që Ledua e quan “rruga e ulët”. Ai dërgon një mesazh direkt në amigdalë, e cila aktivizon reagimin e stresit me një frikë të madhe. Dhe kur ne reagojmë nga frika dhe ndjekim “rrugën e ulët”, nuk përdorim proceset tona të mendimit për ta analizuar situatën, por përkundrazi i përgjigjemi automatikisht një kërcënimi të supozuar. Përveç kësaj, kur udhëheqësit autoritarë na mbajnë vazhdimisht të frikësuar dhe jashtë ekuilibrit emocional, stresi i përsëritur mund të shndërrohet në ankth, duke na shkaktuar më lehtë reagime të reja në formën e frikës. Dhe stresi kronik mund të zvogëlojë një pjesë të trurit të quajtur hipokampus, duke e dëmtuar kujtesën tonë, dhe duke na bërë të harrojmë informacionin thelbësor, madje edhe emrat dhe fytyrat e njerëzve përreth nesh. Dhe me komprometimin e aftësisë tonë për të menduar, frika jonë mund të na bëjë që të manipulohemi më lehtë nga udhëheqësit autoritarë. Por siç ka treguar edhe historia, jo të gjithë bien nën magjinë emocionale të liderëve autoritarë. Kërkimet tregojnë se si ne mund t’i rezistojmë një manipulimi të tillë duke zhvilluar më shumë vëmendje dhe guxim ekzistencial. / “Psychology Today” – Bota.al