Albin Kurti i shkruan letër falenderimi kryeministrit kroat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër falënderimi homologut kroat, Andrej Plenković, përmes së cilës ai ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit për ndihmën që u ofruan bashkëatdhetarëve pas aksidentit tragjik të 25 korrikut. Kurti shprehet në letër se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate për t’u ofruar trajtim mjekësor të plagosurve dhe strehim udhëtarëve të tjerë, shfaqi vlerat më të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.
Falënderimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti
Shumë i nderuari Kryeministër Plenković,
Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim personal, pranoni falënderimet më të përzemërta për ndihmën që na e ofruat në një situatë të rëndë për vendin tonë.
Reagimi Juaj i shpejtë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë tanë, trajtimi mjekësor i të lënduarve dhe strehimi i udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat Tuaja të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.
Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona.
Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë.
Me konsideratën më të lartë, ju sigurojmë që Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Ju.
S poštovanjem i zahvalnošću,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës