David L. Phillips: 20 vjet mbas Marrëveshjes së Ohrit
Drejtor i Programi për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut
në Universitetin Kolumbia në Universitetin e Tetovës Tryezë e rrumbullakët mbi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit
28 korrik 2021
Ngjarjet në Maqedoni, të cilat çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duhet të shihen në kontekst. Ekziston një lidhje midis asaj që ndodhi në Kosovë gjatë viteve 1990 dhe përshkallëzimit të konfliktit andej kufirit në Maqedoni
Ndërsa situata në Kosovë u përkeqësua në 1998-tën, Qeveria e ShBA-së donte të binte në kontakt me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ambasadori Riçard C. Holbruk dhe unë mblodhëm udhëheqësit shqiptaro-amerikanë çdo muaj për të diskutuar rreth zhvillimeve në terren. Ne kërkuam ndihmë për identifikimin e udhëheqësve të UÇK-së. Megjithëse ata nuk pranuan publikisht që kishin njohuri për grupin, pas drekës mu afrua një person dhe ma dha një listë të udhëheqësve të UÇK-së me numrat e tyre të telefonit. Kështu personat zyrtarët të ShBA-së vendosën kontakte me UÇK-në.
UÇK (Kombëtare) u shfaq në vjeshtë të vitit 1999 pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Fillimisht drejtohej nga ish komandanti i UÇK (e Kosovës) Ali Ahmeti. Ndryshe nga UÇK, e cila luftoi për pavarësi nga Serbia, qëllimi i deklaruar i UÇK (Kombëtare) ishte të drejtat e barabarta për pakicën etnike shqiptare brenda një Maqedonie konfederale. Sipas komandantëve të lartë të UÇK (Kombëtare), “Ne nuk duam të rrezikojmë stabilitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë, por ne do të luftojmë një luftë guerile deri sa të kemi fituar të drejtat tona themelore, derisa të pranohemi si një popull i barabartë brenda Maqedonisë”. Nga marsi 2001, UÇK (Kombëtare) kishte marrë kontrollin efektiv të territoreve në Maqedoninë veriore dhe perëndimore. Forcat e saj ishin 12 milje larg nga Shkupi.
Dështimi i një kundërsulmi të qeverisë maqedonase në Kumanovë çoi në negociata që u ndërmjetësuan nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërmjetësimi ishte një shfaqje e jashtëzakonshme e bashkëpunimit ndërkombëtar që përfshinte ShBA-në, NATO-n, Bashkimin Evropian dhe OSBEnë. Këtu do të doja t’i bëja nderime mikut dhe kolegut tim, Ambasadorit Xhejms Perdju, negociatorit amerikan, i cili ndërroi jetë ca kohë më parë.
Ngjarjet në Maqedoni demonstruan një parim të zgjidhjes së konfliktit. Konflikti i armatosur shpesh është pjesë e një strategjie politike që synon krijimin e kushteve për negociata politike dhe marrjen e mbështetjes për ndërhyrjen ndërkombëtare jo përmes veprimeve ushtarake por përmes ndërmjetësimit. Ashtu si Nelson Mandela dhe Kongresi Kombëtar Afrikan (KKA) filluan një kryengritje të armatosur për të nxitur negociatat me Qeverinë e Afrikës së Jugut për t’i dhënë fund aparteidit, UÇK (Kombëtare) kërkoi një zgjidhje politike për pabarazinë e qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare në Maqedoni.
4 shtyllat e MKO-së (Marrëveshjes Kornizë të Ohrit) pasqyrojnë qëllimet kushtetuese dhe politike të UÇK-së (Kombëtare):
- Demokracia dhe të drejtat e njeriut.
- Çështjet kulturore.
- Përfaqësimi proporcional etnik në administratën publike dhe forcat e sigurisë.
- Decentralizimi i qeverisjes lokale.
Këto parime u vunë në praktikë përmes 15 ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga parlamenti i Maqedonisë në 16 nëntor 2001:
- Amendamenti IV: Përmirëson pozicionin e shqiptarëve në Maqedoni duke i quajtur ata si komb dhe jo më si pakicë.
- Amendamenti V: Zgjeron fushën e gjuhëve zyrtare për të përfshirë çdo gjuhë që flitet nga më shumë se 20% në një komunë të caktuar.
- Amendamenti VI: Rregullon parimin e mosdiskriminimit dhe barazisë, si dhe përfaqësimin proporcional të të gjitha grupeve etnike në vendin e punës.
- Amendamenti VII: Vendos barazinë midis feve.
- Amendamenti VIII: Rregullon simbolet e identitetit kombëtar.
- Amendamenti XI: Adreson pronat historike.
- Amendamenti X: Kërkon miratimin e pakicave për ndryshimet ligjore që ndikojnë në simbolet me karakter kombëtar, përfshirë gjuhën, kulturën dhe arsimin. – Amendamenti XI: Krijoi Ombudsmanin dhe Zyrën e Avokatit të Popullit.
- Amendamenti XII: Autorizon krijimin e një komiteti për marrëdhëniet ndëretnike, me 19 anëtarë (7 të kombësisë maqedonase, 7 të kombësisë shqiptare dhe 5 nga grupe të tjera të pakicave si serbët, boshnjakët, turqit dhe romët).
- Amendamentet XIII, XIV dhe XV: Rregullonjnë sistemin e drejtësisë, duke përfshirë procedurat për zgjedhjen e këshillit gjyqësor dhe gjykatës kushtetuese.
- Amendamenti XVI: U referohet kompetencave të vetëqeverisjes lokale
MKO (Marrëveshjes Kornizë të Ohrit) u nënshkrua në një datë të caktuar – 13 gusht 2001. Sidoqoftë, implementimi i MKO-së është pjesë e një procesi që synon të harmonizojë reformat me standardet ndërkombëtare, duke arritur kulmin në integrimin e Maqedonisë në institucionet EuroAtlantike, NATO dhe BE.
MKO-ja arriti t’i japë fund konfliktit të dhunshëm. Sidoqoftë, integrimi Euro-Atlantik u vonua në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, kur Greqia kundërshtoi anëtarësimin e Maqedonisë për shkak të “çështjes së emrit”. Komunikata përfundimtare e NATO-s pohoi se, “Në Ballkanin Perëndimor, integrimi Euro-Atlantik, bazuar në solidaritet dhe vlera demokratike, mbetet i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë. Kjo përfshin promovimin e bashkëpunimit në rajon, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe zgjidhjet në kohë të pranueshme nga të dyja palët, për çështjet e pazgjidhura. “Në komunikatë përmenden tre vendet e Ballkanit në Planin e Veprimit për Anëtarësim (PVA) – Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia – duke e lavdëruar nivelin e tyre të bashkëpunimit reciprok dhe rajonal. Kroacia dhe Shqipëria u ftuan që t’i bashkohen aleancës; Maqedonia nuk u ftua për shkak të mosmarrëveshjes së saj të vazhdueshme me Greqinë mbi çështjen e emrit
Vetoja e Greqisë pati një ndikim të madh në politikën e brendshme të Maqedonisë. Votuesit ndien një ndjenjë të fortë të poshtërimit kombëtar, dorëheqjes dhe zemërimit për ngjarjet në Bukuresht dhe mbështetën fuqimisht VMRO-në, e cila u koncentrua në ndjenjat nacionaliste dhe anti-Greke në zgjedhjet e 1 qershorit të vitit 2001. Lëvizja reformatore e frymëzuar nga MKO-ja e humbi vrullin, duke ia lëshuar rrugën ndjenjave nacionaliste.
Statujat dhe festimet e identitetit kombëtar historik maqedonas u përhapën, ndërsa korrupsioni u rrit. Populli i Maqedonisë u zemërua kur Greqia njoftoi bojkotin e produkteve maqedonase, përfshirë mishin e qengjit nga Maqedonia para Pashkëve ortodokse. Npërmjet e-maileve bëhej thirrje për bojkotim të produkteve greke. Pjesa tjetër është histori. Maqedonia u bë një cekëtinë ku përparimi demokratik dhe i të drejtave të njeriut kishte stagnuar. Përveç disa të privilegjuarve, VMRO-ja konsolidoi kontrollin e saj politik dhe ekonomik.
Greqia dhe Maqedonia nënshkruan Marrëveshjen e Prespës më 12 qershor të vitit 2018 me të cilën Maqedonia u quajt Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia ra dakord për normalizimin e marrëdhënieve. Unë do të doja të përgëzoja ndërmjetësimin e Ambasadorit Methju Nimic, durimi dhe aftësia diplomatike e të cilit mundësuan marrëveshjen. Mbështetur nga qeveria Norvegjeze, Universiteti Kolumbia luajti një rol të vogël, por të dobishëm duke lehtësuar komunikimin, kontaktin dhe bashkëpunimin midis shoqërinë civile greke dhe maqedonase, si dhe midis zyrtarëve të qeverisë lokale dhe ombudsmanëve nga të dyja vendet. Ka mesazhe të rëndësishme nga ngjarjet në Maqedoni:
- Dhuna është gjithmonë një mundësi e fundit, por ajo mund të katalizojë bisedimet politike kur palët lëvizin nga konfrontimi kah konsultimi.
- Ndërmjetësimi funksionon më mirë kur organizohet nga më shumë palë me ShBA-të në krye. Administrata e Bajdenit i jep përparësi bashkëpunimit trans-Atlantik, i cili plotëson por nuk e zëvendëson udhëheqjen e ShBA-së.
- Nënshkrimi i një marrëveshjeje është një ngjarje me rëndësi e cila ndodh në një datë të caktuar, pasi që ndërtimi i paqes është një proces që kërkon kohë dhe kërkon pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe elitave politike.
Maqedonia ka fituar përvojë të vlefshme që mund të ndahet me vendet që dalin nga konflikti i dhunshëm. Maqedonia e Veriut është një laborator për testimin e parimeve të MKO-së mbi ndarjen e pushtetit, qeverisjen lokale, të drejtat politike dhe kulturore. Këto parime janë të rëndësishme për mjediset e tjera me sfida të ngjashme dhe mund të eksportohen në vende të tjera të tilla si Sri Lanka me pakicën e saj Tamil dhe Etiopia, e cila po lëkundet nga konflikti në Tigrej.
Universiteti Kolumbia organizon festimin e përvjetorit të MKO-së më 13 gusht në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Unë do të shqyrtoj mundësinë për krijimin e një Instituti MKO për Zgjidhjen e Konflikteve për të studiuar parimet e ndarjes së pushtetit dhe për të ndihmuar vendet e tjera që përjetojnë luftë civile për të ndërtuar kapacitetin e tyre kombëtar në mënyrë që ata të përballen me sfida të ngjashme. Instituti MKO parashikohet si një partneritet publik-privat që përfshin Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet akademike siç është Universiteti i Tetovës. “Brendi MKO” është një burim që mund të eksportohet, duke e bërë Maqedoninë e Veriut një destinacion për studentët dhe praktikantët për zgjidhjen e konflikteve. Unë për herë të parë e vizitova Universitetin e Tetovës në vitin 1994 dhe takova studentë dhe pedagogë në një bodrum të ftohtë me pak nxehtësi dhe energji elektrike. Jam i nderuar që vizitoj Universitetin e ri të Tetovës sot, edhe pse vetëm virtualisht. Unë pres që të bashkëpunojmë në të ardhmen me ju, si dhe miqtë dhe partnerët e tjerë në Maqedoninë e Veriut./ylliria press