Shaban Murati: Një pyetje për neokomunistët dhe neojugosllavët e Tiranës
Kur t’iu dalë shlivovica e vjetër serbe me emrin e ri “Ballkan i hapur”, që i ekzaltoi me premtimin vezullues të presidentit serb Vuçiç në Shkup në 29 korrik 2021 se Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të shkrijnë kufijtë midis tyre dhe do të bëhen një hapësirë e përbashkët, neokomunistët dhe neojugosllavët e Tiranës duhet të pyesin veten:
“Serbia nuk ka as kufij tokësorë, as kufij detarë, as kufij lumorë dhe as kufij qiellorë me Shqipërinë, pra nuk janë shtete fqinjë, si do ta bëjnë heqjen e kufijve me njeri-tjetrin? A nuk është midis Shqipërisë dhe Serbisë shteti i pavarur i Kosovës”?
Për neokomunistët ruralë dhe për neojugosllavët e Tiranës idealja do të ishte që Kosova të kthehej sa më parë nën Serbi, sepse ashtu Shqipëria bëhet shtet fqinjë me Serbinë dhe bëhej realitet “vëllazërim-bashkimi i kufijve” me Serbinë. Rikthehet koha e artë komuniste e vitit 1946, kur Shqipëria hoqi me Serbinë dhe me Maqedoninë kufijtë, hoqi doganat, shkriu lekun me dinarin dhe bashkoi ekonominë dhe tregun e punës. Enver Hoxha i realizoi “katër liritë e famshme” të “Ballkanit të hapur” me Serbinë dhe me Maqedoninë shumë vite para se të krijohej BE-ja dhe 75 vite para mikrosamitit të Shkupit.
Për hir të vërtetës duhet të rrëfej se pyetjen e mësipërme nuk e kam origjinale, por po e ridrejtoj nga komunikimi me një gazetar shumë të njohur në Shqipëri, i cili e formuloi këtë pyetje të thjeshtë dhe të mençur.
Please follow and like us: