Ilir Levonja: Kimetja dhe proletariati në Shqipëri
E para dhe e fundit, nuk është ambasadorja Kim, që ju e quani Kimete, ajo që kërkon që Sali Berisha të mos jetë në parlamentin e ri, por Amerika. Kurrë nuk e kuptuat se parrulla ‘një për të gjithë dhe të gjithë për një’, nuk ha bukë në demokraci, por në komunizëm a diktaturën e proleteriatit. I jeni qepur ambasadores sikur shqiptarët e viteve 70-80, imperializmit amerikan. Atëhere shqyheshim për të mbrojtur teoritë boshe të pushtimit, ato që na thoshte Enver Hoxha, shqyheshim për Enverin. Megjithëse vet Enveri bënte ballo krishtlindjesh, kurse neve na thoshte, që, feja është opium për popujt. Kësisoj në emër të Enverit, për Enverin, ne e vramë njëri-tjetrin me ndërgjegje të plotë. Për një fjalë gojë u vramë. Për një fjalë goje vritemi edhe sot. Tani, a është i korruptuar Sali Berisha? Kjo i përket Sali Berishës të na e sqaroj. Dhe ai ka thënë se po e bën. Por gabon kur na kërkon mbrojtje kolektive.
Demokracia nuk është diktaturë, por shtet ligjor. Nëse sot nuk e kemi një të tillë pra shtetin ligjor dhe se Kimetet (ambasadorët) na marrin nëpër këmbë, pa asnjë dikutim faj ka edhe vet Sali Berisha. Për sa tundi trotuaret, i heqim kapelen. Por nuk është e vështirë për të kuptuar se në të njëjtën kohë është pikërisht po ai që vrau modelin e tij. Si? Duke ofruar një lider anti modelit Sali Berisha, këtë si Basha. Sali Berisha i atëhershëm, me një teserë nga Partia Komuniste dhe me një apartament të thjeshtë, por i lexuar, kishte ideale. Sot Sali Berisha nuk ka më të tilla, por ka qëllime. Ai që ka ideale hap krahun, ndihmon proçesin, jo personat. Sot partia më dominante është kthyer në më e dominuara, gati pronë e disa emrave, që, megjithëse humbin qarqet, bashkitë etj., prapë janë aty. Ishin aty 35-vjeçarë, janë aty edhe sot 70-vjeçarë. Më thoni një model të dorëheqjes apo të hapjes së krahut. Sikur një… të vjen keq që të rinjtë mbetën në radhë, kurse vendin e tyre e mbajnë këta të stazhionuar shekullorë që e kanë katandisur Partinë Demokratike një pronë të tyre dhe jo më një alternativë të shqiptarëve. Vini syrin tek koha, çfarë do ndodhte sikur sot të ishte ai kontigjent i viteve 1998 a 1999. Një model i vetevetes a si Saliu do e kishte rrëzuar Edi Ramën njëqind herë. Po ne nuk keni memorie të kujtojmë. Kemi devotshmëri. Përgjimet dhe vjedhja e zgjedhjeve 2017 me protagonist vet kryeministrin e Shqipërisë, do kishte rrëzuar çdo Llukashenko. Sa kryetarë bashkish dolën bashkëpunëtorë dhe kontigjent i grupeve të krimit, drogës, mafies italiane. Por opozitarizmi i Bashës mbeti vetëm tek deklaratat. Ashtu sikundër edhe opozitarizmi i vet Berishës duke harruar sheshet, u bë një anti Berishë nga ku me një ajped në dorë, nga një apartament me ajër të kondicionuar, si ish tashmë, ”demaskonte” mushkonjat e rrëzuara në Divjakë, Lezhë etj. Thua se i dinte më mirë Berisha, a i shihte më mirë Berisha se divjakasit kaçatorrët e drogës. Berisha i dikurshëm do kishte shkuar vet në Divjakë, nuk priste foto nga njerëzit. Mirëpo ai model i Berishës vdiq. Ky tjetri që as edhe i afrohet atij modeli, as mish e as peshk, ecën mbi pupla, ngre gishtin, fle gjumë dhe pret rrotacionin. Nuk ka shqiptarë në planet që nuk e di se sa e mbaruar është kjo qeverisje, sa e korruptuar, sa antishqiptare, kësisoj denoncimi dixhital, është pesë pa hiç. Eshtë rruga a sheshi që ndihmon vendin, popullin a qytetarin. Në këtë aspekt Sali Berisha e vrau i pari, ai, Sali Berishën. Sot partia demokratike nuk është më ajo e dhjetoristëve me ideale, por e teseristave me qëllime. Një kopje e shëmtuar e tranzicionit të partisë së punës në partinë socialiste. Ata dhjetoristë që mbetën janë sot pasunarë me posedim të pakufizuar apartamentesh, ky model i shëmtuar i të të qënit i pasur. Pika demokratëve që presin nga këto shushunja që nuk janë asgjë tjetër por kopje e atyre që shajnë gjithë ditën. Sot pd-istët janë një shpurë që rrëmon pas një emri dhe çdo mendim ndryshe, e shpallin me zë të lartë armik të partisë dhe njëshit. Ndërsa demokratët mbushin sheshet, qëndrojnë aty, u bashkangjiten shqiptarëve që kërkojnë të drejta dhe mirëqënie. Në vend të Sali Berishës sot në kuvend duhej të ishte një gjak i ri, ai që do përfaqësonte studentët e vitit 2019, ata protestues fisnikë, do përfaqësonte fermerët e lebetitur që derdhin kamionët me produkte hendeqeve të vendit, do përfaqësonte strategjitë për forcimin e ekonomisë mes shqiptarëve dhe dy shteteve të tyre, do përfaqësonte ruajtësin e trashëgimisë kulturore, të asaj pak industrie a veprave që ndërtuan shqiptarët, jo Enver Hoxha. Nuk gjen një trase hekuri më në Shqipërinë tonë, nuk dëgjon kund një lokomotivë. Por jo, kjo nuk ndodh. Aktualisht dje, deri nga Tokio e largët një kryetar bashkie, i bën karshillëk vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për truallin e Teatrit Kombëtar. Sot nuk shoh një reagim opozitar, kishin një marrëveshje me mbrojtësit e trashëgimisë. Por nuk ndodh. Ashtu siç edhe nuk ndodhi me raportin e OSBE-es. Vetëm deklarata nga zyrat me kondicionerë. Madje kjo zhurma mbi Sali Berishën mund të mbuloj çdo krim qeveritar. Është kohë pranverë për pushtat e shtetit, ata të drogës, të zyrave nga lëshohen tenderimet, shkresat, informaliteti, mjaft të shpikësh diçka rreth Berishës se, e ka të hapur rrugën çdo frymë anti shqiptare, anti demokratike etj. Salin Berishën nuk po e vret Amerika, as unë me këto pak radhë, as demokratët, por vet ai. I pari Sali Berisha dhe, i dyti Lulzim Basha. Pra vetë berishianët. Dhe keni fakte të gjalla për këtë, mbetjet e listave, hajdarlleshat etj. A doni një Sali Berishë të kohës, të hapi krahun. Ai dhe plot xhaketa të vjetra. Madje edhe ata nga klanet e Zemunit që i janë futur në listat e pd-ës me vota gjysmake të demokratëve. Të hapi krahun, edhe vet Jezu Krishti iu nënshtrua fatit. Por ai nuk e bën. Se është pikërisht në atë degradim total të kundërshtarit përballë, proletarëve të gjithë kohërave dhe grusht bashkuar.