Albspirit

Media/News/Publishing

Vera Pelaj: 12 vjet më parë, intervistë me poetin e njohur, Ali Podrimja

 

 

 

Cila kohë është koha e fillimit të shkrimit?

Ali Podrimja: Kam filluar të shkruaj që në vitet e ’60-ta, në një kohë të rëndë edhe për popullin tim. Poezinë e parë e kam botuar në revistën letrare “Jeta e re” në vitin 1957, nr.4. Kryeredaktor i saj ishte bardi ynë, Esad Mekuli. Në një shkrim diskursiv e kam quajtur “Ëngjëlli im mbrojtës”. Isha nxënës i gjimnazit të Gjakovës dhe i kisha sjellë mjaft probleme me poezitë; se artikulimin e konsideroja akt të dinjitetit. Nuk e firmos poezinë nëse nuk ngritet ndonjë problem qeniesor të ekzistencës sonë. Ndodh t’i kthehem tekstit prapë, sepse nuk më le të qetë. Prandaj dhe vargu: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, shkruar para 50 vjetëve, ishte bërë problem për regjimin e atëhershëm. Lëvizjet e përbindshëve rreth meje u ngjanin hijeve të Teatrit shekspirian. Fat jo vetëm për mua ishte se në krye të “Jetës së re” qëndronte poeti, i cili mbronte krijuesit. Publikisht e them se Esad Mekuli më ka shpëtuar.

Me çfarë problemesh u ballafaquat shkaku i shkrimeve?

Ali Podrimja: Problemi kryesor ishte guximi krijues. Pas një poeme të botuar dhe ca poezive të tjera në faqet e “Jetes së re“, kishte zënë të flitet për rebelimin tim. Por çfarë krijuesi do isha po qe se në një kohë të vështirë të mos e thoja të vërtetën për fatin tonë. Më vonë në poezinë Bukuria ( 1960) kisha thënë: “Zgjata dorën ta këpus lulen mos fqiu im më tha”. Fjala ishte për bukurinë dhe mirësinë në jetë, mirëpo ndryshe e kishte interpretuar pushteti i atëhershëm. Pëshpëritej se kisha menduar për Shqipërinë. A ta pranoja këtë kur ndeshkimi do ishte i rëndë. Posaçërisht droja për Kryeredaktorin Esad Mekulin, i cili ishte ftuar disa herë në biseda me ata të Komitetit Krahinor dhe e kishin pyetur për poezitë e mia të botuara në “Jeten e re”. Ç’është kjo poemë dhe vargu: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, pastaj ai fqiu? Sa vjet i ka poeti, që i ka shkruar këto vargje…? Esadi iu ishte përgjegjur: është një i ri dhe nxënës i gjimnazit të Gjakovës. Ata të Komitetit kishin pasur mendim tjetër: ai nuk meriton të vazhdojë shkollimin më tutje, poezitë e tij janë artikulim armiqësor. Dhe një ditë takohem me “Ëngjëllin tim mbrojtës”. Pasi e dëgjoj, falje i kërkoj dhe i them: e gjithë ajo në poezitë e mia është realitet. E vërejta se u shqetësua për atë që ia thashë. Dikur m’u drejtua: E di ti se “Jeta e re” është e vetmja dritare që kemi, të cilën mund të na mbyllin? Më kishte shikuar gjatë dhe pastaj më ishte drejtuar: Unë gjithmonë nuk mund të të mbroj. Të lutem, ta shkruash një poezi për Titon, do të jetë ajo një mburojë për ty. Po si ta shkruaj, baca Esad, kur nuk e kam takuar asnjëherë dhe ç’them për të. Prapë më ishte drejtuar: hedhi ca vargje e unë do të kujdesem. Ndryshe unë e kuptoj letërsinë, i kisha thënë. Kam ide të tjera. Megjithatë, kishte fituar ai. Nuk kisha mundur t’ia shoh lotin në sy. I kisha shkruar ca vargje në një cep letre dhe plaku e kishte vënë në çantën e tij. Seç kishte ndodhur me ato vargje e pashë kur doli “Jeta e re”. E kisha flijuar dinjitetin tim shkaku i poemës për Kosovën dhe pse nuk dëshiroja të jem shkaktar i mbylljes së “Jetës së re”. Po ashtu nuk isha i pari që kisha shkruar poezi për Titon. Në të dy krahët e Shqipërisë kishin shkruar më parë. Dhe me rastin e një antologjie, ku kishin zgjedhur poetë nga të gjithë popujt e ish-bashkësisë, kishin vënë aty edhe poezitë e Esad Mekulit, Enver Gjerqekut, Rrahmon Dedajt, timen dhe ca të tjerëve që nuk më kujtohen. Mirëpo, prapë isha bërë problem unë. Poezinë time e kishin analizuar fjalë për fjalë dhe i kishte bezdisur vargu “Trimi im”. Paj ky tallet, kishte thënë një sekretar federativ: Ne ndryshe lexojmë. Unë e pranoj si timin. Pse nuk ke thënë: Tonin? Kisha ngulur këmbë se ai në poezinë time ishte vetëm imi. Do e shohim kishte thënë i nderuari. Me kaq ishte mbyllur debati rreth poezisë për të nderuarin. Më bëhej se vargun pezhorativ e kisha lidhur fortë për heshtje time. E kisha prekur kokën, a e kisha ende mbi supa të mi… Mediokritetët tani kapen rreth asaj poezie.

Bën të keni probleme edhe tani, konkretisht me poezitë. Çfare janë “Zerot”, “Përmendorja e viçit” të shkruara në vitin 2000 mbasi në to mund ta gjejnë veten shumëkush nga hierarkia?

Ali Podrimja: Krijuesi nuk bën të pajtohet me të keqen, ai duhet të luajë rolin e korrektuesit, të avansojë ide e vlera dhe të mbrojë dinjitetin e popullit që i takon. Është turp të heshtët para të keqës. Unë këtë nuk mund ta pranoj, prandaj gati e tërë poezia ime është ironike, e cila vazhdon të çmohet edhe nga të huajt, të botohet e të ribotohet. Më kujtohet Fadil Hoxha, e shihja rrugëve të kryeqendrës sonë në një makinë të rëndomtë: Vinte edhe pa trupëroje, si qytetar i thjeshtë, vizitonte institucione nga shkolla fillore deri te Akademia. Kishte një kurajo qytetare dhe besonte në popullin e vet. E, tani na kanë kapluar “zerot”, po zerot mund të jenë kafshatë e shumë njerëzve të varfër. Ndodh një korrupcion afrikan. Nuk dihet se kush vjedh më shumë. E kjo është e turpshme. Ndodh kjo kur ne ende bredhim në një hapësirë ballkanike dhe kur nuk e kemi marrë ende veten në dorë. Duhet të pranojmë se jemi pasanikë varfënjakë, siç thotë një mik imi.

Jeni autor i shumë librave poetike. Ç’do të thotë kjo për ju?

Ali Podrimja: Në letrat shqipe ka shumë poetë të mirë, të cilët do të dëshironte t’i kishte çdo letërsi. Para disa ditësh miku im, Fatos Arapi, u nderua me “Kurorën e Artë”, që do i dorëzohet në Takimet e Strugës në muajin gusht. Kjo mirënjohje ka mundur t’i jepej për të gjallë edhe Lasgush Poradecit, por fqinjtë tanë disi frikësohen nga fjala jonë, nga libri ynë. Pse ndodh kjo, e dinë më mirë ata. Në vitin 1968 Esad Mekuli kishte përkthyer romanin “Gjeneralin e ushtërisë së vdekur” të Kadaresë. Pas botimit të parë, ky roman ishte ribotuar nga një botues i njohur i Beogradit dhe i kishte rënë në dorë Mirolsav Kërlezhës, i cili e kishte lexuar me një frymë. Një ditë ca krijues nga Maqedonia kishin trokitur në derën e tij, dëshironin ta lajmëronin se Kryesia e Shkimtarëve të Maqedonisë kishte vendosur ta nderojë me “Kurorën e Artë”. Po kolosi i letërsisë kroate, u kishtë thënë: do ishte mirë këtë çmim t’ia ndani Ismail Kadaresë nga i cili këto ditë kam lexuar romanin “Gjeneralin e ushtërisë së vdekur”, një roman i rrallë në hapësirën tonë. Ky shkruan dhe poezi. Në gjuhën ruse i është botuar një përmbledhje e poezive që ka pasur jehonë në hapësirën ruse… Pyetni dhe për libra të mi, të cilët shumica janë botuar edhe në gjuhë të huaja. Kjo nuk më nderon vetëm mua.

Keni qenë redaktor disa vjet në shtëpinë botuese “Rilindja” ç’mund të na thonit?

Ali Podrimja: Nuk ekziston më “Rilindja”, njëra ndër shtëpitë botuese më të mëdha në Gadishullin Ilirik. Ajo ka mbajtur gjallë kujtesën tonë dhe na ka vetëdijesuar. Botimet e saj kërkoheshin nga gjithë anët dhe nga të huajt. Nuk është më as gazeta “Rilindja” tirazhi i të cilës arrinte der në dyqindmijë kopje, nuk është as “Jeta e re”, ku i botonim punimet tona dhe të cilën e konsideronim dritare kah bota; nuk ekzistojnë as disa gazeta e periodikë, ku publikonin punimet e tyre krijues e shkencëtarë nga lami të ndryshme; nuk ekziston as gazeta e studentëve “Bota e re”, ku i publikonin të rinjtë punimet e tyre. Fajtorë për këtë jemi ne, se në vendet kyçe të kulturës u vendosën servilë dhe mediokritetet. Një shoqëri normale këto botime do i mbante gjallë për hir të traditës. Por dolën ca e thanë se kjo botë fillon nga ne. Mjerim… Me trashëgëminë nuk luhet. Përkundrazi i jepet vend i rëndësishëm në kulturën e një populli.

Vargu juaj “Kosova është gjaku im që nuk falet” UÇK-ja e kishte betim. Si e keni përjetuar?

Ali Podrimja: Për këtë dëgjova pas luftës. Me mikun e komandantin trim Fatmir Limajn “Zëri” kishte botuar intervistë të gjatë, ku fliste për trimëritë e UÇK-ës si dhe për kohën e tyre mes dy zjarreve. Mes të tjerash, kishte thënë se gjatë pushimit lexonim poezi nga Ismail Kadare dhe Ali Podrimja. Ndërsa në Tiranë në vitin 1998 ishte mbajtur një tubim madhështor në Sheshin e Skënderbeut në përkrahjen e çështjes së Kosovës. Sipas Dritëro Agollit kishte pasur afro dyqindmijë njerëz. E kishin ngritur zërin për lirinë e Kosovës dhe në pankartat ishte parë vargu i cituar më lartë. Këtë devolliti ma kishte thënë në Muzeun e Hikmetit në Stamboll (1998), ku mbahej mbrëmja e poezisë shqipe. Nuk kisha ditur ç’t’i them mikut: kjo është nder për mua. Ashtu dhe do të ndodhë.

Keni marrë pjesë në shumë manifestime letrare në Evropë. Cili është roli juaj në këto manifestime?

Ali Podrimja: Në manifestime të tilla mund të kontribuohet mjaft për çështjen kombëtare, si dhe për vlerat tona shpirtërore. Ne kaherë u përcaktuam për Evropën. Arbëreshët na ishin pararoja e qytetërimit tonë të hershëm që në shek. XV. Fatkeqësisht neve shqiptarëve na mungon propaganda. Nuk dimë të plasojmë të vërtetën mbi të qenit tonë. Ndërsa fqinjtë nuk prajnë të trillojnë shumçka për ne, bile dhe gjëra absurde që nuk i kap logjika. Në vitin 1997 vargu: “Kush do ta vras ujkun” ishte bërë plakat dhe vënë në disa qytete të Evropës. Prof. im i ndjerë Fehmi Agani e kishte dëgjuar tek e recitonte një deputet në Parlamentin e Evropës në Strasburg. Unë nuk isha politikan as këngtar kafenesh, por një poet që i drejtohesha opinionit evropian për atë që ndodhte në Kosovë. Kam qenë i nderuar dhe në Takimet e Mediteranit që mbahen në Romë. Aty kishin qenë më parë poetët Fatos Arapi, Visar Zhiti, Agron Tufa… Sebep për mua ishte botimi i librit tim në gjuhën italiane, Zatën, ky është libri i dytë. Më parë poeti italian Gjakomo Scotti kishtë përkthyer librin “Poesie për Lum” (Napoli, 1984). Italianët, po ashtu, më kishin botuar shpesh. Disi isha i pranishëm. Mirëpo, pjesëmarrje e fundit ishte diçka e veçantë: pos meje hapej dhe ekspozita mbi Gjenocidin serb në Kosovë, të cilën me mjaft kujdes e kishte përgatitur Nusret Pllana. Kishte pasur shumë reagime, posaçërisht nga Ambasada Serbe: Si lejohet të hapet një ekspozitë e tillë dhe të ftohet poeti që njihet për mesazhet e tij nacionaliste. Por bën të heshtet gjenocidi që kishte ndodhur në Kosovë e Bosnje? E turpshme ishte të mbesësh indeferent ndaj asaj që ndodhte. Me UÇK-në ishte barikaduar populli, pra dhe krijuesit e të gjitha rrafsheve…

Ç’mendoni për manifestimet letrare?

Ali Podrimja: Fatkeqësisht te ne çdo gjë është rrënuar. Manifestimeve tona u mungon përkrahja dhe organizimi. Nuk kemi mësuar asgjë nga të tjerët, se ajo që na afirmon para opinionit të jashtëm është dhe fjala. Por fjala te ne është ngulfat, nuk ka hapësirë dhe shikohet si e dyshimtë, shkaku i komplekseve. Mendoj duhet të lirohemi nga e keqja, përndryshe do të kemi pasoja…

Mbani mend sa herë jeni shpërblyer për krijimtarinë tuaj?

Ali Podrimja: Jam nderuar me disa çmime në Kosovë, por do e veçoja çmimin “Nikolas Linau (1999, Gjermani). Poezitë e Linaut i kishte përkthyer Lasgush Poradeci që në vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar. Regjimi i atëhershëm nuk i kishte botuar, se nuk kishin qenë “poezi muskuloze”. Para dy vitesh më nderoi dhe Shqipëria me “Pendën e Argjendë” për librin “Pikë e zezë në blu” (Botim i “Onufrit”), ndërsa Manifestimi tani tradicional “Poeteka” ma dha, Çmimin “Liburna” etj…

 

Vera Pelaj – 2009.

Please follow and like us: