Albspirit

Media/News/Publishing

Leonidha Mërtiri: Ballkani Perëndimor përballë një perspektive të paqartë

Për perspektivën e Ballkan it Perëndimor në Bashkimin Evropian ka vite që flitet. Ajo, duke u lakuar, pothuajse në të gjitha rasat, ka qenë vazhdimisht e pranishme në samite të ndryshme, pa folur për takimet dy dhe shumëpalëshe. Tonet optimiste të herëpashershme të Bashkimit Evropian kanë qenë më zotërueset.

Por, në realitet, ato, më tepër veshjen kanë pasur me një optimizëm të tillë, duke zhgënjyer e lëkundur kështu besimin në vetë vendet e rajonit tonë.

Nga ana tjetër, non-papers-et të dala kohët e fundit, duke shfrytëzuar rastin si zëdhënëse të interesave të këtij apo atij kombi, supremacisë së tyre në rajon, por dhe për t’i bërë situatat më të paqarta, i kanë trazuar më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor. Domosdo. Boshllëku i paqartë për anëtarësim në BE, dobësitë e kësaj të fundit, bëhen dhe ato arsye për t’u hapur udhë ideve nga më të çuditshme, por dhe me pasoja fatale.

Në këtë atmosferë, kohët e fundit kanë tërhequr më shumë vëmendjen qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Për një bashkëpunim dhe koordinim më të afërt të punëve me Bashkimin Evropian dhe për rastin konkret, si t’i jepet më shumë dritë Ballkanit Perëndimor. Madje, burime diplomatike të Brukselit kanë qenë më të zëshëm rreth këtij bashkëpunimi midis BE-së dhe ShBA-së, duke pohuar se me ardhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë të Joe Bidenit, marrëdhëniet midis tyre janë përmirësuar ndjeshëm. Edhe në një nga deklaratat më të fundit të Samitit BE-ShBA, flitet qartë, pa ekuivokë për “angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor…duke mbështetur reformat kyçe për integrimin në BE”. Interesat amerikane përballen drejtpërdrejt me këto sfida në të gjitha rrafshet e politikave të vendeve ballkanike. Sikurse është e njohur, keqqeverisja në vende të ndryshme të rajonit, ku mishërohet korrupsioni, krimi i organizuar, nuk kanë asgjë të përbashkët me politikën amerikane.

Është folur shpesh për një strategji të qartë të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, por ajo kërkohet të jetë konkrete dhe koherente, jo me fraza të spërdredhura, boshe, që as ndezin dhe as shuajnë, por me sigurinë për anëtarësimin e secilit vend në BE në veçanti apo në mundësitë për pranimin në bllok. Ndryshe, skepticizmit, edhe më tej i jepet krahë në këto vende. Deri tani, Serbia, në rrugën e anëtarësimit në BE, ka hapur disa kapituj të negociatave. Ato janë hapur edhe nga Mali i Zi. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sikurse është e njohur, janë në pritje të fillimit të këtyre negociatave. Bosnjë Hercegovina së bashku me Kosovën kanë nënshkruar me BE-në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Në disa nga këto vende, kursi i reformave ndiqet më me përparësi, madje, duke bërë dhe kompromise të dhimbshme, sikurse ka ndodhur me Maqedoninë e Veriut, për të mos iu ndarë anëtarësimit në BE, përmes një progresi konkret.

Pastrimi i administratës shtetërore nga zyrtarët e korruptuar mbetet një fushë e ndjeshme, ndryshe si fushë e minuar për demokracinë, por dhe për marrëdhëniet me SHBA-në, e cila shihet si frenuese e vendosur ndaj lubisë së këtyre zyrtarëve, përgjithësisht të pandëshkueshme në vendet e tyre dhe që e kërkojnë strehën te kundërshtarët e BE-së dhe NATO-s.

Duket se një erë e pritur, inkurajuese ka filluar të fryjë, për të mbajtur të ndezur luftën kundër këtyre fenomeneve, por dhe kundër mërive, konflikteve të zëshme apo të pazëshme midis vendeve të rajonit. Prandaj dhe këmbëngulja e SHBA-së në këtë drejtim ringjall më shumë shpresat e njerëzve për realizimin e aspiratave evropiane.

Urdhri Ekzekutiv i ShBA-së, ku gjen veten dhe Shqipëria, për pezullimin e hyrjes në këtë vend të njerëzve që kanë ndihmuar në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, bllokimi i pasurive të tyre, i shërben rajonit tonë, garanton stabilitetin politik të tij, mbron proceset demokratike.

Këto të fundit promovohen më tej, për një progres në rrugën evropiane të vendeve tona. Puna është ndërkohë, që dhe vet vendet e Ballkanit Perëndimor të luftojnë më të vendosur në këtë rrugë. Nuk mjafton vetëm lufta e të tjerëve. Nëse Departamenti Amerikan i Shtetit, për shembull, duke folur për mungesën e investimeve të huaja në Kosovë, edhe pse këtu potenciali ekziston, mungesën e tyre e kërkon kryesisht te “paqëndrueshmëria politike, ndërhyrja në ekonomi, korrupsioni, informaliteti… etj.” është detyrë e qeverisë në radhë të parë, e forcave politike për të reflektuar seriozisht.

Edhe kushtet që Brukseli i ka vënë Serbisë për pranimin në BE, siç përsëriti dhe këto ditë për Radio Televizionin e Serbisë ambasadori i BE-së në Beograd, Sem Fabrizi, janë konstante dhe nuk ndryshojnë: Dialogu me Prishtinën, si element kyç për stabilitetin rajonal dhe anëtarësimin në BE, sundimi i ligjit, reformat ekonomike etj. Ajo çka tërheq vëmendjen: Këto dhe kërkesa të tjera – në unison nga të dyja palët, BE dhe ShBA.

Në këtë rrugë gjithashtu mendojmë se duhet të jenë bashkë edhe shkopi, edhe karota. Brukseli dhe Uashingtoni janë më se të nevojshëm për Ballkanin Perëndimor. Jo një bashkëpunim spontan i tyre, por i vazhdueshëm, që njerëzit të mos zhgënjehen nga era e re që duket se ka filluar të fryjë dhe perspektiva e rajonit tonë në BE të mos mbetet e paqartë dhe në fraza boshe.

Please follow and like us: