Albspirit

Media/News/Publishing

SERBISË I DUHET TREGU SHQIPTAR, FUQIA PUNTORE SHQIPTARE DHE PORTI I DURRËSIT, TË TJERAT JANË LAJLE E LULE!…

Dashamir Uruçi

Sapo dëgjova me vëmendje, fjalën e Vuçiqit në samitin trepalesh të Shkupit, në Maqedoninë e Veriut.

Në dukje të parë, asgjë e gabuar, përkundrazi politika në Shqipëri, Serbi e Maqedoni po bën hapa përpara drejt paqes e bashkëpunimit rajonal.

Dhe në këtë drejtim, popujt e këtyre vendeve, duhet të jenë të kënaqur e të mbushur me shpresë, për të ardhmen. Mirëpo cila është e vërteta?

Ajo që doli qartë, në fjalën e Vuçiqit ishte bashkëpunimi thellësisht miqësor, jo vetëm institucional, por edhe personal me kryeministrin Rama sa që, ai ishte dakort, që të firmoste çdo gjë, që do t’i servirte kolegu nga Shqipëria dhe anasjelltas sigurisht.

Duke e dëgjuar me vëmendje, fjalën e presidentit serb bien në sy hapur, tre objektiva të politikës serbe, që ai synon t’i realizojë nëpërmjet bashkëpunimit rajonal.

Së pari, rriten mundësitë, që për investimet në Serbi të merret krahu i lirë i punës nga Shqipëria.

Së dyti, për industrinë serbe do të rriten mundësitë për të furnizuar me mallra, tregun shqiptar i cili nuk konkuron dot me tregun serb.

Së treti, rriten shanset që Serbia të ketë në përdorim portin e Durrësit, duke çuar në vend, një shekull më vonë, ëndrrën e vjetër të udhëheqësit nacionalist e antishqiptar Pashiq.

Këto ishin tre prej interesave të shumta të Serbisë që u deklaruan hapur nga Vuçiqi, në Shkup.

Po interesat e shqiptarëve ku janë?

E thënë pa dorashka, interesat e shqiptarëve janë në një “jetë paralele…”!

Askush në Ballkan, Europë e botë, me dy pare mend në kokë, nuk mund të jetë kundër bashkëpunimeve rajonale, qarkullimit të njerëzve, mallrave e kulturave mirëpo…!

Është bërë tashmë e ditur, nga ekspertë të ekonomisë, vite më parë, në Kosovë e Shqipëri se këto marëveshje preferenciale të Shqipërisë me Serbinë rrisin e forcojnë edhe më tej ekonominë e Serbisë e nga ana tjetër, ndikimi pozitiv në ekonomine shqiptare është i papërfillshëm.

Tregu shqiptar, përballë atij serb do të sillet si një treg vasal, nga ku del i fituar më i forti.

Nuk publikohen të dhëna transparente për bilancin e import eksporteve, Serbi-Shqipëri, por një gjë është e sigurtë se marrëveshjet e reja ekonomike do ta rrisin edhe më tej, disnivelin në mes tyre dhe tregu shqiptar do të mbushet edhe më shumë me mallra të industrisë serbe.

Në stadin aktual të zhvillimit, Shqiperia nuk i rrit dot eksportet drejt Serbisë me përjashtim të “rritjes së eksporteve” të fuqisë puntore dhe shëtitarëve të shumtë që do të vizitojnë Shkupin e Beogradin turistik.

A duhet Shqipëria t’i hapë dyert e dritaret bashkë, marrëdhënieve ekonomike me Serbinë?

Marrëdhëniet në mes të dy vendeve tona kanë qenë përgjithsisht problematike e për më shumë se një shekull do t’i quaja “Marrëdhënie gjakatare”.

Nuk bëj pjesë tek liderët tanë që bëjnë politikë të madhe, por jam i bindur që me Serbinë, ne nuk mund të kemi kurrë marrëdhënie, thjesht ekonomike.

“AKUZA QË ULËRIJNË” i autorit Leo Freundlich, do të mjaftonte për të kuptuar se çfarë krime përbindshe kanë bërë serbët kundër shqiptarëve, për të ardhur më pas tek lufta më e fundit, ku u vranë me mijra njerëz të pafajshëm e u dhunuan mbi 20 mijë nëna e motra shqiptare.

Marrëdhënie me Serbinë mund të kemi, por jo preferenciale.

Marrëdhëniet me Serbinë duhen kushtëzuar me qëndrimin që ajo mban ndaj Republikës së pavarur të Kosovës si dhe ndaj tre komunave shqiptare nën Serbi.

Portin e Durrësit mund ta përdorin edhe serbët pasi të kenë kërkuar botërisht falje për krimet e luftës dhe genocidin kundër shqiptarëve, pasi të kenë shlyer dëmet e luftës më të fundit se paku 20 miliardë euro dhe pasi porti i Shëngjinit ti jetë dhënë në përdorim Kosovës.

Nuk mund të ketë marrëdhënie të të gjitha llojeve me Serbinë pa konsideruar interesat e Kosovës dhe interesat kombëtare të shqiptarëve.

Pse ne shqiptarët, në emër të politikës së madhe, duhet të bëjmë lëshime, në kurrizin e interesave tona.

Pse nuk sillemi si kroatët, boshnjakët, si shqiptarët e Kosovës që i kanë kushtëzuar marrëdhëniet me Serbinë e nuk duan të jenë satelitë të saj, të një vendi që u solli vuajtje e stërmundime pa fund, popujve të tyre.

Po kështu edhe marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut duhen kushtëzuar me liritë e të drejtat themelore të shqiptarëve, me të drejtën e shtetformimit e të gjuhës shqipe, gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Ne shqiptarët e thjeshtë nuk mund të mbyllim sytë përpara asaj cka serbët kanë bërë kundër popullit tonë, kudo ku ai ka jetuar.

Ne shqiptarët e thjeshtë nuk mund të kuptojmë se si mund të hapim kufijtë, sigurisht në thonjëza, me një shtet që edhe sot, ditën për diell e në sy të të gjithëve ka dëbuar nga tre komunat shqiptare nën Serbi, afro 8000 banorë dhe Vuciq me ironi thotë se në Medvegjë nuk kanë mbetur më as 6 për qind shqiptarë.

Kam shumë për të thënë por do ta mbyll me përfundimin se “MINILESHI BALLKANIK” ka lindur i vdekur.

Shqiptarët nuk e kanë pritur mirë dhe kanë të drejtë.

Edhe vetë ndryshimi i emrit nga minishengeni ballkanik në BALLKANI I HAPUR flet për fillimin e rënies së këtij projekti antishqiptar…!

DASHAMIR URUÇI-USHC-TIRANË.

29 korrik 2021.

Please follow and like us: