Albspirit

Media/News/Publishing

Treshja ballkanase që po shtyn për “mini-Shengenin” dhe kritikon BE për vonesat

Udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë kritikuar ashpër Brukselin mbi ngadalësimin e procesit të zgjerimit dhe tani po mendojnë të shtyjnë përpara idenë e vet për një zonë pa kufij udhëtimi dhe biznesi, teksa janë në pritje që blloku t’i pranojë.

“E dimë që ka një lodhje nga zgjerimi. Në vend të kësaj duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë vetë. Çfarë mund të bëjmë për njerëzit tanë dhe si mund të zgjerojmë tregjet”, tha në një intervistë Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev shprehu zemërim për faktin se Bashkimi Europian nuk mbajti premtimet e veta. “Duhet të përshpejtojmë gjërat praktike nga të cilat përfitojnë qytetarët tanë”, tha ai.

Edi Rama, Kryeministri i rizgjedhur i Shqipërisë e krahasoi punën me Brukselin me veprën ekzistencialiste të Samuel Beckett, “Duke pritur Godonë”, në të cilën dy burra angazhohen në një seri bisedash, shpesh absurde, teksa presin pafundësisht dikë që nuk vjen.

Minishengeni Ballkanik i lëvizjes dhe biznesit, që është konceptuar sipas modelit të lëvizjes së lirë të BE-së do të prezantohet ditën e enjte (29 korrik). Do të përfshijë një lehtësim gradual të kufizimeve të udhëtimit, do të reduktojë burokracitë në kufi dhe kohën e pritje nëpër dogana dhe do të lehtësojë lëvizjet e krahut të punës.

Shpresohet që zona, për të cilën Vuçiç tha se duhet të krijohet brenda këtij viti, të përfshijë edhe Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën, ndërsa mbetet e hapur edhe për Kosovën, pavarësisht se statusi i saj kundërshtohet nga Serbia.

Presidenti serb tha se Ballkani nuk mund të presë më gjatë Bashkimin Europian që ta bashkojë atë. Gadishulli që u përça etnikisht, fetarisht dhe ekonomikisht gjatë luftërave në ish-Jugosllavi meriton më shumë.

Vendet kanë ende shumë progres për të bërë para se BE t’i pranojë me reforma elektorale, në drejtësi dhe ekonomi. Por, veç reformave ka një ndjesi se rruga drejt anëtarësimit është bërë zyrtarisht e artificialisht e vështirë. Vuçiç erdhi në pushtet me një platformë pro-BE, por ashtu si kolegët e tij në rajon, gjithnjë e më shumë po e frustron qëndrimi i bllokut ndaj Serbisë.
Synimi i zonës minishengen është që së brendshmi të zbusë narrativën e egër rajonale, të zbusë tensionet etnike dhe së jashtmi të kërkojë anëtarësimin në BE dhe më shumë investime për rajonin. “Kur njerëzit kanë rroga më të larta, fitojnë më shumë do të mendojnë më shumë për jetën e tyre, si ta përmirësojnë atë edhe më shumë dhe jo për hijet e së shkuarës”, shpjegon Vuçiç.

Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin për të “respektuar ndjeshmëritë” historike të Greqisë, një vend anëtar i BE. Por, Zaev thotë se pavarësisht kësaj, BE dështoi. Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO vitin e kaluar, pak pas ndryshimit të emrit, por me BE duhet të hapë ende negociatat e anëtarësimit.

“Qëllimi final është që të jemi vend anëtar i BE. Por, deri kur BE ta ndajë mendjen ne duhet të gjejmë rrugë për të vazhduar procesin e europianizimit të rajonit”, thotë Zaev.

Edi Rama thotë se minishengeni do të shtyhet përpara pa vendet e tjera të Ballkanit për “të udhëhequr me forcën e shembullit dhe për të mos qenë një karikaturë e vogël e BE, ku për çdo gjë duhet konsensus dhe ku çdokush mund të të bllokojë për një veto”.

Komisioni Europian deklaroi se mbështet përpjekjet për integrim të gjashtë vendeve të Ballkanit në një treg të përbashkët rajonal, sipas modelit të tregut të përbashkët të BE me aplikimin e rregullave dhe standardeve të tregut të BE. “Objektivi final, anëtarësimi në BE nuk ka ndryshuar”, tha një zëdhënës i Komisionit.

Sa për mefshtësinë e këtij procesi nga ana e BE, Komisioni thotë se u ka kërkuar qeverive të vendeve anëtare të BE që të lejojnë mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Dy vendet duhet të kishin hapur negociatat që vitin e kaluar, por ky hap tashmë po bllokohet nga Bullgaria.

Edhe sikur negociatat të hapen, oreksi politik për zgjerim në vendet kryesore të Bashkimit Europian është i zbehtë dhe mund të zbehet edhe më shumë pasi Angela Merkel, kancelarja gjermane një mbështetëse e madhe e integrimit të Ballkanit, do të tërhiqet pas zgjedhjeve të shtatorit.

Të tre udhëheqësit ballkanikë theksuan se ndërsa janë në pritje te dyert e BE-së, SHBA u ka ofruar mbështetje të plotë.

“Ballkani që kemi sot mund të jetë më rrezatuesi, nëse jo i vetmi rrezatues, i shembullit të politikës së jashtme amerikane. Liritë që gëzojmë sot në Ballkan është së pari krijesa e tyre”, thotë Rama.

Analistët paralajmërojnë se ndërsa koha kalon, tërheqja ndaj aktorëve të tjerë potencialë politikë e gjeostrategjikë mund të rritet, sepse Maqedonia e Veriut prej 18 vitesh është kandidate, Serbia prej 9 vitesh dhe Shqipëria prej shtatë vitesh.

“Përveç Kinës dhe Rusisë, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë gjithashtu shumë aktive në rajon. Kjo duhet të paralajmërojë BE-në se u la hapësirë këtyre vendeve që të hyjnë në këtë hapësirë”, thotë Ivan Vejvoda nga Instituti i Shkencave Njerëzore në Vjenë.

Marrë nga Financial Times. Gazeta Shqip

Please follow and like us: