Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Berisha: Sundimtari i keq

Tregim

 

Adem Lika, kur mbyllte sytë e fliste për të sotmen, për me pa më mirë të kaluarën, thoshte: Kur zoti do me dënu’ nji popull ia çon sundimtarin e keq.

Po bre Adem, na pa e kërkue, pse po na e dërgon? Kësaj pyetje nuk po ia gjej ilaçin, ia kthente Muharrem Verbovci.

Ademi, me sy mbyllur, thoshte, përsëri: Kur zoti do me dënu’ nji popull ia çon sundimtarin e keq. Muharrem, po ilaç ka gjithmonë. Njerëzit janë të krijuem me gjetë vetë ilaçin.

Ndërsa Muharremi ia kthente, me të veten: Po Adem, na pa e kërkojmë, po pse po na e dërgon? Kësaj pyetje nuk po ia gjej ilaçin.

Sundimtarit: “Për veti grurin për neve kashtën”.

Edhe moti na e ktheu shpinën. Thatësia i dha etje edhe më të keqe qeverisë.

Thatësia erdhi edhe motin tjetër sikur të zezat e qeverisë që u shumëfishuan.

Pemët nuk lidhën fruta, perimet ende pa bërë lule, ranë përtokë si fije të thara floku.

Vneshti u djegë si letër duhani.

Patatet i përbinë bubashvabat.

Avulli doli nga lëkura e njerëzve dhe kafshëve. Punë hangarie për pushetin e ri në Rugovë e Kardak. Ngado.

Shpezët ranë sqephapur në krah të njerëzve të mërzitur.

Zbritën edhe dhelprat, derrat dhe ujqit nga pyjet. Iu afruan hijeve të shtëpive.

Erdhën edhe çakejtë dhe ujqit e zinjë që nuk ishin parë kurrë në këtë vend.

Një thes misër vleu një thes ar.

Mësuesit me shkollë o i vranë o i burgosën. Sikur Ymerin e Gjonin.

Djemtë i vranë o i kastruan, sikur Xhemën a Ramadanin.

Lutjet mund të bënin punë, por dekreti i qeverisë, i ndaloi rreptësisht dhe Mulla Idrizin e morën në Stacion të Milicisë. E rrahën për vdekje.

E zezdita, pak pa u pjekë, sa çelë e mëshelë sytë, erdhi një furtunë, breshër e katastrofë, dhe i la kallinjtë pa peshë. Të lehtë pupël. Nën zë këndohej kënga: ”Shoku Tito, shok i dashtun”, për veti grunin për neve kashtën!

Gjithë fusha mbet e rrjepur si lëkurë e zgjebosur e dashit në pranverë.

U martova me Nurinë e Sopve të enjten. Kjo ishte e mira e vetme. Një e mirë në të gjitha këto të këqia. Vajzat kënduan:/Mori Kabe mori shoqe, pse e more Lari Hoxhën/ Unë e morra s’pat çare/Me i pshtu vëllaznit prej patare/.

Në fundin e vjeshtës, kur retë e borës ranë përtokë, njerëzit strukur, shihnin malin e tyre që nuk ishte më i tyre. Ruhej nga pylltarët e egër me pushkë e dylbi në krah.

Për një barrë krande, vuajtja, rrahja e uria, pas dënimit në Gjykatën e Rrethit, nuk harrohej përjetë. Pas dy muajve që u lirua Halim Konxheli, vdiq pa mundur të tregojë sa shumë kishte vuajtur.

Ishte fat i jashtëzakonshëm nëse gjendej ndonjë rrënjë e njomë bime.

Harrova, xhanarët i ndëruan rrobat dhe shenjat në kapelë. Kokardat e xhanarëve u bënë petokraka të milicëve. Milica popullore! Gjithçka bëhëj në emër të popullit!

Dimri mbylli rrugët dhe kush shpëtoi duke ndjerë rrezet e diellit në pranverë, shijoi edhe fletat e barishteve që pa peta e bylmet u bënë ushqime shpëtuese.

Nenzit, kjo barishte e fortë që ngrihet mbas të ftohtit të gjatë, dhuronin lëngun e jetes.

Stinët ecën, por nuk ndryshoi asgjë, e kaluara përsëritej.

Bereqeti e kafshët u morën si tepricë a porez.

Pas rrahjeve për armë, shumë njerëz menduan turbullt për të gjetur zgjidhjen. Të braktisen shëpitë apo të kërkojnë shpëtim dikund e me diçka tjetër.

Do shkuan, si Hysen Molliqi me gjithë familje, do mbeten sikur na, do u kapën përfyti me milicë, gjyqtarë, porotnikë e qeveritarë si Mehmet Salihu.

Gjithë sundimtari i keq

E mbaj mend, Adem Lika, kur mbyllte sytë e fliste për të sotmen, për me pa më mirë të kaluarën, thoshte: Kur zoti do me dënu’ nji popull ia çon sundimtarin e keq.

Na pa e kërkue, pse po na e dërgon? Kësaj pyetje nuk po ia gjej ilaçin, ia kthente Muharrem Verbovci.

Ademi me sy mbyllur, thoshte: Kur zoti do me dënu’ nji popull ia çon sundimtarin e keq. Ilaç ka gjithmonë. Njerëzit janë të krijuem me gjetë vetë ilaçin.

Ndërsa Muharremi ia kthente, me të veten: Na, pa e kërkue, pse po na e dërgon? Kësaj pyetje nuk po ia gjej ilaçin.

Please follow and like us: