Shtator 1947- Kujtimet e Jusuf Vrionit për natën e arrestimit
Shtator 1947- Kujtimet e Jusuf Vrionit për natën e arrestimit/ Mbërritëm te Seksioni i Brendshëm, vend famëkeq i Tiranës për qelitë dhe bodrumet e tij, paradhoma të vdekjes, ku të pyesnin, të provokonin e të torturonin. Të gjithë e dinin se ishte një vend i llahtarshëm…
Jusuf Vrioni përkthyesi i rrallë i frëngjishtes, ishte 31 vjeç në këtë foto në profil, realizuar në Hetuesine e Tiranës pas arrestimit të tij ne vitin 1947. Ai ishte një ndër ntelektualët e shumtë që regjimi komunist arrestoi e burgosi sapo mori pushtetin.
I lindur në Korfuz, me 16 Mars 1916, vtet e para të fëmijerisë i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrionit si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja e tij u shpërngul në Paris më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly në Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Etudes Politiques të Parisit.
Më 1939 rikthehet në Shqipëri, por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë, pranë të vëllait. Rikthehet në Tiranë më 1943. Që në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist Jusuf Vrioni si shumë intelektualë të tjerë vihet nën shenjestrën e Sigurimit të Shtetit, derisa më 13 shtator 1947 arrestohet dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Në libri i tij me kkujtimeai e tregon me detaje natën e arrestimit duke e quajtur ate si nata që i përmbysi jetën.
***
Mbrëmja kur u përmbys jeta ime
Më kujtohet ajo si një plagë, bërë me sëpatë moshës sime 32 vjeçare. Ishte e shtunë, 13 shtator 1947, një ditë para një ndeshjeje futbolli midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për të cilën kisha një biletë…Prisja një vajzë me të cilën do të kaloja mbrëmjen. Sahati i qytetit shënonte pothuajse orën njëzetë. Pas një pranvere dhe një vere gjithë arrestime në rritje, Tirana po priste me ankth dhe fatalizëm dimrin.
Pasi kisha mbërritur më herët, po bëja ecejake në vendin e takimit tonë, aty ku 20 vjet më vonë do të ngrihej statuja me kalë e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Po binte nata dhe në gjysmerrësirë shquhej silueta e bardhë e minares së xhamisë. Papritmas, behën mbrapa meje katër veta, të cilët m’u drejtuan me ashpërsi: “Ti je Jusuf Vrioni? Do vish me ne! Kemi ca pyetje për të të bërë”.
I tronditur nga toni i tyre, si dhe nga formulat që përdorën dhe që tashmë ishin bërë të njohura për shumëkush në Shqipëri, e kuptova menjëherë dhe u zbeha. Ishte koha kur po zhvillohej “procesi i deputetëve”, i cili do të përfundonte, ashtu siç do ta mësoja më vonë, me 18 dënime me vdekje…Eca pas atyre njerëzve duke menduar për nënën time, të cilën e kisha lënë vetëm në dhomën ku jetonim. Duhej të ishe tejet naiv që të pandehje se mund të shkoje në mjediset e Sigurimit për një hetim të thjeshtë, pastaj të liheshe i lirë.
Mbërritëm te Seksioni i Brendshëm, vend famëkeq i Tiranës për qelitë dhe bodrumet e tij, paradhoma të vdekjes, ku të pyesnin, të provokonin e të torturonin. Të gjithë e dinin se ishte një vend i llahtarshëm. Megjithatë, mua më pritën me një ton, njëkohësisht qesëndisës dhe tinëzisht të përzemërt: “Hë mor Jusuf, ç’kemi ndonjë gjë të re? Ç’thonë anglezët? Po amerikanët?”. Këto pyetje që m’u bënë aty për aty me një ton gjasme gazmor, nënkuptonin marrëdhëniet e mia, ndeshjet e tenisit me punonjësit e misioneve të huaja. Ishin fjalë me rëndësi kapitale: ndërmjet tyre merrej me mend se në ç’drejtim do vazhdonin hetimet, në atë të spiunazhit për llogari të një fuqie ideologjikisht armike…
Më çuan te një personazh i kobshëm, Skënder Kosova, anëtar i një tresheje djallëzore në mbillte terror në Tiranë, ku bënte arrestime masive natën. S’kishte njeri në atë kohë që mos të kishte frikë, por të dëgjonte xhipin e këtyre djajve të vdekjes tek ndalonte para derës së shtëpisë në mes të natës. Të tre këta vrasës bënin një kontroll të shpejtë dhe kafshëror të të banesës dhe në përfundim të tij, merrnin me vete një apo disa fatkeqë. Këta çoheshin në vende të ndryshme të qytetit, nganjëherë, drejt e në burg, nganjëherë në një nga ndërtesat e Seksionit të Brendshëm ku punonte ajo që nuk quhej ende në atë kohë Sigurimi, por Garda e Popullit.