Luan Pogaçi: Si përgjohej kryeministri Mehmet Shehu?
Rrëfimi i Luan Pogaçit, ish-shefit të Ndërlidhjes së Udhëheqjes. Njeriu përgjegjës për komunikimin mes anëtarëve të Byrosë Politike, vilave të tyre në ish-Bllok. Ai tregon se telefonatat e udhëheqjes së lartë përgjoheshin. Pogaçi zbulon se në hyrje të ish-Bllokut ishte ndërtuar një godinë prej betoni, nga ku ai zbuloi përgjimin e Mehmet Shehut. Bëhet fjalë për Kryeministrin e kohës, përgjimi i të cilit sigurisht që bëhet në ombrellën e një anëtari tjetër byroje. Spiuni i parë, sipas Pogaçit, ishte Hazyri, një burrë nga Kosova që ishte integruar në radhët e ndërlidhjes me bekimin e ministrit…
Ishte vera e vitit 1981, kohë kur ndërtimet te Vila Nr.1 e Mehmet Shehut në Vlorë ishin duke përfunduar. Detyra ma kërkonte të isha edhe unë aty, pasi në atë periudhë pushonte në Vlorë Enveri. Kisha ngritur shërbimin e ndërlidhjes dhe punoja për të drejtuar dhe kontrolluar punimet që kryheshin për telefoninë dhe interfoninë.
Një ditë të diel te vila e pambaruar e Mehmet Shehut erdhi Nexhmije Hoxha. Ishte e pashoqëruar. U takova me të dhe nisa ta shoqëroja në mjediset e sapopërfunduara të Vilës, duke i treguar një nga një funksionet e tyre: “Kjo dhomë është e Kryeministrit, kjo tjetra e shoqes Fiqirete (qenë ngjitur me njëra-tjetrën) pastaj dhomat e tre djemve, sallat e ndryshme, vendstrehimi etj”. Ajo më dëgjonte dhe hera-herës vrenjtej në fytyrë.
Dukej disi nervoze, çfarë më linte të kuptoja se ishte e pakënaqur me ato që i tregoja për funksionin e mjediseve të vilës së Kryeministrit. Ishte koha kur problemet me këtë të fundit kishin nisur, por larg syve të opinionit publik. Gjithsesi, diçka rreth tyre kisha dëgjuar edhe unë, por gjithnjë në kuadrin e fjalëve që qarkullonin në mjediset e Bllokut. Sa përfundoi së pari të gjitha dhomat dhe mjediset e vilës, Nexhmija me përshëndeti dhe u largua.
Në fakt, vila e Mehmetit që po ngrihej ishte shumë e bukur dhe më e madhe se e Enverit, me pishinë dhe në një pozicion shumë piktoresk, në një tokë si hundë të dalë në det, me burime të shumta uji të ëmbël poshtë saj dhe me një vendstrehim modern. Mehmet Shehu nuk arriti të pushonte asnjëherë në të. Më vonë ajo u bë vila e pushimit të Ramiz Alisë.
Teksa ndahesha me Nexhmijen dhe misterin e sjelljes së saj në vilën e Kryeministrit, m’u kujtua një episod i çuditshëm nga biseda me Mete Bonin, një nga punonjësit e degës së personaliteteve në fundgushtin e 1981. Në takimin që pata me të pas shërbimit, ai më thotë: Shef, do të të them një gjë të çuditshme që na ka ndodhur dje mbasdite. Po shoqëroja Kryeministrin në shëtitje në bllok në një distancë të vogël. Kur vemi te bërryli i Vilës 1, ku bashkohen dy rrugët, nga ana tjetër vinte shoku Ramiz Alia dhe takohen papritur ballë përballë me njëri-tjetrin.
Ramizi qëndroi dhe duke qeshur i thotë: ‘Duart lart!’. Në këtë kohë, Kryeministri i befasuar e shikon gjithë inat. Sakaq, Ramizi u tërhoq disa hapa mbrapa duke thënë ‘më faaal, më faal, bëra shaka, bëra shaka’. Kjo në pak çaste, pastaj secili ndoqi rrugën e vet. Kjo është e pabesueshme, ia ktheva unë aty për aty Bonit, pasi Ramizi nuk shquhet për shaka të tilla me zarar, ca më tepër me Kryeministrin, por ai m’u betua se është e vërtetë. Edhe mua sot më duket e çuditshme, por realisht ka qenë ashtu, mbasi askush s’kishte guximin të improvizonte, ca më tepër Boni që dallonte ndër të tjerë për sinqeritet dhe korrektësi.
REVOLTA E ALI ÇENOS
Në muajin shtator 1981 (nuk e mbaj mend mirë datën) më erdhi në zyrë Ali Çeno, kreu i grupit të shoqërimit të Mehmetit. Zyra ime ishte ngjitur me atë të zv.ministrit. Aliu, sa u fut brenda, më lëshoi në tavolinë një telefon me kabllot që i vareshin. E pyes se si ishte puna. Më thotë që Kryeministrin e përgjojnë në shtëpi në numrin 7880. Më thirri mua, vazhdoi Aliu, më mori thikën që mbaja në brez (një biçak i madh që mbanin oficeret e zbulimit) dhe preu fillin e telefonit dhe më tha dërgoja inxhinierit. Ishte diçka vërtet tronditëse për mua. Ishte hera e dytë që Kryeministri më dërgonte shoqëruesin me telefonin që i përgjonin. Në të dyja rastet e kishte porositur Aliun të vinte direkt te mua, jo vetëm për të bllokuar pajisjen e përgjimit, por edhe për të analizuar konkretisht situatën dhe rrethanat në të cilën përgjohej telefoni i tij i shtëpisë.
Sa u largua Aliu, i shkoj zv.ministrit në zyrë dhe i tregoj ngjarjen. Ai gjithashtu u shqetësua, pasi një ngjarje e tillë përsëritej për herë të dytë brenda vitit. Dhe rasti konkret nuk bënte fjalë për ndonjë interferencë të rëndomtë, po për përgjim të qëllimtë. Ne e kishim përfunduar rikonstruksionin e linjave kabllore të bllokut dhe kishim përmirësuar instalimet e brendshme të vilave e normalisht nuk duhet të kishim as induksione. Xhule Çiraku më urdhëroi të ribëja njëherë një kontroll të gjithanshëm, jo vetëm për ndërlidhjen e Kryeministrit, por në të gjitha ambientet e udhëheqjes kryesore, në punë, shtëpi, salla etj.
Nuk na rezultoi asnjë gjë e veçantë për t’u marrë në konsideratë. Në përfundim, u mblodhëm me pjesëtarët e grupit të punës te zyra e Perikli Panit, drejtor i përgjithshëm i Telekomit, dhe shkruam relacionin përkatës në adresë të Kryeministrit me këtë tekst të përafërt: “…mbasi bëmë gjithë kontrollet e nevojshme, na rezultoi që në ndërlidhjen tuaj nuk ka përgjime…”, duke e lënë të nënkuptohej se kjo ishte vetëm një hamendësim. Por koha tregoi se kishim gabuar
KABINA SEKRETE KU PËRGJOHEJ KRYEMINISTRI
Të nesërmen, mbasi i kthyem përgjigje Kryeministrit dhe nuk morëm ndonjë reagim, shkova të kontrolloja zonën telefonike në hyrje të bllokut (pranë eukaliptit) që ishte bërë e re gjatë kohës që bëmë rikonstruksionin e ndërlidhjes në Bllok. Ajo ishte komplet e betonuar për mbrojtjen nga goditjet ajrore. Njoftova teknikun e ndërlidhjes telefonike, Hazyr T., dhe u takuam në hyrje të Bllokut. Hapi derën e kabinës, Hazyri, i cili mbante çelësin dhe kur hoqa kapakun ku mbështeteshin linjat, u drejtova te pikat ku mbështetej telefoni i Kryeministrit.
Meqenëse më parë kisha marrë pjesë në ndërtimin e kësaj pike telefonike dhe i dija përmendësh vendet e lidhjes së telefonave të Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhes, më ra në sy se në pikat e kontaktit të telefonit të qytetit që shkonte te shtëpia e Kryeministrit, kishte një fije poshtë që lidhej me linjën telefonike të një numri tjetër pranë tij. Aty për aty ia tregoj Hazyrit dhe me ton i them se çfarë është kjo. Ai në çast ngriu në këmbë dhe filloi të shqiptojë fjali pa kuptim. Pastaj e mori fijen që lidhte tërthorazi telefonin e Kryeministrit me një tjetër dhe e hodhi në koshin aty pranë, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Ç’është kjo, i thashë, këtë radhë me zë të lartë. Ndoshta është bërë nga lagështia, më tha me sytë përdhe. Atëherë, pse e zhduke, i bërtita, apo të fshihje provën. Ai filloi të mërmëriste nëpër buzë dhe hera-herës ngrinte zërin, sikur ta kisha bërë unë atë lidhje të jashtëligjshme.
E pashë që ishte e pamundur të vazhdoja më tej me të dhe u largova. Për mua tashmë ishte e qartë se kishim të bënim me një veprim të qëllimshëm, pasi kabina në fjalë ishte ndërtuar e re, lagështi as që bëhej fjalë, ca më tepër që ai e kishte për detyrë të kontrollonte çdo ditë këtë ndërlidhje, në veçanti atë të Kryeministrit, të cilit i kishte ndodhur edhe më parë e njëjta gjë.
HAZYRI NGA KOSOVA, I BESUARI I SIGURIMIT
Hazyri ishte me origjinë nga Kosova, i ardhur në Shqipëri prej disa vitesh. Ishte miratuar për këtë shërbim si gjithë punonjësit e tjerë dhe si specialist ishte ngarkuar nga Ministria e Brendshme për kontrollin e telefonave të Udhëheqjes dhe konsiderohej njeri i besuar. Ishte i martuar, por nuk kishte fëmijë dhe kishte adoptuar një vajzë. Gruaja e tij shërbente në degën e dytë të Ministrisë së Brendshme në përgjimet telefonike (“Shtëpia me Gjethe”). Nipi i Hazyrit, H. Basha, po ashtu kosovar, ishte kryetekniku i centralit telefonik të Komitetit Qendror. Megjithëse asokohe kishte një ligj që nuk lejonte dy njerëz të së njëjtës familje të punonin në një vend pune. Pra, nip e dajë kishin gjithë ndërlidhjen e udhëheqjes nën kontroll. Të dy të zgjedhur dhe me miratim të veçantë nga ministri i Brendshëm. Ata mund të përgjonin këdo nga udhëheqësit pa u kuptuar.
Po atë ditë i raportova zv.ministrit për atë që konstatova. Ai nuk reagoi dhe aty për aty më tha se do t’i raportonte ministrit. Ministër ishte Feçor Shehu, por zakonisht për gjëra të tilla i raportohej Kadri Hazbiut, asokohe ministër i Mbrojtjes, i cili e kishte në patronazh Ministrinë e Brendshme. Prita të merrja ndonjë përgjigje për këtë problem, por asnjëherë nuk mora. Çuditërisht, ministri nuk reagoi.
Megjithatë, mbas disa ditësh teknikun e mënjanuam nga kontrolli i telefonave të udhëheqjes. Ky proces tashmë bëhej me komision të veçantë, por Hazyri përsëri mbetej tekniku i vetëm që kontrollonte funksionimin dhe mirëmbajtjen e centralit telefonik sekret dyshifror të udhëheqjes.
Mënyra si ishte organizuar shërbimi i ndërlidhjes sekrete për udhëheqjen, garantonte siguri, madje kishte parametra të tillë që teknikisht e bënin të papërgjueshme. Linjat telefonike kabllore shkonin direkt nga centrali telefonik në zyrat dhe shtëpitë e liderëve pa pasur asnjë shkëputje apo komutim gjatë rrugës, duke mënjanuar mundësinë e përgjimit. Mundësia e vetme që mund të vije në përgjim këta telefona ishte në centralin telefonik, i cili i ishte besuar dhe kontrollohej nga Hazyr T.
Ishte një periudhë kur problemi i përgjimeve ishte kthyer në paranojë në kokën e Kryeministrit dhe të së shoqes. Kryqëzata ndaj Mehmet Shehut atë shtator të ‘81 për fejesën problematike të të birit, e bënte situatën edhe më kritike, sidomos për ne inxhinierët dhe specialistët që përgjigjeshim për shërbimin e ndërlidhjes sekrete të udhëheqjes. Sidoqoftë, përtej këtij konteksti politik, nga kontrollet tona kishte rezultuar se telefoni i Kryeministrit ishte përgjuar. Kjo, jo për të vjelë ndonjë informacion sekret nga bisedat e bëra, por për të ngacmuar dhe bezdisur Kryeministrin, për të rindezur karakterin e tij të rrëmbyer dhe të fortë, në mënyrë që të reagonte me forcë dhe të përplasej me udhëheqjen. Pa dyshim, kjo krisje u interesonte zbulimeve të huaja, kryesisht UDB-së jugosllave. Mirëpo, telefonat, për të cilët flitej se përgjoheshin, ishin të ndërlidhjes katërshifrore të qytetit dhe nëpërmjet tyre nuk zhvillohej asnjë bisedë sekrete. Për këto unë i kisha sqaruar.
Bisedat sekrete ndërmjet udhëheqjes bëheshin vetëm në telefonin dyshifror të Ministrisë së Brendshme. Këtu mund të përgjohej vetëm nga tekniku i centralit pa krijuar fare shqetësime te përdoruesit e telefonit. Një shqetësim në këtë ndërlidhje ka pasur vetëm në telefonin e Enver Hoxhës në vitin 1978, të cilën e konstatoi ai vetë në zyrën e tij në Komitetin Qendror në numrin 59. Kjo qe edhe arsyeja që prej kësaj kohe të bëheshin kontrolle të përditshme të telefonave në zyrë. E mendohej se tekniku i kësaj ndërlidhjeje, kosovari Hazyr T., ishte person i sigurt, i besuar dhe i kontrolluar biografikisht direkt nga ministri, çfarë na përjashtonte të bënim kontrolle të tjera për besueshmërinë e tij.
Pavarësisht se nuk u bë shumë zhurmë lidhur me ankesën e Mehmet Shehut për përgjimin e telefonit, Shërbimi i Sigurisë së Ndërlidhjes së Udhëheqjes ndërmori një sërë masash organizative e teknike.
Nisur nga dyshimet që m’i kishte shtuar dhe më tepër ngjarja e fundit me telefonin e Kryeministrit, fillova të merrja disa masa organizative. Paraprakisht mblodha shoqëruesit personalë të udhëheqjes dhe bisedova me ta për problematikën e ndërlidhjes telefonike. Vura në vëmendjen e tyre se ndërlidhja qytetëse që shërbente për udhëheqjen, nuk kishte shkallë të lartë sigurie nga përgjimet e mundshme. Më shqetësuese atë periudhë ishin ndërhyrjet telefonike në adresat e zyrtarëve të lartë. Për këtë i instruktova konkretisht si të vepronin. Në çdo rast, u thashë, kur ka ndërhyrje nga telefona të tjerë, duhet lënë telefoni hapur dhe me tjetër telefon të më njoftoni menjëherë. Dhe aplikimi i kësaj mase teknike dha rezultat. Sa më lajmëronin për ndërhyrje të dyshimta, aty për aty kontaktoja me centralin dhe konfirmoja në vend numrin e telefonit dhe vendndodhjen e telefonuesit tinëzar.
PROJEKTI I PAMBARUAR ME DJALIN E KRYEMINISTRIT
E ndërsa për ndërlidhjen qytetëse ishte disi më i lehtë kontrolli teknik, delikate paraqitej siguria me telefonat sekretë dyshifrorë që përdornin udhëheqësit. Kishte ardhur koha për sekretimin suplementar të bisedave që zhvilloheshin nga këta telefona me aparate të veçanta. Së paku unë kisha dyshime se mund të kishte përgjime edhe në këtë ndërlidhje. Të parit që ia shpreha këtë shqetësim ishte Vladimir Shehu, djali i Kryeministrit. Me të njihesha, pasi ishim kolegë në profesion, të dy inxhinierë elektronikë. Vladimiri, pasi kishte punuar disa vite në Uzinën e Televizorëve në Durrës, tashmë punonte në Tiranë. Kishte krijuar një laborator elektronik të pajisur shumë mirë dhe merrej me ndërtimin e pajisjeve të kohëve të fundit. Me sa kisha dëgjuar, aty kishte nisur të bënte dhe eksperimente të ndryshme. Me të punonte edhe një inxhinier tjetër, shumë i talentuar, i cili kishte punuar më parë në Uzinën e Televizorëve në Durrës. Njihej nën zë për biografi jo të përshtatshme me regjimin, por për të bëhej garant Vladimiri që e kishte thirrur për të bashkëpunuar. Ishte një laborator sekret, dhe për veçorinë e punës së tij, fare pak veta e dinin. Pasi u takova me Vladimirin, i kërkova të dija në mirëbesim se ku e kishin laboratorin. Ai më tregoi se laboratorin e kishin vendosur në një vilë dykatëshe të vjetër pranë pazarit të ri në rrugën “Qemal Stafa”.
Në një nga ditët mbas ngjarjes, me telefonin e Kryeministrit shkoj në laborator dhe i takoj të dy inxhinierët. Më pritën mirë, më qerasën me kafe dhe gjatë kësaj kohe u them problemin, për të cilin kisha vajtur. Mbasi u shpjegova që nuk kishte problem në përgjimin telefonik të Kryeministrit, përsëri u theksova se jam i shqetësuar për ndërlidhjen sekrete, ndaj duhet të më ndihmoni për të sekretuar këto biseda.
Si u fola për shqetësimin e telefonave të udhëheqjes dhe dyshimit të tyre për përgjime të mundshme, u kërkova asistencë teknike për të ndërtuar një ekzemplar të një pajisjeje sekretimi të koduar. Ne, u thashë, mund t’i blejmë dhe jashtë shtetit, p.sh., në Zvicër, por sekreti deri diku mbetet i diskutueshëm, pasi ata që prodhojnë pajisjen e dinë edhe kodin e saj. Ata më dëgjuan me vëmendje dhe pranuan të bashkëpunojnë për të prodhuar një pajisje të tillë sa më shpejt që të ishte e mundur.
Mirëpo, ngjarjet rrodhën shpejt, Kryeministri u vetëvra, laboratori u shpërbë. Pajisja mbeti në proces. Mbas kësaj u detyruam që të blinim pajisje në Zvicër, por ato jo gjithnjë përdoreshin për shërbim. Sidoqoftë, në atë furtunë të madhe që morën zhvillimet në atë periudhë, historia e përgjimeve dhe problematika e ndërlidhjes gati u harrua, sikundër u harruan dhe ato episode përballjeje me elementë keqbërës e dashakeqë që kishin vënë dorë në pajisjet e komunikimit të udhëheqjes.
Vila e re e Kryeministrit Mehmet Shehu përfundoi në shtator të vitit 1981 dhe ai u vendos aty me familjen. Në objektin e përfunduar rishtazi ishin vendosur më parë të gjitha pajisjet e ndërlidhjes. Unë, sipas projektit, kisha realizuar instalimet telefonike të interfonisë, linjat e komandimit të radiostacioneve etj.
Në vilë vinin linja nga shumë centrale telefonike, si për telefonin sekret dyshifror, telefonin e ndërlidhjes së kufizuar, telefonin e Ministrisë së Brendshme, atë të Mbrojtjes, për rrjetin e qytetit dhe të Komitetit Qendror. Sakaq, kishim instaluar aty pultet e komandimit të radiove të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Mbrojtjes, të garnizonit ushtarak të Tiranës etj. Me miratimin e Kryeministrit kishim bërë të mundur vendosjen e aparaturave në dhomën e gjumit, në sallonin e katit të parë dhe në vendstrehim. Ishte një projekt ky që e kisha realizuar me shumë kujdes dhe përgjegjësi.
Kabllot telefonike shkonin më parë në vendstrehim, i cili ishte një vendkomandë e vërtetë, pastaj shkonin ne sallën e ndenjjes në katin e parë dhe disa prej tyre në dhomën e gjumit të Kryeministrit, komutimet bëheshin me çelës për secilën linjë. Në sallë, në katin e parë ndodhej pulti i komandimit të radiostacionit për ndërlidhjen me Forcat e Armatosura. Te porta e oborrit u vendos për kontrollin e sinjalizimin e kalimeve një pajisje sinjalizuese me rreze infra të kuqe.
Dhoma e gjumit të Kryeministrit ishte mobiluar thjesht, por shumë bukur. Mobiliet ishin të gjitha me rimeso plepi të bardhë, të lyera me llak transparent që vezullonin dhe jepnin pamjen sikur qenë prej fildishi. Te koka e krevatit ishte instaluar një radiomarrëse për lajmet dhe muzikë. I njëjti mobilim edhe në dhomën e gjumit të gruas së tij, Fiqretit.
Krevatet e tyre qenë dopio, ata flinin në dhoma të veçanta, ngjitur me njëra-tjetrën, që komunikonin me një derë të brendshme. Te dhoma e Mehmetit, në fund të saj, ishte një e ndarë e vogël si trekëndëshe mbyllur me derë ku unë hyja herë pas here, pasi kisha vendosur aty një kuti të vogël, ku mbështeteshin kabllot dhe bëheshin komutimet e telefonave.
Po këtu kisha vendosur një radio VUSH kineze (valë ultra të shkurtra) R705 për ndërlidhje me garnizonin ushtarak të Tiranës. Po në këtë ndarje ndodhej edhe një kasafortë e Kryeministrit, ku ai ruante dokumente personale, si dhe kodet e bisedimit me radio. Në vjeshtën e vitit 1981, ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi të madhe. Ne që ishim më pranë udhëheqjes, i ndienim më shumë këto tensione.
Po përgatitej Kongresi i Partisë dhe thoshim se çfarë qëndrimi do të mbahej për Mehmetin, si do të reagonte ai, duke ditur temperamentin e tij. Fejesa e Skënderit po prishej. Edhe në grupin e Sigurimit të Kryeministrit shikohej një stepje. Ata profesionalisht qenë oficerë shumë të përgatitur me shumë humor dhe mjaft komunikues. Unë më shumë komunikoja dhe e kisha shok shoferin e tij, Astrit Hitajn, nga Memaliaj. Ai qe oficer dhe i zoti në profesion, kishte një “Citroen” të zi të bukur, në biseda me të tjerët ishte pak cinik, por bashkë komunikonim mirë.
Grupi i shoqërimit (sigurimit fizik) ishte i vendosur pranë vilës në një ndërtesë njëkatëshe, jashtë rrethimit të saj, ku behej shërbim 24-orësh. Aty qenë edhe garazhet e makinave.
Në një nga dhomat e garazhit mund të zbrisje në një pus, nga ku mund të shkojë në një nga vendkalimet nëntokësore që të shpinte te vendstrehimi i vilës, e cila kryesisht shërbente si vendkomande e pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme të ndërlidhjes për drejtimin e ushtrisë. Mirëpo, ndodhi që Kryeministri nuk e gëzoi komoditetin e vilës që ishte ngritur sipas shijes së tij.
MBLEDHJA E BYROSË, 17 DHJETOR 1981
E famshmja mbledhja e stërzgjatur e Byrosë Politike e 17 dhjetorit 1981 ishte posaçërisht për Mehmet Shehun. Në mbledhje, Mehmeti tregoi historinë e fejesës së djalit me vajzën e Turdive. “Nuk i vura rëndësi biografisë, theksoi ai, duke qenë se i ati, Qazim Turdiu, është profesor matematike dhe i lidhur me partinë. Kështu nuk i vura shumë rëndësi kësaj çështje, ndërkohë nuk doja t’i prishja dashurinë djalit”. Ky ishte shpjegimi i Mehmetit për krushqinë, për të cilën po diskutonte Byroja Politike.
Kritikat pafund në adresë të tij, thuajse nga të gjithë anëtarët e Byrosë, ishin për të sa befasuese, aq dhe të rënda. Shokët “e armëve” që deri atëherë nuk i kishin bërë asnjë kritikë (mbase nuk kishin guxuar), pale ta akuzonin siç po bënin tani, tashmë ishin hedhur në sulm të paparë. U ngritën të gjithë me radhë dhe folën.
Ndoshta mendonin fatin e tyre të mëtejshëm. Aty për aty i pyeta çfarë keni që rrini kështu. Njëri prej tyre më thotë: “Shefi ka vrarë veten”. U shtanga në vend dhe nuk dija se çfarë të thosha. Ika shpejt në drejtori dhe takoj zëvendësministrin Xhule Ciraku dhe i them për ngjarjen. Ai u trondit dhe u nis menjëherë për në ministri (drejtoria jonë ishte jashtë ministrisë, në një vilë afër Bllokut, ngjitur me shtëpinë e ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu). Ne e dinim që atë ditë në orë 9:00 ishte lënë vazhdimi i mbledhjes së Byrosë Politike.
Dhe mbledhja nisi siç ishte lajmëruar. Në sallë hyri Enver Hoxha, gjithë të tjerët ishin në pritje. Nuk dinin gjë për ngjarjen. Enveri e filloi me pyetje: “Ju e keni marrq vesh që Mehmet Shehu ka vrarë veten?”. Ata mohuan. Ngjarjen e dinte deri në atë moment vetëm Enver Hxha, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu, si dhe ne, disa prej shërbimeve të Drejtorisë së Dytë. Kadri Hazbiu, si ministër i Brendshëm, e kishte marrë vesh i pari dhe shkoi te vila e Mehmetit. Prej aty kishte lajmëruar Ramiz Alinëe dhe ky Enver Hoxhën.
Mehmet Shehu kishte lënë një zarf me një letër. Mbi zarf shkruhej: Tepër sekret. Ta hapë vetëm shoku Enver. Enveri ia jep zarfin Ramiz Alise dhe ky e lexoi para anëtarëve të Byrosë. Pastaj letra kaloi dorë me dorë te të gjithë që e njohën shkrimin e Mehmetit. Gjatë kësaj kohe, Enver Hoxha i shqetësuar përsëriste me vete: “Si, ore, ia hoqi vetes? Pse e bëri atë?”.
Në biseda me njëri-tjetrin të gjithë anëtarët e Byrosë ishin dakord me propozimin që kishte bërë Simon Stefani që t’i jepnin Mehmetit një vërejte të rëndë partie. Jo më shumë. Me siguri edhe Enver Hoxha ishte i këtij mendimi. Por tashmë gjithçka ishte përmbysur dhe vlerësimet ndryshuan me 180 gradë. I pari që i dha tjetër rrjedh mbledhjes ishte Hekuran Isai, i cili hodhi poshtë kërkesën që bënte Mehmeti në letrën testament që ngjarja të konsiderohej aksident.
“Ne, shoku Enver,-vuri në dukje ai,-vetëvrasjen e kemi cilësuar tradhti ndaj atdheut, ndaj partisë dhe ndaj popullit”. Dhe si shprehu këto, u afrua pranë Enverit dhe i zgjati një letër të një agjenti të CIA-s që i drejtohej Kryeministrit për bashkëpunim. “Ky është rasti më i fundit, shpjegoi më tej ai, që zbulimi amerikan i kërkonte bashkëpunim Mehmet Shehut”.
Kaq mjaftoi për ta ndezur dhe më tej debatin me sulme të rrufeshme për Kryeministrin e vetëvrarë. Të gjithë dukeshin të bindur se njeriu që partia i kishte besuar drejtimin e qeverisë për shumë e shumë vite, paskej shërbyer për zbulimet e huaja. Letra misterioze e Isait që u lexua në atë mbledhje, ndodhet në arkivin e SHIK-ut. Historia e asaj letre është vërtet e çuditshme.
Në librin e tij, “Kush e vrau Mehmet Shehun”, zoti Perlat Caushi jep një paraqitje të hollësishme të akuzave që iu bënë Mehmt Shehut si gjoja agjent i disa zbulimeve të huaja dhe për këtë fajëson Enver Hoxhën, duke hedhur baltë për punën dhe veprimtarinë e tij. Është fakt që Enver Hoxha i dinte të gjitha informacionet e ardhura dhe kishte më parë dijeni për të gjitha ato akuza që adresoheshin për Mehmet Shehun, por nuk kishte reaguar, sepse e kuptonte që ato të dhëna të mbledhura nga ambasadat apo zbulimi ynë i jashtëm, ishin të mbështetura mbi thashethemet apo deziformacionet e dërguara nga shërbimet e huaja, në funksion të asaj që CIA amerikane, pas dështimit të përmbysjes së regjimit me grupe diversioniste, kishte kaluar në metodën e “Operacioni Plasaritja” që presupozonte përplasjen e figurave kryesore politike e shtetërore me njëri-tjetrin (sipas materialeve të deklasifikuara të CIA-s). Letra që kishte ardhur së fundi i ndryshoi gjithë balancat. Në një nga kapitujt e fundit, “Uashingtoni shtrin një dorë”, z. Caushi tregon për një letër të dërguar në vitin 1981 (kur Mehmet Shehu ishte në krizën e përshkruar më lart), në krye të së cilës ishin emrat e Kryeministrit shqiptar dhe të një titullari të lartë të Shteteve te Bashkuara, të cilët bashkëpunonin me njëri-tjetrin.
Ky dokument nuk erdhi sipas kanaleve zyrtare, por nëpërmjet kanaleve të shërbimeve të fshehta të dy vendeve. Ai i ishte ofruar zbulimit tonë të jashtëm nga një agjent i dyfishtë.
Çuditërisht, agjenti që pruri letrën theksoi se megjithëse ishte agjent i CIA-s, i shërbente edhe zbulimit shqiptar. Rëndom një agjent i dyfishtë mund të jetë dhe i trefishtë, pra, dhe UDB-së Jugosllave që kishte më shumë interes të diskreditonte Kryeministrin shqiptar. Nuk dihet si kjo letër nuk përfundoi në dorë të Kryeministrit, të cilit i adresohej, por në dorë të Hekuran Isait?
DEBATI ME HEKURAN ISAIN PËR RADION SEKRETE TË MEHMETIT
Në muajin janar 1982, rreth orës 12:00, më thërret në zyrë ministri Hekuran Isai. Në të njëjtën kohë vijnë ne Ministrinë e Brendshme drejtori i Ndërlidhjes së Ministrisë se Mbrojtjes, Abas Thana, dhe drejtori i Ndërlidhjes së Ministrisë së Brendshme, Qazim J . Në zyrë të ministrit ishte dhe ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Diskutimi ishte për radiot e shërbimit të Mehmet Shehut.
Flitej atëherë se djali i madh i tij kishte ndërtuar një radio për t’u lidhur me jashtë dhe e kishte prishur sa kishte ndodhur tragjedia e të atit. Pra, Isai kërkonte radion, sipas tij, që Mehmeti komunikonte fshehtas me shërbimet e huaja. Ne që drejtonim shërbimin e Ndërlidhjes, duhej të shpjegoheshim që Partia t’i shkonte deri në fund këtij misteri. Unë kam ruajtur në bllokun e shënimeve dhe pyetjet që më bëri në atë takim Hekuran Isai: A ka pasur radio të tillë? Kush e ka sjellë, pse i është dhënë Kryeministrit? Të themi teknikisht, pse është dashur. Nga kush është vendosur? Teknikisht, kush e mirëmbante?
Tipi i antenës që përdor a kryen ndërlidhje të largët? A ishte kjo në inventarin zyrtar të Kryeministrit? I pari filloi të jepte shpjegime Kadri Hazbiu. Hekurani e ndërpriste herë pas here si ta kishte vartësin e tij, aq sa dukej sikur e kishte marrë në hetim. Unë raportova duke thënë se të gjitha radiot ishin të invetarizuara dhe me dokumentacion të plotë.
Ajo për të cilën këmbëngulej dhe dyshohej ishin dy radio marrëse-dhënëse relativisht të vogla në valë shumë të shkurtra me tranzistore R-708 kinezë. Këto radio i kishim marrë nga Ministria e Mbrojtjes dhe i shërbenin Kryeministrit për ndërlidhjen me repartet e garnizonit të Tiranës.
Ato qëndronin në fund të dhomës së gjumit në një si aneks të vogël. Në verë i merrnin në Durrës dhe shpesh i përdornin kur dilte Kryeministri në det për të peshkuar, për t’u lidhur me pjesën tjetër të grupit të shoqërimit. Ky qe shpjegimi që dhashë. Takimi vazhdoi afërsisht një orë e gjysmë me pyetje e përgjigje, por më shumë për Kadri Hazbiun që tashmë ishte ministër i Mbrojtjes. Kur dolëm, u shoqërova me drejtorin e Ndërlidhjes së Ushtrisë, A. Thanën.
Duke biseduar, i them që nga sot të kishte kujdes në marrëdhëniet me ministrin. Më pyeti se pse. Iu përgjigja “a nuk e pe si ishin raportet midise dy ministrave, njeri pyeste dhe tjetri përgjigjej si i zënë në faj?”.
Të nesërmen në mëngjes, une, Qazim J. dhe Garip Alushi shkuam në Bllok. Shkuam te vila e Mehmet Shehut, u ngjitëm fillimisht në katin e dytë dhe vajtëm te dhoma e gjumit ku ai kishte vrarë veten. Krevati dhe gjërat qenë lënë njësoj si nga nata e vetëvrasjes së tij.
Pas kësaj u ngjitëm në çati, ku ministri na tha se kishte një antenë (nga e dinte nuk e mora vesh asnjëherë). Verifikuam çdo gjë dhe përfundimisht nuk na rezultoi asgjë e dyshimtë nga të gjitha ato që na kishte thënë Hekuran Isai.