Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NAPOLEONI

Rrëfenjë jetësh të vrara
1.
Atë të dielë paradite, sheshi “Omonia” që mbushur me emigrantë shqiptarë dhe gumëzhinte nga zërat e fjalët shqip. Vërtitesha edhe unë midis tyre, veshur me ca rroba të vjetra pune, duke u përpjekur të dukesha paksa më i gjallëruar fizikisht, vërshëlleja një melodi nga ato tonat, me gjoksin përpara e sytë katrash, aq sa u mpiva nga këmbët e vështroja se mos gjeja ndonjë stol a bordur bosh. E kisha qarkuar dhjetra herë të gjithë sheshin, duke pritur hapje-mbylljen e semaforëve, në të tetë rrugët që degëzonin kryeqytetin helen, me një trafik të dendur e të zhurmshëm. Kërkoja punë, sido që të ishte ajo…
Dhe ja, në dalje të metrosë, tek vështroja njerëzit që dilnin me shkallaren elektrike, më zuri syri Napoleonin, tim kushëri që më gufoi zemrën sa e pikasa, zënë për dore me të bijën e dytë, Linën e bukur.
Mbeta pa frymë, sa doli prej andej dhe iu hodhëm në krahë njëri-tjetrit e Linës i shpupurisa flokët e krehura bukur. Mirë unë kisha ardhur nga mali, po ai si kishte mundur të vinte, mbetur afro njëzet vite pa baba, me nënën e moshuar, me tri vajza të vogla e një djalë, kur fatet njerëzore nuk i kishin prirur aspak, që nga koha e trazuar e luftës. Napoleoni qe djali i Hallë Vitos, kushërirës së parë të tim eti dhe e donim që të gjithë. Ishte korrozi nga fytyra, fliste shumë shpejt, aq sa nuk i merreshin vesh mirë fjalët dhe vinte i ndrojtur, qyshkuri i arrestuan baban në 49-ën. E djalit pesë vjeçar iu duk sikur i iku fare fjala nga goja!
Po tani i qeshte buza e më ftoi të veja pas tij, për të pirë një kafe.
Vajta menjëherë, duke harruar se kisha dalur për punë e gjithçka tjetër të asaj dite të rrëmujshme, me plot të papritura. E do stepesha para derës luksoze e me xhama kristali të hotelit “Omonia” ku na futi Napoleoni, prej së cilës dolën dy zonja që kukurisnin, zënur për krahu. Na ngjiti në katin e katërt me një frymë dhe, në korridorin e gjatë ndali para dhomës 73. Në të tilla raste, kushdo njeri do të hutohej e nuk do të kishte nge të pyeste, mbasi e papritura bëhej tepër befasuese dhe e mpleksur me enigma e shpresa që të vezullojnë para syve. “Bëji gati kafet, i tha ai Linës, si hymë na atë dhomë lluksoze,  sa të thërras edhe xhaxhain”! Mbeta syshqyer…
Kë xhaxha?! Cilin prej tyre? I kishin shuar të tre nëpër burgje e kampe internimi, veç nga njëri- tjetri, hallakatur, si mos më keq e torturuar, për fajin e atij tjetrit, atij diversantit që… Por Napoleoni është e mbetet Napoleon… Që bënë surpriza!… Një emër i madh… I ati, Arsen Prifti, ishte një fshatar fort i mençur, që vajti djalë i ri në Tiranën e viteve tridhjetë e zuri punë në njerin nga lokalet e fatit që sapo kishte lejuar të hapeshin Madhëria e tij, Mbreti Zog dhe kishte mësuar vetë italishten, gjermanishten e frëngjshten. Ai e lexonte më ëndje Viktor Hygon në gjuhën e tij dhe sidomos librat që ishin shkruar për Napoleon Bonopartin e madh dhe, sa i lindi ky djalë, e quajti Napoleon edhe të vogëlin e tij… E s’arrin dot që të pyesësh e as që ta mendosh më gjatë, kur aty do të hynte një burrë i shkurtër, i pa njohur, me flokë të bardha, me fytyrën e hequr e të brazduar, me kostumin gri që i rrinte bukur e me buzëqeshjen e tij enigmatike e pa asnjë shenjë habie ngazëllimi…
“Mos u habit, tha me ngut, Napoleoni. -Para teje qëndron ai!… Xhaxhai im, që i bëri atëhere të gjitha ‘zullumet’ e që tani erdhi të bëjë një gjë te mirë: Goli i Prifte… Grigor Amerikani”!
2.
Para meje do të përplasej gjëma! Misteri i ardhjes poshtë, në brigjet shkëmbore të Plazhit të Bunecit, nga ana e “Kroit të Kinës” e Grigor Priftit, i aratisur pas trazirave të përgjakshme midis fshatrave Sasaj e Pilur! Ca thonin se vinte të flinte me gruan e tij, mbetur në fshat, që pas arratisjes së tij me ngutje. Asgjë nuk dihej e saktë, po njerëzit kishin dëgjuar e hamendësonin se Goli i Prifte “hidhej” deri në Piqeras që nga Kasiopi i Korfuzit, m’atanë, me ca të tjerë, që i kishte si bodigardë, bile me nëndetëse! Dhe, në një kohë që as ne fëmijëve të asaj kohe paslufte, nuk na linin të zbrisnim nga fshati e të laheshim në det dhe rojet e kufirit patrullonin ditën e natën. Qe një nga ngjarjet më tronditëse të asaj kohe. Sfidë ndaj shtetit të ri të komunistëve të “sapombjellur” dhe lojë tinzare, fort e guximshme me Sigurimin e Shtetit të ri. Dhe një “rrëmbim” në mesnatë, në shtëpinë e Lenë Gorecës, mu në mes të fshatit, te shtëpia e Qëndre. Merr një familje, familjen e tij e ikën, me “kuç e maç”, pasi lë edhe një kartë të shkruar te dera e Kryetarit të Këshillit NÇL: “Erdha, ju pashë, mora ata që desha dhe ika”! Për të lënë pas një katrahurë, po kaq enigmatike e të tmerrshme…
Një vorbull e madhe kohe erdhi e u mblodh aty, midis tre vetëve… Ndërsa Lina trazonte kafenë, neve na trazoheshin mendjet!. Grigori shihte vëngër Napoleonin e unë Grigorin, përmes një mjegullnaje.
“I kujt është ky djalë që më prure e pse ma solle”?-pyeti zotëria i përtejoqeanit tashmë dhe do të isha vetë që do t’i përgjigjesha se isha djali i Koço Gjinit, i kushëriut të parë të Vitorisë, për të parë se ai nuk shprehu asnjë shenjë njohjeje e, kur Napoleoni ndërhyri se e kemi tonin, atin e të birin e, nëse e mbante një çikë mend, është djali i atij kuzhinierit të dasmave në fshatin tënë, që përgatiti edhe të pjekurat e dasmës së babait me mamanë, kur ai bëri sikur u kujtua e vajti deri në dritare, sa për të thënë se javën e ardhshme, do kërkonte për të një strehë, më larg qendrës së zhurmshme, me kaq shumë njerëz që vërtiteten si na Karuzelë!
Ishte Napoleoni tani që nuk donte më të fliste dhe i buçitën në vesh fjalët e të atit, kur doli nga burgu e përsëriste nëpër gjumë fjalët e hetuesit të tmerrshëm që i bënte për të mijtën herë të njejtën pyetje: “Ti e ke takuar vëllan që erdhi nga Greqia dhe nuk na thua asnjë fjalë”-i kishin thënë Arsen Priftit, si e kishin zënë në arë duke lëruar me qe, i qetë, në hallin e tij dhe e lidhën këmbë e duar bashkë, si të ishtë një kafshë. Dhe e rrahën barbarisht “gojëkyçurin”, pasi i kishin kujtuar se ata nuk mund ta harronin as “bisedën e tij të çuditshme” me gjermanët për lirimin e 40 burrave piqerasiotë nga internimi në sheshin e Shën Thanasit. Po tani tmerri qe edhe më i madh! Qe e nesërmja e asaj dite të pazakontë, kur e gjetën shtëpinë e Qëndre rrëmujë, pa njeri fare. Ky person që u kishte paguar hotelin e ketyre ditëve, as që e kishte takuar fare të atin, po mori të shoqen me gjithë fëmijë, bashkë me Lenë Gorecen nga Vunoi, si amanet i të shoqit të saj në Amerikë, të kthyer në porosi e investim bashkë! Dhe në të aguar, kur do të dukeshin aty sigurimsat, ai do të ndodhej në bregun tjetër të detit. Pak kohë më vonë ai do të gjendej në kontinentin e largët, do t’i shpinte në shtëpi mikut të Qëndre të shoqen e do të shpallej si qytetar i lirë nga amerikanët, të cilët nuk e kishin pranuar e nuk e njihnin qeverinë e Tiranës dhe Enver Hoxhën që ishte vënë në krye të vendit, si një “bandit”, sikundër edhe e quanin…
Mirëpo, tashmë, para ne fëmijëve të asaj kohe, ky njeri ishte shpallur “bandit” dhe jo Enveri! Më tepër sepse, hynte e dilte nga kufiri detar si në shtëpinë e tij, pa u diktuar nga rojet, nga Sigurimi i Shtetit e nga askush tjetër. Gojët e fshatit flisnin edhe për një masakër qe iu bë në Lavan të Sasajit familjes së bariut pilurjot Foto Prifti, për t’i vjedhur bagëtitë në stan… Dhe që përfundoi me krimin makabër të hedhjes së guas së tij të pafajshme në një kaminë gëlqerjeje e mbuluar me dhe, tok me fëmijët e saj e me qenin e stanit bashkë!
Lufta po mbaronte dhe kjo histori kishte mbetur si enigmë. Edhe “Vendimi i Vilajetit të Himarës”, e varrosi këtë ngjarje të lemerishme! Grigor Prifti qe “bishti i fundit i kavallit” që pati guximin të rrëfejë të vërtetën, ashtu si e pa, tek kërkonte në mal dhinë e tij të vetme e të humbur, fshehur mbi një lis dhe që, pati kurajon e mëvonshme t’i sfidojë qeveritarët e rinj. Qe viti 1943. Napoleon Prifti, djali i Arsenit, sa kishte lindur, më 20 të jenarit. Bëhej lufte atëhere e nuk merrte vesh i pari të dytin. Nëpër rrugë e male qarkullonin italianë e gjermanë, partizanë e ballistë, po edhe hajdutëria. Si njëherë e një moti, kur bridhnin kaçakët maleve. Mirëpo pilurjotët përgatitetshin ta bënin vetë gjyqësinë dhe të merrnin hak, Po me kë? Pleqësia e Sasajit nuk e pranonte autorësine e krimit të tmerrshëm! Vrasja paguhej edhe këndej me vrasje, si në veri të vendit. Bëheshin planet e hakmarrjes së ardhshme, që të “paguhej” po me të njëjtin “çmim”: ose të shuhej fare fshati i vogël i Sase, ose të paguhej një shumë e madhe, me para në dorë nga i gjithë fshati… Kurdisja e këtij “plani”, shoqëruar me dredhi e pusi kaçakësh do të përfundonte me një gjakderdhje te re, ndërkohë që edhe partizanët nuk mundeshin ta zgjidhnin e ta zbardhnin ngjarjen, veç me këtë “thirrje pajtuese” midis palëve, ndërkohe që personazhi i tregimit tonë përgatitej të vinte për të dhjetën herë në fshatin e tij e të shpëtonte, të paktën, familjen e tij në këtë kaos e mënxyrë periudhe, që sa vinte errësohej… E kur, po ky njeri që quhej Grigor Prifti u vu në mesin e ngjarjes, krejt rastësisht… Deri sa arratiset nga të njëjtat rrethana, sikundër u arratisën edhe personazhe të tjerë që e shkrepën armën, në këtë ngjarje, në pamundësi të zbardhjes së të vërtetës reale, që shpesh “varroset”!… Për aq kohë, sa do të të vinte, netëve të errëta të dimrit, te Kroi i Kines, ky njeri që kishim përpara në hotelin “Omonia” të Athinës e pinte kafe me ne emigrantët e rinj, që nuk quheshim më “të arratisur”! Dhe unë do të përfytyroja se si i shuante gjurmët në rërë atëhere, se si e maskonte skafin sqindeve (natyrisht, jo i vetëm!), se si do të ngjitej përmes shkarpave të bregut, nëpër monopatin poshtë shtëpisë së Qëndre, që të flinte aty me gruan e tij dhe, që pa gdhirë mirë, do të ikte! Muaj më vonë, ajo e zezë grua, do të shihte se po i rritej barku e me korse do ta shtrëngonte mesin kur shkonte për shkarpa a të mblidhte ullinjtë në arë, që të mos diktohej nga gratë e fshatit që s’kishin si mos ta vinin re shëndetin e saj në rritje, me burrin m’atanë brigjeve tona! Një ngjarje tjeter kjo, që s’kishte si mos të diktohej nga agjenti i Sigurimit që gjezdiste fshatrave e këto gjëra vëzhgonte. Ai e thërret Thinenë e Prifte, me barkun që i rritej përditë dhe e pyet se me kë e kishte fëmijën që mbante në barkun e saj. Ajo nuk do ta hapte gojën, derisa e internuan në Krujë e, vetëm pasi e torturuan kafshërisht, ajo do t’u thoshte atyre trimërisht se “me burrin e saj e kishte” dhe se ata, sigurimsat, “kurrë s’do të mësonin, si e qysh e nga, për burrin e saj trim, sikur edhe ta vrisnin me fëmijën në bark”! Dhe ata, dinakët, bënë sikur e liruan, që “ta kapnin gjahun” po me dinakërinë e tyre!
Dhe vetëm tani, Napoleoni do më shkelte syrin që ky “bandit” nuk qe e para herë që lozte me Sigurimin si “macia me miun”. Ai do më rrëfente se si, në shtëpinë dykatëshe të Arsen Qëndros, kishte ndodhur që, në dhomën e sipërme organizata e partisë bënte mbledhjen e saj të radhës dhe, në dhomën e poshtme, ku strehohej “diversanti” Grigor Prifti dëgjonte se çfarë thonin komunistët e fshatit. Shtëpia e tij qe në anën tjetër të rrugës, po ai, “i padukshmi” nuk e kishte vështirë të hidhej nëpër natë në shtëpine e tij, të flinte aty e, kur afronte mëngjesi, e linte Thinen ende në gjumë e merrte monopatin poshtë, pa kënduar ende kokosharët… Derisa ai, “diversanti”, do ta quante të përfunduar atë që deshi dhe e bëri, pa e menduar fare pasojën: gjëmën që ra, mbi të gjithë Priftajt.
3.
M’u errën sytë e nuk di se si dola nga hoteli “Omonia” e se si vajta me autobuzin e linjës deri në Egaleo, ku flija atë muaj të vajtjes time në Greqi. Nuk më zuri gjumi atë natë dhe më dilte përpara ajo fytyrë e hequr e dinake, që vështronte vëngër e që edhe fjalët i kishte të prera e të rralla. Si në një ëndërrim të largët, me erdhi pranë nëna ime Aleksandra, kur nuk i kisha mbushur ende dhjetë vite aty, në fshatin e trembur nga arestimi i babait të Napoleonit! Pastaj edhe me dy vëllezërit e tjerë të tij, Akilen dhe Llukën, pa harruar edhe kushërinjtë e parë të tyre, Naçin e Lekanin e Prifte. Bile, inatin me Naçin, si e thërrisnim atëhere Thanas Priftin, e kishin akoma më të madh, ngaqë e quanin “të tyre” këtë njeri që kishte dalur partizan 14 vjeç djalë e kishte ndjekur luftimet deri në Kosovë e Malin e Zi… Të gjithë Priftajt, të lidhur i shpunë në Sarandë. Lanë hë për hë plakun Nino që e quanin të rrjedhur, qyshkur vajti e u kthye nga Amerika për “mendt e kokës” e i hapën edhe një këngë: “Ç’pate ti, Nino Jeziti,/që s’ndënje ku kish lerë Krishti?… dhe ishte kthyer mëtëposhtë nga meraku i lopës së vetme e i qeve të parmendës, që ishin e gjithë katandia e tij!… Nëna ime vinte rrotull nëpër shtëpi e i thoshte babait të mos dilte nga pragu i shtëpisë, nga që fshati qe mbushur me sigurimsa që i merrnin e i pyesnin banorët se ku qenë e ku nuk qenë atë natë… Aq më tepër se, të shoqen e Arsenit, Viton e Gjine, e kishte kushërirë të parë e ku nuk u shkonte mendja e tyre. Hija e frikës qe shpërndarë e ardhur deri aty, aqsa do të strukeshim disa ditë në bodrumin e shtëpisë, si në një përgjim kohë lufte. Pas 12 ditësh ai njeri “i errët” e kishte nxjerrë Napoleonin nga hoteli në rrugë, bashkë me të bijën. Aq qe edhe “mirësia” e xhaxhait të tij dhe qe strehuar në një barangë veglash pune në Kifisja, që ai e bëri të banueshme me duart e tij, pikërisht atje ku edhe kishte gjetur njëfarë pune të përkohshme, midis ullinjve të një pronari grek… E merrnin në punë se qe gjeometër duarartë e pa fjalë, po kishte mësuar edhe greqishten, prej bashkëshortes, himariotes Kulla, që i solli në jetë dhe dy vajzat e tjera: Viton e Vjolën. Pak vite më vone edhe djalin, Arsenin e ri! Hallë Viton do ta merte aty më mbrapa, si të hynte në një shtëpi më të hajrit, me qira e përsëmbari. Po mua s’më rrihej pa e gjetur përsëri kushëririn e gjorë, se nuk dija se çfarë emri t’i vija atij njeriu që hynte e dilte në fshat, në atë kohë të errët nga ana e detit, me mjete lundruese, kur e gjithë Shqipëria qe si në ethe, e përgjuar dhe anatemuar, nga brenda e nga jashtë?… Vetë unë s’kisha pak vite që kisha dalur nga burgu i Ballshit dhe një i burgosur i vjetër që quhej Mina, pasi e kishte marrë vesh se isha nga Piqerasi, më pat folur për shokun e tij të burgut, Arsen Priftin, se si e mbanin të lidhur me hekura, që të pohonte se e “kishte takuar të vëllanë” dhe se… misteri vazhdonte akoma e dukej sikur bridhte në ajër tërë frikë, si në ato ditë të tmerrshme që flinim me sy hapur…
-Ç’emër duhet t’i vëmë këtij xhaxhait tënd sot, o Napoleon? Ta quajmë “të ngatërruar në një histori krimi”, si “pajtues gjaqesh”, “të arratisur politik”, “diversant”, apo “guximtar-anti komunist”, që sot ka të drejtën të bredhë edhe nëpër botë, me dy pensione të lidhura nga dy shtete ku shkonte e rrinte lirisht, pa e ngarë njeri?
-Vite të tëra edhe unë këtë pyetje i kam bër vetes: “Kush qe ai, xhaxhai im, që vrau e nxiu jeta njerëzish, mpleksur në aventura rreziku?! Dhe që, më “shtriu dorën” e ndihmës ato ditë të përmbysjes e të hapjes së kufirit edhe më këmbë! Mirëpo ai, nuk u pendua kurrë për zullumet e tij. U lidh me “dreqin e shejtanin” atëhere, hynte e dilte në Shqipëri, si në shtëpinë e vet dhe nuk iu bë vonë asnjëherë, për tim atë, që e dënuan atëhere me pushkatim komunistët”,-tha ai zymtë, si të qe e freskët ngjarja e zezë e asaj kohe. Isha vetëm pesë vjeç atëhere e u drodha kur na i morën babanë. Nuk e qaja dot nga tmerri e strukesha pas fustanit të nënës time, nga që me dukej sikur do ma merrnin edhe atë. Fëmijëria ime qe e gjitha e trembur, vetëm prej këtij njeriu. Me ngjante se do të mbetesha fare pa baba. Po nëna më mori përdore dhe vamë gjerë në Tiranë e u lutëm në “Kuvënd”. Mbetëm aty disa ditë e netë, derisa i falën jetën. E lanë dënimin me 24 vjet burgim. Dhe e bëri më së shumti atje ne Laç, tek u ngrit qyteti i ri me duart e të burgosurve!… E ku nuk i shpunë ? Ne Kuçovë, në Spaç, në Bulqizë, në “Tiranën e re”… E ç’them kështu! Të gjithë Shqipërinë e ndërtuan të burgosurit! E gjithë Shqipëria qe kthyer në burg. U sosej jeta aty e gjoja u ulej dënimi. Nga 24, babai bëri 17 vite burgim, kokërr më kokërr… Dhe unë, do të mundja ta përqafoja baban 17 vjeç djalë në burgun e Laçit, kur lotët më qenë tharë në sy, po me shpirtin e vrarë, me ëndërrimet e djegura. Që të mos mbetesha fare pa shkollë, më mori në shtëpinë e tij vëllai i mamasë, Barba Ndreko Gjini, që banonte edhe ai në një barangë, përbri kombinatit “Misto Mame”. Sepse kishte bërë burg edhe ai, pasi shau Hrushovin kur erdhi në Shqipëri dhe e quajti “Kukuruzi!” (Misëri). Më futi në një shkollë ndërtimi aty afër, si nxënës i jashtëm, në “Qytetin e Nxënësve”, si quhej atëhere. Herë pa bursë e herë me gjysmë burse. Se edhe atëhere kishte njerez të mirë, si drejtor i asaj shkolle Koço Katundi. Dhe, kur doli nga burgu im atë, 66 vjeçar, mua më gjeti të shkolluar: Teknik gjeometër dhe burrë të martuar e me fëmijë. Punoja si gjeometër në Hidrocentralin e Bistricës. Dhe kur më bënë telegramin për lirimin e babait e do të veja ta prisja baban e mplakur në burg, pa bërë asgjë te keqe,-vazhdoi ai me sytë e lëngëzuar,-mu krijua një si një lëmsh në grrykë… E sillte Vasil Gjini me një skodë të vjetër, bashkë me Kiço Memin. Qe ora 9 e mbrëmjes… Shtëpia, për herë të parë pa festë, gëzim dhe lotë bashkë… Nuk dinin ç’të bënin njerëzit, të qanin a të këndonin? Të dyja motrave, Katinës e Landës, desh u ra të fikët… Po më në fund çau gëzimi, shpërtheu si në dasmë, me Priftaj, Gjinaj, Nikolloraj e me gjithë fshanë. Kush nuk erdhi e nuk u gëzua atë natë, bashkë me ne, pa pyetur se, përreth nesh, përgjonin akoma… Se ne quheshim “armiq”, armiq të liruar nga burgu, po armiq ama!… Dhe “luftë” quhej bile:”Lufta e Klasave”!
Zëri i Napoleonit gati u fik në atë rrëfim të gjatë, të mbytur nga lotë gëzimi… Brenga e malli njerëzor erdhi e u fashit tek unë që e dëgjoja gjithaq i tronditur, për herë të parë, si e kisha parë edhe vetë atë “derë të mallkuar”, burgun… E përmes figurës së Arsenit m’u rreshtuan para memories time të lodhur nga jeta e syrgjinosjes, ata mjeshta të burgjeve që përkthenin nga gjuhët e huaja letërsinë e madhe të botës, që nga Homeri e gjer sot, po edhe anale të historisë ndër arkiva. Prej tyre Arseni përsosi italishten, fërngjishten, gjermanishten dhe pasuroi mendjen e tij të ndritur me gjuhën angleze, aq sa miku im nga Sasaj, I.B, vinte tek ai, pas burgimit që të dëgjonte theksimet perfekte të anglishtes, kur sapo kishte mbaruar në Tiranë po këtë fakultet!
4.
Kaluan 75 vite! Në tre vitet e para të jetës, Napoleoni gëzonte përkëdheljet e nënës e dorën e ngrohtë të atit, tek e ngrinte mbi kokë dhe e hidhte përpjetë. Po më shumë se gjysmën e shekullit duhej ta shtynte jetën duke patur “lepurin ne barkë”. Dhe vetëm 30 vitet e fundit do të ishte një njeri i lirë, në një shtet europian e me një pasaportë të këtij vëndi, që i dha punë, banim e jetë edhe familjes së tij të re, me grua, fëmijë, nipër e mbesa. Dhe djalin që i lindi, do ta quante me emrin e te atit, Arsen e do ta thërriste thjeshtë Ari…
Unë tani ndodhem para tij e pi një kafe në shtëpinë e tij në Piqeras, që e ka rindërtuar me duart e veta. Si gjithmonë i heshtur, ashtu si ia ka imponuar koha e dikurshme, nuk ka asnje dëshirë të flasë për të kaluarën e hidhur… Kujtesa e trondit përsëri… Se fjala sjell fjalën e “kupa helmit” ështe po aty, e çdo skutë e kësaj shtëpie, ka hijen e të atit… Mbi komonë e vjetër janë edhe fotografitë e viteve të vrara. Dhe do të jem unë tani që do të “zë fillin e Arianës” për ta shpleksur…
-Kokëulur punoje në kooperativë e në fermë, kur u rrite, o vëllai im dhe, me kokën mënjanë mbete, në atë periudhe të zezë, kur s’te qeshte as buza, -nisa t’i flas unë… Kurrizpërkulur nëpër brezaret midis Piqerasit e Lukovës, duke ideuar e bërë me duart e tua gjithë rrjetin e bonifikimit, që nga mali në anë të detit, për t’u dhënë jetë bimëve me ujin e lumit të Kalasës. I gjithë lumi që delte nga tuneli, aty hynte e shpërndahej mrekullisht. Degëzohej e gurgullonte, plot jetë e freski… Dhe kujtdo i ngjante si një “rrjete merimangash” e pikturuar në hapësirë, si të ishte një vepër arti…
– Po, po… Vetëm se bie në mendime të rënda e i them vetes: ku vajti vallë, gjithë ajo punë? – buzëqeshi hidhur Napoleoni…- U zhduk si me magji, kur erdhi shkatërrrimi tjetër…
-A nuk qe një marrëzi, Napoleon i dashur… kur taracimet e të parëve u lanë mbasdore e në ato rrëpira malore do të bënim si na thonin kinezët…?!
-E di, po kujt ia mbante të fliste atëhere. Ndërsa fshati nuk quhej më Piqeras , po “Miqësia Shqiptaro-Kineze”. Doli edhe thirrja në gazetë… U mbush Piqerasi e Lukova me vullnetarë nga të gjitha anët… Pa para punonin, me nga një distiktivë të Maos në gjoks e me një shami të kuqe në qafë. Dhe në fund të çdo jave merrnin nga një “Fletë Nderi” ose “Fletë lavdërimi”…
-Po ty, a të jepnin ndonjë kartë të tillë a distiktivë të Maos,-e ngas unë,- që bëre gjithë ato kanalizime betoni e puseta ndarëse, shkallë më shkallë, deri poshte Bunecit e Lapardhasë?…
-Ahaaaa! Po, nuk isha vetëm. Pata edhe dy teknikë të tjerë pranë, të cilët nuk kishin cene në biografi e u jepnin “Fletë Nderi”, ndërsa mua vetëm “Fletë Lavdërimi”, rrëfeu ai, duke u shkrirë së qeshuri e befas u bë serioz… -Njëlloj e bënim punën de, po në mes nesh qe si një perde ndarëse e vepronte “Lufta e Klasave”… Unë quhesha “i deklasuar” dhe… -Napoleoni uli kokën përsëri e tha: Mos… Mos, mos mi kujto ato vite…
Po nuk qe më nevoja të kujtoja asgjë… Ato brazdime vuajtjesh, ne të dy, i kishim tashmë në fytyrat tona të rreshkura.
Nuk u zu më në gojë as Goli i Prifte, i cili e kishte dhënë frymën e fundit në vitin 2000, diku në nje shtet të Amerikës… Thonte gjithmonë se e donte vendin e tij e nuk lejonte askënd që ta shanin, po nuk i shkeli këmba kurrë këtu. Se e dinte, që masakra nuk qe harruar plotësisht, as ato ardhjet e tij të padëshiruara natën, as kujtesa e të burgosurve të pafajshëm, që “nuk dinin me saktësi “se ç’bënte ky njeri ENIGMATIK , pasi vëllezërit u rropatën burgjeve për të…
-Më në fund, kush qe ai?!, – pyes unë, rrethuar nga mjegullnaja e errët e shtatë dekadave të kësaj historie të hidhur e teje tronditëse.- Çfarë emri t’i vëmë atij personi tani, o vëllai im, Napoleonë : Një HERO apo KRIMINEL!?
-Një BANDIT dhe aq!,-tha Napoleoni, pa asnjë mëdyshje tashmë, duke marre frymë thellë e duke peshuar në sheslongun e tij të pleqërisë, në tarracën e shtëpisë. Ai mbylli sytë si ndër ethe dhe iu shfaqën përsëri në perden e errësuar, ato shkallare lëvizëse të hotelit “Omonia” të Athinës, ku u ngjit atëhere, si të ishte sonambul, i zhgënjyer nga njeriu i përtej detrave… I harruari i paharruar!
Piqeras, korrik 2021.
Please follow and like us: